• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, December 6, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

24 orë nga jeta e një Fatkeqi

by Edison Ypi
06/01/2025 14:53
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Edison Ypi

Në jetën e Fatkeqit koha nuk rridhte në rend kronologjik.
Ishte më se zakonshme që një ditë që niste, ta zemë, muajin e ardhshëm, të vazhdonte pardje, dhe të përfundonte pasnesër.

Lidhja e jetës së Fatkeqit me Matematikën dhe Numerologjinë ishte diçka që sot e kësaj dite vet Fatkeqi dhe të tjerë nuk e kuptuan kurrë. Nga ky kënd, 24 orët në vazhdim, janë një ilustrim.
Fatkeqi priste me durim të shihte pas mesnate në televizorin pajisur me kanoçe dhe antenë të bëra vetë me tuba bakri dhe zhivë të kuqe nga e nëndetseve të Pasha Limanit ndonjë film të zgjedhur nga Claudio G. Fava te “Cinema di Notte”.
Kur filmi mbaronte, që të mos e kapte paniku i orëve të vogla, Fatkeqi nuk e shihte sahatin. Mbulonte kokën dhe flinte.
Gjatë atyre pak orëve deri në gdhirje, strukur brenda gjumit dhe në kërthizë të ëndërrës, pra në zgëqin më të largët dhe më të qetë të kohë-hapësirës, atje ku diktatura e proletariatit me klithmat e sukseseve dhe urratë e fitoreve nuk mund të hynte, Fatkeqi lodhej e cfilitej të gjente sekretin e papërsosmërisë së botës përmes njohjes së thellë të numurit irrcional Pi.

Fatkeqi flinte dhe ëndërronte pa merakun e zgjimit vonë për në punë. Fatkeqit s’i lypsej orë me zile, ku-ku muri, këngë gjeli, lehje qeni, kuisje maçoku, çfryrje zagari, shkrofëtimë kali, muuu lope, pëllitje gomari. Sapo niste zhbirilimin e Pi-së duke pyetur veten nëse Universi është newtonian apo ajnshtajnian, gjeometria është euklidiane apo llobaçevskiane, një sqepar pas koke i çante kafkën. Fatkeqi ndalte hulumtimin, zgjohej, hidhte sytë rrotull, vinte në vete. Në respekt të zbatimit me përpikmëri të ritit të përditshëm trashëguar brez pas brezi nga gjyshërit në shekuj, komshiu çante dru për sobën mbi dysheme që pa gdhirë. Lamtumirë jetë evolucionare darviniane. Nga ai moment, pretendimi për ekzistencë sadopak të arsyeshme, bëhej pluhur e hi.

Megjithatë menderjeta vazhdonte.
Nëse ndodhte që, për ndonjë arësye, zgjimin me sqepar kokës, Fatkeqit nuk ja bënte ai lart, me qysqi, çekan a sharrë ja kryente me përpikmëri komshiu poshtë, ai majtas, tjetri djathtas, dikush para a dikush pas, derisa Fatkeqi kthehej në fatnxirë, Klithma e Munchut shndrrohej në Mozart, koka kovaçhanë, jeta varr.
Kur më së fundi fusha e betejës ishte zbrazur, irracionalja Pi nuk ishte zbërthyer, drutë ishin çarë, sobat ishin ndezur, gjakrat ishin ngrohur, kurrizet ishin tharë, mëngjezi i Fatkeqit invadohej nga një tjetër tmerr edhe më i egër, edhe më i pamëshirshëm: Radioja shtetërore.

E dhunshme dhe e lodhëshme si futja e një kokërr molle brenda një kokërr arre, thirrja në ndihmë e radios për ta bërë Fatin e Fatkeqit qymyr, shkaktonte çorroditjen definitive të mardhënieve mes psikiatrisë, gravitacionit, fiziologjisë, matematikës, gjeometrisë.

Haberet me fitore imagjinare mbi armiq hiporetikë, traktora që çajnë arat, rendimente të larta, tejkalime planesh, në radio i lexonte dikush me zë derri, kancer në tru, tumor në fyt, qurra nëpër turi.
Çfarë arrinte rrëmujshëm në veshët e Fatkeqit nga dëgjimi i jehonave të radiove të komshiut, komshiut të komshiut, komshiut të komshiut të komshiut, ishte një vuajtje verbale para të cilit mallkimet e ndërsjellta të Djallit me Zotin janë komplimenta. Gjatë mishmashit të zërave që për shkak të distancave të ndryshme të radiove nga vinin, në veshët e Fatkeqit arrinin në kohë të ndryshme, qëllonte që fjalët “sukses”, “rendiment”, “rrethim”, “tufëzim”, “mjelëse”, “proletar”, “tufëz”, “rrogëz”, “traktorist”, “armik”, arrinin edhe njëkohësisht si batare kalashnikovi, ose në një rend pa rend që të kujtonte irracionalen Pi.

