Nga Xhelal Gjeçovi, SHBA
Botuar në DITA
5 maji është një ditë e madhe, është dita e dëshmorëve të atdheut, që me Qemal Stafën në ballë, kanë zënë vend në altarin e lirisë, për të mos u shkulur kurrë që andej. Ata përbëjnë një binom të pa ndarë, që s`mund të kuptohen veç e veç, produkt i një historie dhe epoke të madhe.
Në këtë ditë, një popull i tërë përulet para kujtimit të 28 mijë dëshmorëve të rënë në luftën e Dytë Botërore, Luftës që ndryshoi botën dhe shqiptarëve u ktheu lirinë dhe pavarësinë, si dhe të rënëve të tjerë, në të gjitha periudhat e historisë. Në themelet e lirisë e të demokracisë që po përpiqemi të ndërtojmë, është dhe gjaku i tyre, që ushqen damarët e saj dhe i bën të qëndrueshëm e të pathyeshëm, përballë rreziqesh, që fatkeqësisht si ndahen njerëzimit, siç tregon dhe agresioni rus ndaj Ukrainës, që është një kërcënim për mbarë njerëzimin.
Në vitet e luftës së Dytë Botërore, rrezikut të pushtimit, të zhdukjes e të shkombëtarizimit iu përgjigjën menjëherë, pa marrë parasysh sakrificat, dëshmorët e parë antifashistë, Mujo Ulqinaku me një grusht patriotësh, nga të katër anët e vendit, ndërkohë që ish mbreti dhe komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura, iku i pari, duke lënë vendin në mëshirën e fatit, pa drejtim e pa mbrojtje.
Qëndrimi i tyre do të pasohej nga të tjerë akte heroizmi e sakrifice, ku do të spikasë akti i pashembullt i Qemal Stafës, Sekretar Politik i Rinisë Komuniste dhe anëtar i KQ të PK, forcës që sapo kish dalë në arenën e historisë shqiptare, me një mision të vështirë, të organizojë dhe të udhëheqë në shkallë kombëtare luftën kundër okupatorit, që kish shkelur pavarësinë atdheut.
I pjekur para kohe nga hallet e dertet e popullit, me aftësi e tipare të jashtëzakonshme, do të shkruante shkrimtari e studiuesi i njohur Nasho Jorgaqi, në të parin libër në vend kushtuar Qemal Stafës, pa mbushur ende të njëzetat, do të shfaqej si një meteor, që do t’i ndriçonte rrugën brezit të ri, të etur për liri, por dhe për dije e kulturë, një fenomen që s’e kish parë e vështirë ta shihte më bota shqiptare. Pikërisht, për këtë arsye, 5 maji, dita e rënies së tij, në nderim të veprës që la pas, u caktua si dita e të rënëve, e nderimit dhe përkujtimit të dëshmorëve të atdheut, të rënë për Shqipërinë, në të gjitha kohët e periudhat e historisë.
Kjo zgjedhje u bënte nder dy palëve, Qemalit e dëshmorëve të luftës Nacionalçlirimtare, por dhe të rënëve në periudhat e tjera të historisë. Në këtë mënyrë shfaqej vazhdimësia e brezave, sakrifica e patriotizmi për ta bërë e për ta mbrojtur Shqipërinë, atdheun e përbashkët të shqiptarëve.
Në vitet e qeverisjes së PD, Berisha e tellallët e tij do të shprehnin shqetësimin, se me këtë figurë, na qenkësh tepruar, pasi disa institucione dhe mjedise publike mbanin emrin e tij. Në polemikë me të rreth trajtimit që përgjithësisht po i bëhej historisë e figurave historike, me ndërhyrjet e politikës dhe shembullin që ai po jepte, duke marrë rolin e historianit, në një shkrim shtroja pyetjen: po me Ahmet Zogun, që iku e na la në ditën më të vështirë për vendin, nuk po teprohet, duke ngritur shtatore, një në Burrel, vendlindjen e tij dhe një tjetër në Tiranë, ndërkohë që disa institucione e rrugë, në Tiranë dhe qytete të tjera gjithashtu kishin marrë emrin e tij, një histeri e paparë, e pazakontë që unë e quaja fshatareske.
