Nga Jakin Marena
Më 24 shkurt makina ushtarake e Vladimir Putin nisi sulmin ndaj Ukrainës fqinje, me qëllimin e një fitoreje ‘rrufe’ maksimumi prej 48 orësh për të pushtuar Kievin, rrëzuar qeverinë legjitime të këtij vendi dhe emëruar një qeveri kukull pro Rusisë.
Preteksti ishte gjetur, ishte përpunuar me shpejtësi, teksa Putin firmosi njohjen e dy krahinave rebele në jug të Ukrainës, duke i dhënë më pas jetë urdhërit për pushtimin e tërë Ukrainës, nën justifikimin se ky vend qeveriset nga grupe nacionaliste.
Teksa separatistët shpallën të ashtuquajturat administrata në rajonet Donetsk dhe Luhansk, ku jeton kryesisht popullatë me origjinë ruse dhe Rusia njohu administratat separatiste në Donbas, më 24 shkurt filloi një operacion ushtarak në territorin e Ukrainës.
Presidenti rus, Vladimir Putin i bëri thirrje ushtrisë së Ukrainës të dorëzojë armët duke mbrojtur idenë e tij se qëllimet e tyre janë për të “të mbrojnë njerëzit që përballen me gjenocid nga Kievi dhe të pastrojnë Ukrainën nga nazizmi dhe militarizmi”. Quan nazist një president hebre?!
Duke përllogaritur se President i vendit ishte Volodymyr Zelensky, i shkolluar në jurisprudencë por që nuk e kishte ushtruar asnjëherë këtë profesion, pasi brenda tij kishte “ngritur” krye pasioni për aktrimin çka solli dhe ngjitjen e tij në rang-listën e komedianëve më të mirë të vendit, Putin e mendoi të lehtë fitoren mbi fqinjin e tij më të vogël.
E përmes kësaj fitoreje “rrufe” kishte lolgaritur t’ju dërgonte një mesazh shumë të fortë SHBA, vendeve anëtare të BE e anëtarëve të NATO-s, por dhe gjithë botës, se kishte ardhur koha për një rend të ri botëror, ku Rusia të njihej realisht si superfuqi në botë dhe të fillonin ndarjet e zonave të influencës, si në kohën e luftës së Ftohtë kur Bashkimi Sovjetik ishte në kulmin e fuqisë.
Por me sa duket llogaritë i kishte bërë gabim. Presidenti ukrainas Zelensky nuk pranoi asnjë nga kushtet e Putinit, madje s’pranoi as të lëvizë një hap nga Kievi, duke u vënë në krye të Forcave të Armatosura, dhe duke ushtruar të gjitha kompetencat e Komandatit të Përgjithshëm të Ushtrisë, sipas përcaktimit kushtetues në Ukrainë.
Madje refuzoi dhe thirrjen e presidentit amerikan Joe Biden, për krijimin e një mundësie evakuimi jashtë vendit bashkë me familjen, pasi për kokën e Zelenskyt, Putin kishte vënë një çmim të majmë për cilindo ushtarak që arrin ta fusë në dorë, bashkë dhe me anëtarët e tjerë të qeverisjes legjitime ukrainase.
Pra jo vetëm që nuk u arratis sikurse ndodh rëndom në raste të tillë, kur një vend i vogël gjendet përballë intervenimit dhe agresionit të një vendi më të madh, në rastin konkret bëhet fjalë për një superfuqi si Rusia, por qëndroi fort. Në Shqipëri Ahmet Zogu, u arratis ditën e pushtimit italian, madje ishte dhe me “ngarkesë” të plotë pasurie të vjedhur nga arka e shtetit shqiptar!
Ndërsa Zelensky arriti që të mobilizojë trupat ushtarake , territoriale e vullnetare ukrainase dhe për pesë ditë me radhë i zmbrapsi të gjitha sulmet e armatave ruse, që hynin nga territori i saj por dhe nga aleati tashmë i konfirmuar zyrtarisht në këtë luftë të “paprovokuar” nga Ukraina, siç është dhe Bjellorusia e Llukashenkos.