Krismat e sqeparëve dhe sëpatave, përplasjet e dyerve, ulurimat nëpër shkallë, me kalimin e orëve harroheshin, zallamahia shterrej.
Por fillonte tjetra. Puna, ofiçina, fabrika, zyra, kooperativa. Ku sekretari i partisë ishte më budallai, kryetari i sindikatës më paraziti, spiun i shokëve më bastardi.
Puna fillonte me…punën.

Jo-jo, puna nuk fillonte me punën. Puna fillonte me leximin e Zërit të Popullit. Dhe, po ashtu si pas diplomacisë kërrcasin topat, pas leximit të Zërit fillonte muhabeti i sportit, futbollit.
Pas mbarimit të muhabetit të sportit andej nga ora 11, puntorët u afroheshin me përtesë tornove, inxhinierët duke gromësitur teknogreafave, bujqit plugjeve, mësuesit nxënësve. Por ndërkohë kishte ardhur mesdita, pushimi, çlodhja. Klasa puntore, klasa intelektuale, bashkë me atë kooperativiste, shtronin gazetat, shtrinin picetat, hiqnin kapakët, futnin gishtat brenda kavanozave nxirrnin lëtyrarat.

Fol e mbllaçitu, kërrciste muhabeti veshmëvesh me njëritjetrin:
-Ata gjermanët kanë futboll dhe ekonomi të fortë, por atë dreq politike s’e kanë gjë.
-E more vesh atë hallon që erdhi nga Amerika, atë që ja zbathën edhe çorapet dhe e lanë cullak në mes të rrugës ? Kur e pyetën te shkallët e avionit kur do vinte përsëri, hallua u tha: Lahuni një herë, të keqen hallua lahuni. Hihiqni një herë zhulin, pastaj llafosemi mbase vij prap kur të qethen leshtë.
-Më gjej një tranzistor BFR90 për kanoçe satelitare.
-Ta gjej, por ça po të duhet, ende s’ka satelita.
-Ta kem gati kur të ketë satelita.
-Kosovarët e kan në terezi. Shtëpi po. Tokë po. Emigracion po. Makinë po. Katund me rrugë të sfaltuar po. Telefon po.
-Mos i beso rrenat që thon për Hamit Matjanin. Hamiti është dëshmori i parë i NATO-s.
-Mu ka bo gurrmazi si tub qenefi nga qelbësirat që hamë. Shëëëëëët se na more më qafë. Tu paska mërzit jeta. Të paska marrë malli për Spaçin, Burrelin.
-Veç të iki nga ky vend i mallkuar, do vete të jetoj në Groenlandë me fokat dhe arinjtë e bardhë. Kur Groenlanda të bashkohet me USA, bëhem shtetas statunitens.
-Nuk bëhet Shqipëria. Diktatura e proletariarit ka infektuar dherin. Më jep nja 1 milionë ton dinamit t’a përmbys truallin arbnor. T’i çoj në hale të gomerëve veprat e pes’ vjeçarëve, digat, kombinatet, uzinat, tunelet, repartet ushtarake, emulacionet socialiste, të tëra.

-Nuk pres dot dot sa të bëhet Shqipëria hi dhe hiri Shqipëri përsëri. Nuk jetohet në këtë truall të nëmur ku gdhihesh qen dhe ngrysesh majmun.

-Një shoku im nja 30 vjeç ka lënë pas dore femrat, ka harruar seksin, i është mërzitur jeta në këtë vend, dëshiron të jetë nja 80, mallkon mamin dhe babin që nuk e ngjizën dikund tjetër në botë, por në këtë skëterrë.

-Deshën të arratisen. I sharruan me kalaahnikov mbi telat me gjëmba. I tërhoqën zvarrë me traktor me litar nëpër disa fshatra që t’i shihnin dhe të zinin ment. Traktorist ishte kunati i njërit prej të zvarriturve.
-Një ishullar, pasi dogji Makbethin dhe hirin e futi në një epruvetë. U tha ishullarëve: Kjo kryevepër, sado tragjike, krahasuar me tmerre që po ndodhin këtu, është një pikë në oqean.
Fatkeqi dëgjonte dhe heshtëte.