Po ai ishte mbret e Qemali një djalë i ri, që s’mund të krahasohej me të, përgjigjej njëri ndër tellallët e partisë në pushtet. Në përpjekje për të sqaruar e qetësuar opozitarët, vijoja me pyetjen tjetër. E gjeni dot një tjetër si Qemali nga forcat që keni debulesë e që mund të merrej në konsideratë në këtë rast? Përgjigja e pyetjes s’erdhi kurrë dhe s`kish si të vinte po të kemi parasysh pozitën që zunë në këtë udhëkryq të historisë, nga i cili varej e ardhmja e jone si popull e si komb. Mirëpo, ky nuk do te ishte preokopimi i ballistëve. Për momentin nuk hynte në hesapet e tyre, pasi ishin te preokupuar për gjëra më të mëdha, për krijimin e urave të miqësisë e te bashkëpunimit me okupatorin.
Për fat të keq, kohë më pas, do të shihnim rehabilitimin e nderimin e Mit’hat Frashërit, kolaboracionistit numër një, jo nga ballistët qe mund të pritej e të justifikohej, por nga ata që nderojnë dhe Qemalin. Kjo është jeta, koha që jetojmë, me paradokset e saj. Megjithatë, historia nuk mbaron këtu. Populli nuk impresionohet, pasi është mësuar me paradokse e, pavarësisht tyre, vazhdon traditën, duke ruajtur të shenjt kujtimin e nderimin e dëshmorëve dhe veprës që ata lanë pas.
Revanshi që vazhdon të shfaqet dhe në demokraci, herë në forma latente dhe herë të ashpra ka preokupuar e angazhuar figura të shquara të kulturës kombëtare, që, në përgjigje të sulmeve të tyre, por jo vetëm, kanë prodhuar vepra të shquara, në forma e gjini të ndryshme, monografi, studime të mirëfillta historike, krijime letrare, në prozë e në poezi, të cilat kanë pasuruar fondin e studimeve, për këto periudha e figura. Ato janë një pasuri e madhe, për të njohur të kaluarën, për të edukuar gjeneratat e reja me patriotizëm.
Ndryshimi që solli lufta dhe kontributi i pjesëmarrësve, më së pari dëshmorëve dhe heronjve, që sakrifikuan jetën e tyre për Shqipërinë, nuk mund të kuptohen pa mbajtur parasysh analizat e shkëlqyera të tri figurave të mëdha, prof. akademik Kristo Frashëri, ndër historianët më të shquar ne vend, i madhi e i paharruari Dritëro Agolli, shkrimtari, poeti i dashur dhe politikani modern që s`i harroi kurrë të rënët e familjet e tyre dhe Nasho Jorgaqi, studiuesi e shkrimtari që u kushtoi pjesën më të madhe të jetës dy figurave të mëdha kombëtare, F.Nolit dhe Qemal Stafës, autor i dy punimeve të rralla për ta.
Por, që të tre, Frashëri, Agolli e Jorgaqi ikën nga jeta, njeri pas tjetrit, por lanë pas një pasuri të madhe, me studime e krijime që kanë zënë vend në thesarin e trashëgimisë kulturore.
Nuk ishin të rastit lidhjet e tyre me luftën dhe paraqtja dinjitoze pas çlirimit e kësaj periudhe e protagonistëve të saj, në vepra që kanë zënë vend të merituar në krijimtarinë e tyre të vyer. Ata rridhnin nga familje intelektuale, me tradita patriotike. Kjo trashëgimi i ndihmoi që të orientoheshin e të përfshiheshin në radhët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, të vetmes lëvizje të angazhuar në luftë për çlirimin e atdheut. Nuk mund të qëndronin, apo të vepronin ndryshe nga kjo traditë. Kristo Frashëri ka shkruar se unë do të kisha aderuar pa hezitim në radhët e Ballit Kombëtar, nëse do të angazhohej në luftë, pasi kisha simpati për Mit`hat Frashërin. Por, rrugës që zgjodhën nuk mund t`i qasesha e t`i ndiqja.