Ditë pas dite presidenti Zelinsky u bë frymëzim për të gjithë qytatarët ukrainas, të cilët u vunë në barrikadë të gjithë bashkë, ushtarakë, forca territoriale, grupe vullnetare, madje dhe gra e fëmijë si dhe emigrantë të ardhur nga vendet e tjera për të mbrojtur atdheun e tyre.
Një kombinim i saktë i Zelinskyt i diplomacisë, është në kontakt dhe ka marrë mbështetjen e të gjithë liderëve botërorë, duke arritur që të imponojë sanksione të forta ndaj Rusisë, deri në bllokimin e bankave, teknologjisë, madje dhe të ngushticës së Detit të Zi nga Turqia për flotën ruse, por dhe me rolin përbashkues të një kombi si simbol i unitetit të tij.
Në mënyrë të papritur presidenti ukrainas Zelevsky u bë njeriu më i preferuar i politikanëve botërorë, mediave botërore dhe të mbarë kombeve që aspirojnë për liri dhe demokraci.
Deri në vitin 2019 ishte një komedian mjaft i suksesshëm që si për ironi të fatit lozte dhe rolin e një mësuesi të thjeshtë që papritur kandidon dhe zgjidhet president i vendit, si një reagim popullor kundër establishmentit politik. Kështu ndodhi dhe me Zelevskyn në jetën reale, teksa nga komedian u bë kryetar shteti, duke fituar mbi 37 përqind të votave në zgjedhje, pa qënë përfaqësues i asnjë partie politike.
Presidenca ukrainase priti një komedian i cili bëri betimin, ndërkohë që tashmë ka në krye një president 24 karatësh me të gjitha cilësitë më të mira të një kreu shteti dhe për më tepër që shihet si hero nga qytetarët e vet por dhe nga mbarë bota.
Madje nuk është e tepërt të thuhet se është një ndër udhëheqësit më të mëdhenj të shekullit të 21-të në botë, një përcaktim ky i krerëve të lartë të shumë shteteve, i cili tashmë shihet si hero që po përpiqet me të gjitha mënyrat sa në frontin përballë rusëve në llogore i veshur ushtarak sa në zyrën e tij presidenciale duke kërkuar mbështetje nga SHBA dhe vendet e BE, për armë, municione, ilaçe dhe gjithçka duhet për të përballuar një agresor. Madje “zgjoi” dhe Europën për ta mbështetur atë ushtarakisht, duke detyruar dhe Gjermaninë që pas dekadave të tëra të shesë armë vdekjeprurëse jashtë vendit për luftë.
Ne shqiptarët e kemi përcjellë me mjaft entuziasëm këtë shndërrim të presidentit ukrainas Zelensky, nga komedian në një hero për popullin e vet por dhe një burim frymëzimi për të gjitha kombet e vogla që aspirojnë lirinë e demokracinë në vendet respektive. Një herë të jepet shansi të jesh në lartësinë e detyrës si kryetar shtetit, dhe atëherë tregohet formati i një burri shteti.
Por teksa shohim me entuziasëm madhështinë gjithnjë e në rritje të një komediani ukrainas President që u shndërrua më 24 shkurt në një burrë shteti, jo pa dhimbje shohim veten tonë dhe standardin e ulët ku është katandisur Presidenca shqiptare që në momentin kur në zyrën e saj ka hyrë Ilir Meta.
Nuk mund të themi se Ilir Meta ka qënë një politikan i dobët, që kishte vegjetuar në politikën shqiptare, pasi për pak vite ia doli që të shuante dypolarizimin politik në vend, duke u kthyer në një “king maker” për çdo qeveri të re shqiptare, herë me Berishën e herë me Ramën. Përjashtuar dy zgjedhjet e fundit, kur njëherë ishte Basha jashtë loje tërësisht, pastaj bashkë me liderin e PD ishte dhe kryetarja e deleguar e LSI, Monika Kryemadhi, bashkëshorte e Ilir Metës.
