Analisti Mentor Nazarko ka theksuar se prania e NATO-s në Kosovë ka qenë dhe mbetet një faktor i pazëvendësueshëm për stabilitetin e vendit, duke parandaluar një mundësi për një sulm të mundshëm nga Serbia. Në një intervistë për RTSH 24 duke folur për 26-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbi, Nazarko tha se në atë kohë Rusia ka pasur një rol të rëndësishëm në vendimmarrjen pro Kosovë. Nazarko kujtoi se, para bombardimit, Rusia ka dhënë mbështetje për aksionet e NATO-s ndaj Serbisë.
“Prania e rolit të NATO-s në Kosovë është i pazëvendësueshme, pasi Serbia do të matej para se të mendonte sërish sulmin ndaj Kosovës. Megjithatë kjo prani është e garantuar nga ky konsensus politik i shteteve anëtare. Kosova gjendet e vendosur mbi shpatullat e NATO-s dhe jo në pak raste në këtë qeveri nuk është matur në veprimet e veta që të përfshihej në një konflikt ku do të përfshihej edhe NATO, pa u kujdesur që në veprimet e veta t’i koordinojë me NATO që ka këtë mision në Kosovë. Nëse një konflikt i tillë do të ndodhte sot, nuk jemi të sigurt nëse NATO do të vepronte në të njëjtën mënyrë. Perëndimi i asaj kohe ishte në mirëkuptim të plotë me Rusinë dhe kjo nuk mund të neglizhohet.
Kosova sot në përplasjet që ka pasur me Perëndimin kemi asistuar në rritje të ndjeshmërisë anti-perëndimore dhe kjo është e pafalshme dhe anti-amerikane. Roli i Rusisë në atë kohë ka qenë pjesë e çdo vendimmarrje pro Kosovës. Para se të ndodhte bombardimi, diplomacia amerikane u investua të merre një OK rus përmes një vote në Këshillin e Sigurimit. Rusia nuk votoi brenda Këshillit të Sigurimit, por votoi rezoluta të tjera që dënonin Serbinë. Rusët e kanë autorizuar bombardimin e NATO-s. Rusët ishin pjesë edhe të propozimi në 2006 në Londër për statusin e Kosovës dhe në një rezolutë të firmosur nga Lavrov janë firmosur 4 parimet, jo ndarje, jo bashkim me një vend tjetër dhe respektim i vullnetit të popullit të Kosovës. Rusia e saj kohe e miratoi shkëputjen e Kosovës nga Serbia”, tha Nazarko.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Nazarko sugjeron një qasje të re dhe të fokusuar, duke propozuar rikthimin e administratës Trump për të vazhduar negociatat.
“Nevojitet një qasje e re për adresimin e dialogut me Serbinë. Unë besoj se duhet bërë thirrje administratës Trump që të rikthet atje ku e la në shtator 2020 duke e vazhduar negocimin e saj mbështetur mbi atë tekst marrëveshje që u firmos atë kohë në Shtëpinë e Bardhë. Atje ka një nen që thuhet se ka një moratorium që palët duhet të takohen pas një viti dhe kanë kaluar 4 vite dhe është koha që ato të rikthen sërish në dialog”, tha ai.
Nazarko ndau edhe përvojën e tij si këshilltar i presidentit Rexhep Mejdani gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, kur ai luajti një rol të rëndësishëm në koordinimin me faktorët ndërkombëtarë për të siguruar kthimin e shqiptarëve të larguar nga forcat serbe në Kosovë.
“Në atë kohë kam qenë këshilltarë i presidentit Rexhep Mejdani dhe kishim një rol të rëndësishëm në koordinimin me faktorin ndërkombëtar që ky operacion, i paprecedentë në historinë marrëdhënieve ndërkombëtare, të kishte sukses, që shqiptarët e larguar me dhunë nga forcat serbe të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Kosovë. E përjetova këtë ngjarje të paprecedentë të historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare. E paprecedentë është se u vendos nga NATO të sulmohej një shtet për gjenocidit ndaj popullsisë së Kosovës dhe nuk kishte ndodhur më parë. Perëndimi nuk ishte shumë i qartë në favor të Kosovës, por presidenti Mejdani arriti të bënte të pranueshme që Kosova të kthej në gjirin e Federatë Jugosllavë në atë kohë. Gjithashtu ai kundërshtoi tezën e ndarjes së Kosovës, që po qarkullonte brenda kancelarive ndërkombëtare. Vendimet në NATO merren në nivel politik dhe disa qeveri të vendeve anëtare ishin në krizë për shkak të protestave në atë kohë dhe Mejdani ka thënë disa herë në takimet e nivelit të lartë që Shqipëria nuk do ta pranonte kurrë një gjë të tillë”, u shpreh analisti.