***
Në radhët e Lëvizjes u njoh me Qemal Stafën dhe u lidh me të në një miqësi të ngushtë që do t’i rezistonte kohës e problematikave të saj. Në themel të miqësisë ishte preokupimi për vendin, për pavarësinë e shkelur e të mohuar nga okupatori fashist italian. Ishin moshaarë, sapo kishin mbushur të njëzetat, por të pjekur para kohe nga jeta, e mbushur me andralla. Familjet e tyre nuk vuanin për bukën e gojës, si ato të shumë moshatarëve, pasi ishin të mëkëmbura, por s`mund të rrinin të qetë, derisa vuante vendi dhe populli. Ishte tradita familjare, por dhe gjendja në vend që i shtynë t`i qaseshin luftës.
Por ata, ishin njëherësh te rinj me interesa të gjëra, në kërkim të rrugës që të bëheshin sa me te vlefshëm dhe për vendin. Së bashku nisën studimet jashtë vendit në Itali, në të njëjtën degë ,për ekonomi. Fjetën në një dhomë që të përballonin koston dhe po njëherësh ndërprenë studimet, sikurse dhe të tjerë studentë shqiptarë,pas agresionit dhe pushtimit të vendit. Aderuan në grupet komuniste. Qemali në Grupin e Shkodrës, ku shpejt do të dilte në krye, së bashku me Vasil Shanton, si nevojë për të trazuar ujërat e ndenjura, për t`i hapur rrugë ndryshimit, për të gjetur gjuhën e përbashkët me grupet e tjera, për t`i dhënë fund përçarjes e për t`i hapë rrugë bashkimit, një kërkesë imperative e kohës dhe e momenteve që kalonte vendi. Kurse Kristoja do të bënte pjesë në Grupin e të Rinjve, që drejtohej nga A.Lulo e S.Premte.
Miqësia në mes tyre do të vazhdonte. Të dy e pritën me besim dhe shpresë iniciativën për thirrjen e mbledhjes themeluese, por u dëshpëruan kur panë Dushanin e Miladinin në krye të vendit, megjithëse qenë thirrur me kërkesën e krerëve të grupeve, ku dhe vet bënin pjesë dhe me sugjerim e miratim të Kominternit, qendër e Levizjes Komuniste. Që këtu do të nisin dyshimet e mospajtimet ,që do të shoqëohen me perplasje mendimesh.Kristo do të shënjestrohej dhe për shkak të lidhjeve me ish krerët e grupit dhe do të dërgohej në Dibër, tek Haxhi Lleshi, një figurë e njohur nacionaliste, që do të mirëpriste ardhjen, pasi i njihte mirë kapacitetet e qëndrimet.
Ndërkohë, një fat më të rëndë do të pësonte Qemali, shoku i tij i ngushtë. E zbuluar nga agjentë të fashizmit,baza ku ndodheshin,në një lagje të Tiranës, pa pritur do të ndodhej e rrethuar nga forca të shumta të karabinierisë dhe Qemali, shënjestra e duhur për ta, do te humbiste jetën, pasi hedhë poshtë me neveri thirrjet që të dorëzoheshin dhe vazhdoi t`i qëndrojë rrebeshit pa mbarim të plumbave,derisa bie heroikisht, duke luftuar,për të mbetur përjetësisht i gjallë. Kristoja e përjetojë me dhimbje, e vuajti gjatë humbjen e tij.
Asaj do t`i shtohej me pas vrasja makaber e vëllait,dëshmor, i rënë më 28 shkurt, për t’iu bashkuar 84 të tjerëve të masakrës së 4 shkurtit 44, vazhdim i të cilës ishte dhe kjo.
***
Me luftën dhe të rënët në luftë janë marrë gjatë dhe dy figura gjithashtu të njohu, i madhi Dritëro Agolli dhe shkrimtari e studiuesi Nasho Jorgaqi, që të dy të përfshirë në Lëvizje që në moshë fare të re, pa mbushur të pesëmbëdhjetat, si fëmijë e më pas në rreshtat partizane. Pas çlirimit u bënë figura të njohura me studime e krijime letrare që do të zënë vend të veçantë ne thesarin e kulturës kombëtare.