Me hyrjen në Presidencë të Metës ndodhi vërtetë një shndërrim, por në ndryshim nga rasti i Zelenskyt, kur një komedian u transformua në një burrë shteti duke filluar nga dita e parë e pushtimit rus më 24 shkurt, presidenti ynë u kthye nga një politikan i fortë në një klloun, që nuk kishte asnjë lidhje me njeriun që simbolizonte unitetin e kombit dhe qëndrimit mbi palët.
Eshtë humbje kohe të përmendim faktin se Ilir Meta ende pa hyrë në Presidencë, në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017 që nga Lezha kërcënoi se do t’i bëjë thirrje popullit që të udhëhequr nga trupa presidencioale e private e tij, të ekzekutonte çdo person që prekte votën.
Apo maskaradën e zhdekretimit të 30 qershorit të zgjedhjeve vendore dhe dekretimin e tyre më 13 tetor 2019, që solli dhe acarimin e politikës dhe e ndau Shqipërinë në dy pjesë dhe vetëm falë ndërhyrjes së partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, u shmang një përplasje civile me pasoja të paparashikuara për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Apo zbritjen në fushatë të Metës gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021, ku bëri thirrje në drejtim të popullit që të armatoset me sopata e kosore për t’i rënë qeverisë, me justifikimin se po tenton të blejë zgjedhjet. Pa përmendur këtu dhe sulmet ndaj SHBA teksa kërcënoi se “amerikanët do t’i kapë për veshi”, apo se “SHBA kërkon ta vrasë në Malin me Gropa me raketa, por raketa kishte dhe Rusia”. Apo tubimin e 2 marsit, për të rrëzuar qeverinë, datë të cilën e përdor rëndom Meta, teksa sa herë gjendet në hall deklaron se do t’i bëjë thirrje popullit të “2 marsit” për të vënë gjërat në vend.
Ndonëse askush nuk e di realisht se kush është populli i 2 marsit, madje dhe vetë Ilir Meta që e artikulon vend e pa vend këtë datë nuk e di sa popull ka realisht me vete nga “2 marsi”, ia vlen ta krahasojmë me thirrjen e presidentit ukrainas Zelensky më 24 shkurt të këtij viti ndaj popullit të vet, për ta mobilizuar dhe përballuar agresionin rus, për të parë diferencën mes dy presidentëve.
Fatkeqësisht presidenti ynë, në kohë lufte sipas Kushtetutës e kemi Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, me sjelljen e tij, me staturën e tij të ulët si kryetar shteti, na bën jo vetëm për të qeshur me veprimet që kryen, herë duke dalë në foto me një mace, herë me një qen, herë me një gomar, herë duke kënduar me gotë rakie në dorë e herë në gjendje aspak normale, por na bën dhe për të qarë, me shkallën e ulët ku është katandisur Presidenca jonë. E cila priti në betim një politikan të fortë dhe po përcjell më 24 korrik të këtij viti kur i skadon afati, një klloun.
Kjo evidentohet akoma më shumë kur e krahason me presidentin ukrainas, i cili nga komedian u bë një burrë shteti dhe një nga udhëheqësit më të mëdhenj botërore, që po frymëzon popullin ukrainas, dhe jo popullin e ‘2 marsit’ si Presidenti ynë.
Ndaj është urgjencë nga ana e politikës shqiptare, mazhorancë dhe opozitë, të gjitha opozitat me një fjalë, që të bëjnë një përpjekje të fundit për të futur një burrë shteti në zyrën e institucionit më të lartë të shtetit, për t’i kthyer dinjitetin Presidencës dhe Presidentit si simbol i unitetit të kombit. Njerëz kemi, duhet dhe pak vullnet, për të zgjedhur dhe rënë dakord.