• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, September 10, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Bota

25 vjet pas ’11 shtatorit’: A fituan në fund terroristët?

by A. Q
10/09/2026 14:30
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Qëllimi i terrorizmit nuk është të shkaktojë vuajtje, por ta provokojë shenjestrën të bëjë diçka që e lëndon edhe më shumë. Përgjatë një çerek shekulli që nga sulmet e 11 shtatorit, SHBA-të kanë bërë pikërisht këtë, duke e lënë botën dhe veten në një pozitë më të keqe.

Nga Timothy Snyder, Project Syndicate

Në 11 shtator 2001, ndërsa jepja kursin e tretë si Profesor i Historisë së Europës Lindore në Yale, e dija se ku duhej të përqendrohej lënda: tek provokimi.

Shërbimi sekret perandorak rus dhe më pas ai sovjetik e kishin përsosur artin e bindjes së kundërshtarit që të bënte atë që ata donin, duke i shtyrë të mendonin se ishte në të mirë të tyre. Kur diçka e tmerrshme ndodh, siç ngjau më 11 shtator, vuajtja, ndonëse pa dyshim e dëshiruar nga ata që e shkaktuan, nuk është thelbi i vërtetë i aktit.

Thelbi është ta vendosë tjetrin në një gjendje mendore ku ai detyrohet të bëjë diçka që e lëndon akoma më shumë.

Historia është plot me akte terrori. Pyetja e vërtetë, iu thashë studentëve atë ditë, është se çfarë bëjmë pas këtyre akteve? Është e pamundur të parandalosh çdo gjë të tmerrshme, por liria jote nis me mënyrën si reagon.

Fatkeqësisht, ne amerikanët reaguam pikërisht ashtu siç teorristët do të kishin dashur; në fakt, me gjasë i tejkaluam pritshmëritë e tyre, duke e bërë botën shumë më të keqe per veten dhe për këdo tjetër.

Përgjigja e duhur ndaj “11 shtatorit” do duhej të kishte qenë çlirimi ynë nga karburantet fosile. Pa varësinë tonë nga nafta, nuk do të ishim përfshirë kurrë në Lindjen e Mesme si fillim. Nëse do të kishim krijuar burime të energjisë së pastër, mund të kishim shmangur ngrohjen globale, të parandalonim të tjera luftëra në Lindjen e Mesme dhe të parandalonim fuqizimin e oligarkisë së hidrokarbureve të Presidentit rus Vladimir Putin.

Por, nuk qe e shkruar të ndodhte kështu. Presidenti George W. Bush, pinjolli i papërgjegjshëm i një familjeje të lidhur me industrinë e naftës, nuk kishte kurrfarë interesi të intensifikonte kërkimet për të energji të sigurtë. Terroristët na sulmuan, deklaroi ai, sepse “nuk i durojnë dot lirinë tona.” Megjithatë, vetë qeveria jonë asokohe nisi të na e kufizonte lirinë. Departamenti i Sigurisë së Atdheut vendosi një sërë agjensish, përfshi manaxhimin e kufirit, nën një autoritet të vetëm, duke i trajtuar të gjitha si çështje të sigurisë. Kjo hodhi themelet për një politikë të brendshme që i ndan njerëzit në Amerikë në “të ligjshëm” dhe “të paligjshëm,” ne dhe ata, dhe ndërton kampe përqëndrimi.

Vetë nocioni i “atdheut,” që mbart jehonën e admirimit që Nazistët kishin me ‘Heimat’, është edhe më i rrezikshëm. Asokohe kjo ishte një etiketë ekzotike për një departament qeveritar që nuk përputhej realisht me traditat institucionale amerikane. Por, nga ajo kohë termi është normalizuar në një sens praktikisht fashist. Nën administratën e Presidentit Donald Trump, rreziqet kryesore vlerësohen të jenë ato të brendshme, që vijnë nga njerëz cilët nuk kanë një ndjenjë të vërtetë përkatësie. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i trajton forcat e armatosura si një fushë betejash kulturore: burrat kundër grave, të bardhët kundër njerëzve me ngjyrë. Detyra e ardhshme e trupave është “mbrojtja e atdheut.” Forcat e armatosura do të kthehen në milicinë personale të një sunduesi, për të shtypur çdo rezistencë kundër Trumpit.

