Presidenti i Republikës, Bujar Nishani vlerësoi me anë të një ceremonie të veçantë të mbajtur në mjediset e hapura të Presidences, Fondacionin bamirës “Fundjavë Ndryshe” me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile”: “Në shenjë vlerësimi ndaj veprimtarisë dhe kontributit të vyer dhënë nga fondacioni ‘Fundjavë Ndryshe’. Në një periudhë të shkurtër, me punë të palodhur, i ka dhënë shpresë e ndihmë konkrete shumë familjeve në nevojë ekstreme, duke vendosur ura lidhëse njerëzore mes tyre dhe bamirësve të ndryshëm”.
Në fjalën e mbajtur në praninë e drejtuesve dhe anëtarëve të bordit themelues të Fondacionit, aktivistëve të përkushtuar vullnetarë, kryesisht të rinj e të reja, të diplomatëve dhe krerëve e klerikëve të bashkësive të ndryshme fetare, pedagogëve dhe artistëve të ftuar, Presidenti Nishani tha se ky Fondacion ka lënë gjurmë në një kohë kaq të shkurtër duke gdhendur kudo vepra mirësie e ngrohtësie, vepra këto, që kanë sjellë ndryshimin e kursit të jetës për shumë familje në nevojë, të cilat ndoshta nuk janë sonte këtu mes nesh, por kanë përfituar në çastet më kritike e të vështira të jetës së tyre.
Kreu i Shtetit vlerësoi në mënyrë të veçantë aspektin e madh njerëzor dhe humanitar të Fondacionit, të cilit në emër të shtetit shqiptar duhet: “t’i shprehim falënderimet dhe mirënjohjen, sepse ai karakterizohet dhe shoqërohet nga një kurajë dhe iniciativë, ndoshta e paidentifikuar dhe e pagjetur dhe e paofruar më përpara në Shqipëri.
“Idetë dhe nismat tuaja sollën jo thjesht një ‘Fundjavë Ndryshe’, por edhe sjelljen e komunitetit ndryshe nga ç’e mendonim, që e perceptonim apo që e kishim parë në raport jo vetëm me ndërgjegjen njerëzore, jo vetëm me përgjegjësinë individuale, por edhe me përgjegjshmërinë e një shoqërie të civilizuar, të emacipuar, me ambicie pozitive, dhe me objektiva të qartë që buronin tek e vërteta. Dhe sa më e madhe, më e fortë e transparente të jetë e vërteta nga e cila buron ky lloj frymëzimi, aq më e sigurtë është vendmbërritja dhe aq më i suksesshëm do të bëhet edhe rrugëtimi drejt kësaj vendmbërritje. Ndaj në emër të Institucionit të Presidentit të Republikës, por jam i bindur edhe në emër e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dëshiroj t’ju falënderoj sonte për këtë hap të madh që keni ndërmarrë në kulturën shoqërore, por edhe në disa parime. Së pari në lidhje me humanizmin.” – u shpreh Kreu i Shtetit duke renditur se krahas egos, qëllimeve dhe rrugëtimeve individuale, “asnjë prej tyre nuk mund të shihet si e realizuar apo e jetësuar apo e njehsuar, jashtë kontekstit dhe angazhimit dhe jashtë realitetit shoqëror.”