I pari u ka kushtuar dëshmorëve një sërë krijimesh letrare, ku veçohet sidomos poezia e famshme “Malli për Heronjtë”, një himn i vërtetë për luftën dhe dëshmorët. Kurse i dyti ka në bilancin e vet, siç u tha, një botim të plotë, në formë monografie, i vetmi deri më sot mbi jetën e Qemal Stafës. Në të jepet gjithçka përfaqëson kjo figurë. Që në moshë fare të re, një djalë i ri, pa mbushur të njëzeat kish rrëmbyer zemrat dhe ishte shndërruar në pikë referimi e frymëzimi për rininë e kohës.
Nuk ishin vetëm lufta dhe rënia në luftë, se të tillë ishin 28 mijë yje të pashuar. Atë e bënin të veçantë cilësitë e jashtëzakonshme, kultura dhe kapacitetet intelektuale, që në atë moshë, rrallë kush mund t`i kishte e t`i demonstronte. Kjo e bëri të njohur shpejt, fama u rrit e krahas kësaj dhe besimi i udhëheqjes së luftës.
Enver Hoxha, nuk do të priste gjatë, por menjëherë do ta piketonte në detyrën më të rëndësishme të kohës. Dy jave pas themelimit të PK, do të organizojë një aktiv të gjerë të rinisë të përfshirë në Lëvizje dhe aty, në emër të KQ do të propozonte që Qemali të zgjidhej sekretar politik i Rinisë Komuniste. Në këtë detyrë do të linte gjurmë të pa shlyera e do të shndërrohej në një nga figurat më të dashura për rininë e kohës, forcës më aktive në luftë.
Por, për fat të keq, në një botë të prapambetur e diskrete, çdo gjë shihej me dyshim, me xhelozi dhe shpesh bëhej objekt goditjeje, nga të huajt e nga të vetët. Këto rrethana i kane çuar disa gërmues biografish, që të shpikin probleme në raportet me numrin një, pa arsye, bazuar në thashethemet e rrugës, e të shtyrë nga xhelozitë. Aludimet që bëhen në këtë rast nuk kishin kurrfarë baze. Siç tregojne bashkëpunëtorët më të afërt, vrasja e Qemalit e dëshpëroi shumë, pasi kish humbur një shok e një mik besnik.
Ai ishte i ri, sapo kish mbushur të njëzetat, kurse Enveri sapo kishte kapërcyer të tridhjetat, një diferencë që për rrethanat e luftës peshonin e cmoheshin si avantazh.Në fillimet e veprimtarisë, nuk mund të behej fjalë për stërkëmbësha apo lufte bërrylash, pjesëmarrësit ishin idealistë. Kristo Frashëri zgjedhjen e numrit një e lidh me dy faktorë. Së pari, ai nuk kishte qenë në udhëheqje të grupeve që ishin dhe pengesa kryesore për bashkimin e tyre në një parti të vetme, pasi u ikte pushteti, pozitat në krye të grupeve, prandaj dhe mbledhja i ndëshkoi, duke vendosur që në fillim qe këta të mos zgjidheshin në udhëheqje të Partisë që po krijohej. Që këtu lindën pakënaqësitë që do t`i çonin në kundërvënie të përfundimeve të mbledhjes që qenë miratuar unanimisht dhe prej tyre. Së dyti, sipas Prof.Frashërit, në mbledhje ai la një përshtypje të mirë me mendimet e shfaqura për problemet e debatuara nga delegatët.
Kësisoj, zgjedhja dhe ngritja e shpejt në karrierë erdhi jo vetëm nga mbështetja e Miladinit, që s`mund të mohohet dhe nuk ishte pa rëndësi, por kishte dhe vetë aftësitë e duhura.
***
Sot sillen “fakte” pa doganë, të sajuara nga ata që dhe vetë s`i besojnë, kryesisht nga radhët e kundërshtarëve, në konflikt interesi, nisur dhe nga ndodhitë që kanë përjetuar, duke rënduar apo shkatërruar jetët e tyre dhe në këtë aspekt përpiqem t`i mirëkuptojë, sidomos për fundin që iu rezervua, pa marrë parasysh kontributet në lufte e në periudhën pas saj.