Sigurisht, një nga shkaqet madhore që çuan në ngjitjen e Trumpit ishte pushtimi amerikan i Irakut në 2003-shin – një luftë e zgjedhur, që ishte reagimi më i keq i politikës së jashtme ndaj “11 shtatorit.” Lufta i la amerikanët të traumatizuar dhe të brishtë përballë një kandidati që do ta shfrytëzonte çështjen për të marrë pushtetin (vetëm për të nisur më shumë luftëra dhe për të na bërë edhe më vulnerabël ndaj terrorizmit). Do të krijonte gjithashtu një ekonomi politike të dominuar nga shpenzimet ushtarake dhe borxhi. Në vend që të adresohej pabarazia ekonomike, imobiliteti social dhe pasiguria e familjeve, ne derdhëm gjak (kryesisht të tjerëve) dhe para në shkretëtirë.

Si popull ndoqëm një skenar që edhe vetë terroristët nuk do të mund ta kishin shkruar më mirë. Edhe më keq, liderët tanë të zgjedhur u kthyen në bashkautorë të atij skenari. Administrata Bush shpiku lidhje mes Irakut dhe terroristëve të 11 shtatorit, çka rrjedhimisht bëri që amerikanët të humbnin besimin te qeveria e tyre, duke mundësuar rritjen e dikujt si Donald Trump. Dhe këto pretekste të shpikura krijuan bazën për shkeljen e parimit më themelor të ligjit ndërkombëtar: ndalimin e luftërave të paprovokuar.

Me këtë, bota e ringjalljes demokratike të pas Luftës së Ftohtë në vitet 1989-1991, mori fund. Në përgatitje për pushtimin e Irakut, amerikanët pretenduan se, ashtu siç çlirimi kishte qenë i mundur në Europën Lindore, ai mund të arrihej edhe në Lindjen e Mesme. Por situata, natyrisht, ishte krejt ndryshe; tjetër gjë është të rrëzosh një diktaturë nga brenda dhe krejt tjetër ta bësh këtë përmes një pushtimi të huaj. Dhe, ndërsa liderët postkomunistë të Europës kishin disa ide se çfarë duhej bërë pas rrëzimit të diktaturave, amerikanët në Irak nuk kishin asnjë të tillë, duke menduar se thjesht shkatërrimi i një regjimi të keq do të sillte një tjetër më të mirë.

Do të qe e gabuar të thuhej se pushtimi i Irakut nën udhëheqjen amerikane çoi në pushtimin e Ukrainës nga Rusia pas më shumë se një dekade, më 2014-ën. Por lufta amerikane padyshim që ia lehtësoi jetën Putinit, i cili arriti në përfundimin se fuqitë e mëdha mund të pushtonin vendet e tjera me ndihmën e gënjeshtrave ekstravagante.

Një nga arsyet përse paralajmërova në 2013-ën dhe në fillim të 2014-ës se Rusia mund të pushtonte Ukrainën dhe të aneksonte Krimenë, ishte propaganda surreale e medias ruse. Ashtu si propaganda amerikane e vitit 2002 dhe fillimit të 2003-shit, ajo nuk kishte kuptim. Amerikanët pretendonin se për të luftuar terrorizmin, duhej rrëzuar një regjim që, ndonëse i tmerrshëm, kishte mbajtur të nën kontroll islamizmin që ishte pas sulmeve të 11 shtatorit. Rusët e çuan nonsensin një shkallë më lartë, duke propaganduar se ukrainasit ishin të gjithë gay, nazistë dhe hebrenj. Shteti i tyre nuk ekzistonte, por njëkohësisht shtypte rusët. Pavarësisht se vetë ishte një regjim autoritarist, Rusia do ta bënte Ukrainën një vend demokratik, edhe pse ishte ndërkaq i tillë.

Jo shumë kohë pas fillimit të pushtimit, mora pjesë në një diskutim publik në Pragë. Emocionet ishin në kulmin e tyre. Dikush që mbante veshur një T-shirt me një slogan fashist rus mori mikrofonin dhe pyeti se përse Rusia duhej t’i bindej rregullave, kur amerikanët nuk e kishin bërë këtë në Irak në 2003. (Iu përgjigja se rregullat qenë rregulla: pushtimi amerikan kish qenë i jashtëligjshëm dhe dy gabime nuk bënin një të drejtë.) Pyetja ilustronte një qasje të lindur nga logjika e brendshme e një regjimi oligarkik, por gjithashtu ilustronte edhe një logjikë të mundësuar nga SHBA-të, sipas së cilës nuk ekzistonin as e vërteta, e drejta apo e gabuara dhe as rregullat.

