• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, July 18, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Opinion

5 orë me drejtësinë

by Plarent Ndreca
07/07/2026 19:20
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Plarent Ndreca

Ka ditë kur nuk ke fare dëshirë të flasësh, por ka ditë kur është edhe më e vështirë të heshtësh. Sot ishte një prej tyre.

Në përgjithësi, pavarësisht kritikave si në detyrën e deputetit, ashtu edhe në profesionin e avokatit, përpiqem ta frenoj veten në kritika publike. Pavarësisht se besoj që kritika është oksigjeni i çdo institucioni që kërkon të përmirësohet, njëkohësisht mendoj që çdo kritikë ka edhe kosto shoqëruese. Ajo godet jo vetëm pjesën e kalbur të sistemit, por pa dashje dëmton edhe pjesën që punon me profesionalizëm, si dhe vetë besimin e qytetarëve te drejtësia.

Një dilemë e përhershme kjo: të flasësh, duke rrezikuar të dobësosh besimin te sistemi, apo të heshtësh, duke lejuar që problemet të thellohen edhe më tej?

Megjithatë kam zgjedhur të flas, me shpresën se vetë sistemi reflekton. Se kritikat, që tashmë vijnë nga të gjitha anët, do shtynin në vetëkorrigjim. Por jo. Sa më shumë shtohen kritikat, aq më shumë sistemi mbyllet në vetvete. Në vend që të luftojë problemet, lufton ata që i evidentojnë ato. Në vend që të reflektojë, kalçifikon gafat. Sillet si struci që fut kokën në rërë, me shpresën se, meqenëse nuk sheh, nuk do e shohin.

Në këto kushte nuk ke zgjedhje tjetër veçse të flasësh. Jo se do të dëgjohesh menjëherë, por sepse, një ditë, dikush do të ketë kurajën të dëgjojë dhe vullnetin për ta riparuar këtë sistem.

Ora 10:35.

Fillon gjyqi i Erion Veliajt. Ajola Xoxa kërkon pezullimin e gjykimit, pasi ndodhet në pamundësi objektive për të marrë pjesë në proces: është nënë lehonë, brenda periudhës së mbrojtur që parashikon Kodi i Punës dhe me raport mjekësor. Një kërkesë që, sidomos nga një trup gjykues ku shumica janë gra, do të pritej të pranohej menjëherë në çdo sistem juridik që e konsideron mbrojtjen e amësisë një vlerë kushtetuese. Jam i bindur se këtë standard human e zbaton edhe Koreja e Veriut.

Prokuroria, siç pritej, e kundërshtoi. Ajo kundërshton gjithçka, ka kohë që e sheh veten si pale private dhe jo si përfaqësuese e Republikës. Argumenti? Kodi i Procedurës Penale nuk e parashikon shprehimisht këtë rast. Sikur neni 350 i Kodit të Procedurës Penale, Kushtetuta, Kodi i Punës dhe Konventa Evropiane ku bazohej kërkesa, nuk janë pjesë e rendit juridik shqiptar. Pas një ore në dhomën e këshillimit, gjykata vendosi se raporti mjekësor nuk provon pamundësinë fizike për të qenë në gjyq.

Po, e lexuat saktë.

Pra, sipas standardit më të ri të një vendi kandidat për në Bashkimin Evropian, një raport mjekësor nuk mjafton për të provuar se një person ka aftësi fizike të paraqitet në gjykatë. Nuk di një standard të tillë në asnjë periudhë të shtetit shqiptar: as pas Pavarësisë, as gjatë Mbretërisë; as para komunizmit, as gjatë tij, as pas rënies së tij.

Nuk mbaron këtu. E njëjta rrethanë që e bën objektivisht të pamundur pjesëmarrjen e Ajola Xoxës në gjyq, u përdor për t’i zgjatur afatet e paraburgimit Erion Veliajt. Me fjalë të tjera, lindja e një fëmije nuk u konsiderua arsye që i ati të sa më shpejt pranë tij, por u kthye në arsye që babai të qëndrojë edhe më gjatë në paraburgim.

Zoti na ruajt.

Ora 10:35–12:30

Gjatë gjithë kësaj kohe, pjesë e trupit gjykues që mori edhe vendimin e mësipërm ishte, krejt e pashqetësuar, një gjyqtare, motra e së cilës vijon të jetë në një proces gjyqësor të hapur me Bashkinë e Tiranës. Ndërkohë, burri i motrës së saj, pra kunati i gjyqtares, një eksponent politik i Partisë Demokratike, ka sulmuar publikisht dhe personalisht Erion Veliajn në më shumë se një rast. Edhe pse kemi kërkuar përjashtimin e saj pikërisht për këto rrethana, gjyqtarja nuk e pa të nevojshme të tërhiqej vetë nga gjykimi, për të mbrojtur atë që është vlera më e rëndësishme e një gjykatësi: paanshmëria.

Një gjyqtar nuk mjafton të jetë i paanshëm, ai duhet edhe të duket i tillë. Ky është një standard kushtetues. Është standard i Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Megjithatë, as fakti që motra e saj është në konflikt gjyqësor me institucionin që drejton i pandehuri, as fakti që kunati i saj ka mbajtur publikisht qëndrime politike kundër tij, nuk u konsideruan arsye të mjaftueshme që ajo të largohej vetë nga gjykimi. Kështu, pa asnjë shqetësim të dukshëm, vijon të gjykojë çështjen e personit me të cilin familja e saj ndodhet në një situatë që, të paktën në sytë e çdo vëzhguesi objektiv, ngre çështje serioze paanshmërie.

Ora 13:30.

