Shqipëria mbetet një nga vendet me numrin më të lartë të ankesave në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ). Çështjet kryesore janë ato të pronësisë dhe zvarritjet e proceseve gjyqësore.
Në këtë kuadër, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, u prit sot në një takim zyrtar nga Kryetari i GJEDNJ, Mattias Guyomar.
“Takimi thekson partneritetin mes dy institucioneve, në mënyrë që Avokati i Popullit të mos jetë më thjesht një vëzhgues, por një filtër aktiv që kërkon zgjidhjen e këtyre dosjeve brenda kufijve të Shqipërisë, sipas standardeve të Strasburgut”, thuhet në një njoftim zyrtar të Avokatit të Popullit.
Sipas të dhënave, 1/5 e ankesave (17%) që mbërrijnë në GJEDNJ nga Shqipëria lidhet drejtpërdrejt me pronën. 63% e ankesave vijnë nga mungesa e një procesi të rregullt ligjor, ku qytetari humbet në labirintet e gjykatave shqiptare për dekada me radhë.
Ndërkohë janë 238 çështje ndaj shtetit shqiptar në pritje për t’u gjykuar në GJEDNJ, teksa detyrimet e shtetit shqiptar për zbatimin e vendimeve të kësaj gjykate në 10-vjeçarin e fundit, llogariten rreth 40 milionë euro.
“Është e papranueshme që pas tre dekadash, qytetarët shqiptarë ende duhet të kalojnë detin për të gjetur drejtësinë për pronën e tyre. Zotimi im është që institucioni ynë të jetë mbrojtësi i parë i të drejtës së pronës. Ne do të ushtrojmë presion mbi administratën vendase që vendimet e Strasburgut të mos mbeten thjesht letra, por të kthehen në të drejta të realizuara për çdo familje shqiptare”, tha gjatë takimit Shabani.