Në fund të vitit 2021 dhe në fillim të 2022-shit, teksa Rusia përgatiste pushtimin e dytë të Ukrainës, hija e Irakut ishte po aty. Dy dekada më herët, SHBA-të kishin gënjyer për arsyen e tyre për pushtimin e Irakut. Tani, po tregonte të vërtetën rreth planeve ruse për pushtimin e Ukrainës. Përgjithësisht, SHBA-të nuk i besuan atëherë, ndonëse faktet ishin qartësisht të dukshme. Ishte më e lehtë të dyshoje tek amerikanët në 2022-shin për shkak të gënjeshtrave që kishin thënë në 2002-shin. Si rrjedhojë, të gjithë ishin më pak të përgatitur nga sa do të kishin qenë ndoshta kur lufta e erdhi me të vërtetë.

E provokuar në 2001-shin, Amerika reagoi ashtu siç donin terroristët, duke ndihmuar në krijimin e një bote ku terrorizmi është diçka kaq normale, sa që nuk dimë më se kur duhet përdorur si fjalë. Putini dhe Trumpi e përdorin për të përshkruar armiqtë e tyre, ndonëse janë vetë shtete terroriste. Vetë Trumpi e normalizoi terrorizmin duke tentuar të qëndronte në pushtet përmes forcës në janar të 2021-shit. Ndërsa lufta kriminale e Putinit në Ukrainë përfshin përdhunime masive, rrëmbim të fëmijëve dhe ekzekutimin e aktivistëve në territoret e pushtuara. Por ajo që është dukshëm më terroriste janë sulmet e përditshme me dronë e raketa që godasin civilët ukrainas.

Po e shkruaj këtë artikull nga një strehë nëntokësore në Kharkiv, ku sirenat kundërajrore po bien për herë të tretë këtë mbrëmje. Ukrainasit arrijnë të rrëzojnë shumicën e dronëve, por raketat thjesht bien, plasin dhe vrasin, sepse amerikanët refuzojnë t’iu japin raketa Patriot. Kjo reflekton pjesërisht solidaritetin që ekziston mes terroristëve: emisarët e Trumpit ishin së fundmi në Moskë ku lavdëruan “synimet” e Putinit. Është gjithashtu një efekt anësor i luftës së humbur të Trumpit kundër Iranit. SHBA-të kanë goditur në tym në Lindjen e Mesme, duke shpenzuar municione që mund të kishin shpëtuar jetë në Ukrainë. Lufta e Trumpit në Iran legjitimon luftën e Putinit në Ukrainë.

E megjithatë, lufta e Trumpit mbetet jashtëzakonisht jopopullore dhe dukshëm e humbur. Ai po e vazhdon, edhe teksa zgjedhjet e mesmandatit afrohen në SHBA, ndoshta sepse shpreson që regjimi iranian do i bëjë një favor duke goditur brenda territorit të SHBA-ve. Atëherë ai mund të përpiqet të pezullojë zgjedhjet ose të dërgojë më shumë trupa amerikane në më tepër qytete amerikane dhe të qëndrojë në pushtet për një kohë të papërcaktuar.

Kjo është një mënyrë si të duash që terroristët të fitojnë: nis një luftë të madhe në Lindjen e Mesme, shpenzo gjithë mbrojtjen tënde dhe shpreso për më të keqen. Irani mund ta gëlltisë karremin duke ndërmarrë një akt vrasës, ose Trumpi thjesht mund të pretendojë që kjo ka ndodhur. Nisur nga gjithë provokimet, gënjeshtrat dhe terrorin që nga 11 shtatori, do të ishte budallallëk që ky skenar të mos merrej seriozisht. Dhe nëse realizohet, përgjigja do të jetë njësoj si në 2001-shin: liria jote fillon me reagimin tënd. Mbi të gjitha, mos bëj atë çfarë terroristët duan që ti të bësh.