Lum ai që edhe në rrethana te tilla e ruajti dinjitetin dhe nuk ra në pozita që s’u shkonin e s’u takonin. Praktika të tilla ishin dukuri e kohës, e shfaqur në jetën e partive komuniste dhe në vendet e tjera,që u solli jo pak drama familjare e shoqërore. Tek ne, pas përmbysjes së sistemit u trashëgua e u përdor nga Partia Demokratike, për ta çuar në derexhenë që ndodhet sot. Ndërkohë, Partia Socialiste, e krijuar me “brumin” e saj, pati gjithë kurajon e predispozicionin që të kapërcejë këtë trashëgimi dhe të distancohej që në fillim, në kongresin themelues, meritë e ekipit që u zgjodh ta udheheqë, që përbëhej nga figura me kulturë e kurajo qytetare, si D.Agolli, F.Nano, S.Pëllumbi, N.Dokle, S. Brokaj, M.Zeqo e të tjerë.
***
Para ca kohe, në një 5 maji, si sot, gazeta DITA që e njeh mire krijimtarinë e tri figurave të mësipërme kombëtare, me të cilët u ndërtua kjo ekspoze, nxori nga arkivi një nga krijimet më të vyera të Dritëro Agollit për dëshmoret, poezinë hymn “Malli për heronjtë”.
Ç’e kishte shtyrë vallë poetin që të krijojë njërën nga perlat e tij, me një tingëllim të fortë kritik e aktual? I mërzitur mesa duket nga mungesa vëmendjes, jo të popullit, por te disa politikanëve e biznesmenëve, që pasuria u ka errësuar pamjen, duke i bërë të pa ndjeshëm ndaj fenomeneve të jetës,për rrjedhoje dhe ndaj të rënëve, siç e dëshironte poeti dhe e meritonin ata, stigmatizon e fshikullon këtë dukuri, duke i etiketuar bartësit si pehlivanët e kohës, që dhe kur shkojnë tek varrezat, sipas një shprehjeje që përdoret për humor në Shkodër,”për t`u gjetë Kola në pune, pa punue”, thjesht për t`u dukur e për t`i parë kallaballëku, pa ndonjë ndjesi a dëshirë, pa e ndjerë si obligim qytetar e atdhetar.
Shkonte dhe Dritëroi i madh, tek shtëpia më e famshme në vend, ku prehen të rënët, se e ndjente në shpirt nevojën që të çmallej e bisedonte me ta. Pasi bënte ritin e zakonshëm, nuk largohej pa takuar dhe familjarët, sidomos nënat heroina, që rriten heronj për Shqipërinë.
Çmalleshin e lumturoheshin, me lot ne sy, tek dëgjonin Dritëroin që u thoshte se djemtë e vajzat që ju rritët nuk i kemi harruar për asnjë çast, se me ta krenohemi e ripërtërihemi, pasi në damarët tanë rrjedh gjaku i tyre, për të na kujtuar e për të mos e harruar amanetin që na lanë, që ta duam e ta ruajmë si sytë e ballit Shqipërinë. Në këtë atmosferë epike, si në legjndat e kohëve, nënat shamizeza e përqafonin dhe nuk e lëshonin Dritëroin, se u dukej se po çmalleshin me djemtë e vajzat e tyre, të rënë për lirinë e atdheut. Momente rrëqethëse, por dhe epike. Këtu qëndron mrekullia shqiptare, që pehlivanët që stigmatizon Dritëroi, e kanë të vështirë ta kuptojnë.
Skenat me hipokrizi, të atyre që vinin në varreza sa për t’u dukur para qeveritarëve e qytetarëve,e rëndonin emocionalisht poetin. Dhe atëherë shpërthente me gjithë dufin e shpirtit “rebel”
Po e sjell të plotë këtë poezi perlë të Dritëroit:
Malli për heronjtë
S’ka heronj, heronjtë i përzumë,
me lavdi përditë i nanuritëm,
dhe me lajka dalëngadalë i vumë,
një nga një në prehje dhe në gjumë.
S’ka heronj, heronjtë u mërzitën,
prisnin ëndrrat, ëndrrat u vonuan,
duke pritur heshtën e dremitën,
dhe ne nina-nana u kënduam.
Ç’digjeni nga malli për heronjtë?
Kushedi kur kthehen nga kjo anë.
Ç’i kërkoni? Pritja është e kotë,
S’ka heronj, tani ka pehlivanë.