Kthehem në zyrë me shpresën se do të gjeja pak qetësi pas disa orësh në gjykatën që, gjithnjë e më shumë, po ngjan me një gjykatë jakobine, ku standardet juridike bien si kokat nën gijotinë. Por qetësi nuk ishte e thënë të kishte.

Hap telefonin dhe më del Komisioni Parlamentar i Fatmir Xhafës me Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Kryetarja e KLP-së me një qetësi olimpike, shprehet se debatet me sharje dhe fyerje janë pjesë e natyrshme e funksionimit të një organi kolegjial, sepse anëtarët përfaqësojnë rryma dhe interesa të ndryshme. E përkthyer në shqip: sa herë një organ ka anëtarë me mendime të ndryshme, etikën institucionale mund ta zëvendësosh me fjalor rruge. Sharja nuk është më devijim, mund të konsiderojmë standardin e ri të organeve kolegjiale. Kur mendon pastaj se Këshilli i Lartë i Prokurorisë është institucioni kushtetues që mbikëqyr etikën dhe përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve të gjithë Shqipërisë, mendon vetvetiu se ndoshta nuk duhet të ankohemi aq shumë për prokurorët. Fundja, ata janë produkti i kulturës institucionale që i qeveris.

Mendova se mbaroi. Gabim. Pak minuta më vonë, po Kryetarja pranoi se ndoshta anëtarët e KLP-së kanë nevojë për trajnime të posaçme mbi çështje të kolegjialitetit dhe lidershipit. Pra, organi më i lartë kushtetues që qeveris sistemin prokurorial pranon publikisht se ka nevojë të trajnohet pikërisht mbi parimet elementare të funksionimit të një organi kolegjial.

Nuk di nëse duhet ta vlerësoj apo të shqetësohem për deklaratën e sinqertë. Sepse, nëse vetë drejtuesi i institucionit pranon se kanë nevojë të mësojnë bazat e kolegjialitetit dhe lidershipit, atëherë pyetja legjitime që lind është: çfarë kanë bërë deri më sot?

Këto ishin 5 orët e mia sot me drejtësinë.

Brenda vetëm pesë orëve: një nënë lehonë, me raport mjekësor, nuk u konsiderua e pamundur fizikisht për të qenë në sallën e gjyqit; një baba që i shtohen ditët e paraburgimit se ka sjellë në jetë një fëmijë, një gjyqtare që, pavarësisht shkaqeve serioze për përjashtim vijon të gjykojë krejt e pashqetësuar dhe drejtuesit e organit më të lartë kushtetues të qeverisjes së prokurorisë që normalizon gjuhën fyese dhe pranon publikisht se kanë nevojë për trajnim për të bërë detyrën e tyre.

Problemi më i madh sigurisht nuk është se këto gjëra ndodhin, por se ato kanë filluar të duken normale. Kur deformimi profesional, institucional dhe moral fillon të perceptohet si normalitet, atëherë shteti i së drejtës nuk është më në krizë, ai ka hyrë në “qefin”.

E kur askush nuk reagon edhe pse të gjithë e shohin këtë gjendje, mbetet vetëm një lutje:

Zoti, na ruajt.

Next Post
Paralajmërimi i Mark Rutte në Samitin e NATO-s: Rusia po derdh gjithë buxhetin në makinerinë e luftës

Paralajmërimi i Mark Rutte në Samitin e NATO-s: Rusia po derdh gjithë buxhetin në makinerinë e luftës

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Tragjike në Zvërnec, humb jetën gazetari Enrik Mehmeti

Tragjike në Zvërnec, humb jetën gazetari Enrik Mehmeti

July 18, 2026
Drejtuesit politik të PS, Andoni: PD në Fier e ka të vështirë! Me kandidimin jashtë liste, Rama i dha një mësim opozitës

Plaga, Flamingot dhe Aristoteli

July 18, 2026
Ministri izraelit kërkon krokodilë rreth burgjeve ku mbahen të burgosurit palestinezë

Ministri izraelit kërkon krokodilë rreth burgjeve ku mbahen të burgosurit palestinezë

July 18, 2026
Numri i turistëve u rrit në korrik, INSTAT: 2.7% më shumë se i njëjti muaj i vitit të kaluar

Travel of Path: Shqipëria, destinacioni që po ndryshon Evropën

July 18, 2026
Irani vret dy ushtarë amerikanë pas sulmeve me raketa, një tjetër i zhdukur

Irani vret dy ushtarë amerikanë pas sulmeve me raketa, një tjetër i zhdukur

July 18, 2026
VIDEO / Kuvendarët e protestës nxjerrin me dhunë nga salla ish-deputetin: Do të çoj në Polici…

VIDEO / Kuvendarët e protestës nxjerrin me dhunë nga salla ish-deputetin: Do të çoj në Polici…

July 18, 2026
Kaos në Parlament! PS voton ministrat e rinj, Berisha dhe deputetët e PD bllokojnë foltoren

Frikacakët e politikës, “mulizmi” dhe kështjella e Berishës

July 18, 2026
Zjarret në vend, Policia bën bilancin: Në më pak se tre muaj identifikuam 137 autorë, 46 u arrestuan

Zjarri mund të shuhet, por pasojat e tij vazhdojnë të mbeten në ajër

July 18, 2026
Ndërtimi i anijeve kozmike, Pentagoni jep 7.1 mln dollarë për prodhimin e xhamit special

Ndërtimi i anijeve kozmike, Pentagoni jep 7.1 mln dollarë për prodhimin e xhamit special

July 18, 2026
“Opozita nuk vjen në pushtet me kryetarin non grata”, Martin Leka: Ja pse Trump nuk e ndryshon vendimin për Berishën

Sherr në Kuvendin e protestës, Leka: Degradimi nisi me pjesëmarrjen e vijoi me fjalorin dhe dhunën

July 18, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In