Nga ku po shkruaj, në orët e para të mëngjesit, më kujtohen ukrainasit që pashë dje në mbrëmje teksa takoheshin nën tokë për një event publik, të buzëqeshur, duke pirë verë dhe duke biseduar për gjëra të ndryshme, pa bërë atë që duan terroristët, pa u dorëzuar dhe duke menduar vetë për të ardhmen e tyre. Kjo është ajo çfarë amerikanët duhet të bëjnë sot, në këtë përvjetor të tmerrshëm.

Mos u provokoni; mos hyni në botën psikologjike të terroristit; mendoni për veten tuaj. Vetëm atëherë mund të shpresojmë se do ta bëjmë këtë çerek shekulli të ardhshëm më të mirë se ai që po lëmë pas.

Next Post
Bardhi takohet me VanHorn në Kryesinë e Kuvendit: SHBA aleat i çmuar dhe strategjik i Shqipërisë!

Bardhi takohet me VanHorn në Kryesinë e Kuvendit: SHBA aleat i çmuar dhe strategjik i Shqipërisë!

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Vrau shqiptarin në servis dhe e dogji brenda makinës, merr kthesë krimi makabër në Itali! Gjykata drejt përgjysmimit të dënimit ndaj autorit

Vrau shqiptarin në servis dhe e dogji brenda makinës, merr kthesë krimi makabër në Itali! Gjykata drejt përgjysmimit të dënimit ndaj autorit

September 10, 2026
Tjetër skandal me prodhimet shqiptare, Kroacia gropos 14,7 tonë me speca të kuq, u importuan nga fermerët fierakë!

Tjetër skandal me prodhimet shqiptare, Kroacia gropos 14,7 tonë me speca të kuq, u importuan nga fermerët fierakë!

September 10, 2026
Ishin kthyer në tmerrin e vjedhjes së makinave në Vlorë dhe Orikum, arrestohen 2 autorët e dyshuar!

Ishin kthyer në tmerrin e vjedhjes së makinave në Vlorë dhe Orikum, arrestohen 2 autorët e dyshuar!

September 10, 2026
Luftë me flakët në Dibër, Dajt, Vlorë e Librazhd, Ministria e Mbrojtjes: Situata drejt normalizimit, vetëm 5 vatra aktive! S’ka rrezik për banesat

Luftë me zjarret në tre qarqe, mbi 400 forca në terren! Ministria e Mbrojtjes: Sot 19 vatra, 10 mbeten ende aktive, s’ka rrezik për banesat!

September 10, 2026
“Historia më e padëgjuar në BE”- Rama i ashpër me ‘prerjen e kokës’ së Veliajt: Eksperimenti më i rëndë social dhe i dështuar, me dëme kolosale te rindërtimi!

“Historia më e padëgjuar në BE”- Rama i ashpër me ‘prerjen e kokës’ së Veliajt: Eksperimenti më i rëndë social dhe i dështuar, me dëme kolosale te rindërtimi!

September 10, 2026
Mehmet Gega, modeli i qëndresës, unitetit dhe përgjegjësisë kombëtare

Mehmet Gega, modeli i qëndresës, unitetit dhe përgjegjësisë kombëtare

September 10, 2026
VIDEO/ Messi vazhdon të shkëlqejë në SHBA, takimi special me Levandovskin, në fund ndahen në ‘paqe’!

VIDEO/ Messi vazhdon të shkëlqejë në SHBA, takimi special me Levandovskin, në fund ndahen në ‘paqe’!

September 10, 2026
Guvernatori Sejko takohet me drejtorin e BERZH, në fokus kreditimi, bizneset e vogla dhe integrimi në BE!

Guvernatori Sejko takohet me drejtorin e BERZH, në fokus kreditimi, bizneset e vogla dhe integrimi në BE!

September 10, 2026
“S’është vetëm problem shqiptar!”- Rama prezanton 6 pikat e Programit Kombëtar të Strehimit: Banesa sociale edhe nga konfiskimet, mbështetje familjeve të reja

“S’është vetëm problem shqiptar!”- Rama prezanton 6 pikat e Programit Kombëtar të Strehimit: Banesa sociale edhe nga konfiskimet, mbështetje familjeve të reja

September 10, 2026
Bardhi takohet me VanHorn në Kryesinë e Kuvendit: SHBA aleat i çmuar dhe strategjik i Shqipërisë!

Bardhi takohet me VanHorn në Kryesinë e Kuvendit: SHBA aleat i çmuar dhe strategjik i Shqipërisë!

September 10, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com