Në mbarim të menderpunës, Zoti ishte bërë Djall. Djalli Zot, materia antimaterie, meriadianët dhe paralelet lëmsh, busulla çakërdisur, nxitimi gravitacional dhjetfishuar.
Pasdite muzikë dhe libra.
Botë tjetër ajo e pasdites. Newtoni krahaqafë me Ajnshtajnin. Formulat funksiononin. Gjeometria kuptohej. Trigonometria bindej. Pi çfaqej më pak irracionale.
Në mbrëmje Fatkeqi bënte ndonjë Xhiro në bulevard, ku u ngjizën kta legenat, kta hajdutat e sotëm që mbahen për politikanë, biznesmenë, burra shteti.

Kur me afrimin e muzgut, muzika dhe vargjet e poezive, bëheshin lakrimogjene, Fatkeqi qante fshehtas.
Në mesnatë, kur afrohej “Cinema di Notte”, fillonte dehja. Por me të mbaruar filmi, proporcionet, simetritë, rralloheshin. Busulla bënte naze. Gjeometria nuk bindej. Trigonometria gjithashtu. Derisa vinte horrori mëngjezor me çarje drush me sqepar mbi dysheme nga komshiu lart, radio me habere nga syçelësia e Sigurimit, kooperativat, rrethimi borgjez, dhe gjiçka niste nga e para, me shpresë se herët a vonë të paktën Aritmetika do vinte në vete, dhe 1 edhe 1 do bënin 2, çka për Fatkeqin dhe të tjerët, nuk ndodhi kurrë në këtë Atdhje.

Next Post

Nesër merret në pyetje nga SPAK, reagon Meta: Jam thirrur nga organizata kriminale që firmosi rrëmbimin tim!

Comments 1

  1. L.Xh says:
    11 months ago

    Fantazi pe të roituri, – do të theshte Vrenezi i Korçës.
    Ftohur n’tajare, – thojnë tironcit.
    Ka rr’shqit krejt, – thonë shkodrajt.
    Qënka pjerdhur nga trutë ky i vrari, – thonë lebërit.
    Pse re, shkalloka tjetri pas vitit të ri ? – thotë Cekja nga Berati.
    Yp, zdryp shkoj kjo punë.

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Presioni i SPAK ndaj GJKKO në gjyqin paraprak ndaj Veliaj krahasuar me gjyqin paraprak ndaj Berishës

December 6, 2025
Aksident i rëndë në Zall-Bastar, 4 të plagosur nga përplasja e dy makinave

Aksident i rëndë në Zall-Bastar, 4 të plagosur nga përplasja e dy makinave

December 6, 2025
“Do japin llogari!”/ Berisha sulmon demokratët që iu bashkuan “pushtetit”: Janë skllevër dhe injorantë

“Do japin llogari!”/ Berisha sulmon demokratët që iu bashkuan “pushtetit”: Janë skllevër dhe injorantë

December 6, 2025
Festat e fundvitit, ndizen dritat e Pemës në ‘Sheshin Skënderbej’

Festat e fundvitit, ndizen dritat e Pemës në ‘Sheshin Skënderbej’

December 6, 2025
I premtoi dashuri, por e prostituoi/ E reja arrin të arratiset nga tutori në Selanik dhe zbulon rrjetin kriminal në polici

I premtoi dashuri, por e prostituoi/ E reja arrin të arratiset nga tutori në Selanik dhe zbulon rrjetin kriminal në polici

December 6, 2025
Paloka mesazh Salianjit: Kur të duartroket dhe brohoret armiku, shiko një herë rrotull se…

Paloka mesazh Salianjit: Kur të duartroket dhe brohoret armiku, shiko një herë rrotull se…

December 6, 2025
Kritikat e SHBA ndaj BE-së, Kallas: Evropa ka nënvlerësuar fuqinë e saj ndaj Rusisë

Kritikat e SHBA ndaj BE-së, Kallas: Evropa ka nënvlerësuar fuqinë e saj ndaj Rusisë

December 6, 2025
“Tregohuni të zotët e vetes”, SHBA i jep afat Europës: Keni kohë deri në 2027-tën për..

Nga shtimi i ushtrisë tek “triumfi kulturor me Europën”/ Trump publikon Strategjinë e Sigurisë Kombëtare

December 6, 2025
Belgjika dhe Danimarka hapin ambasada në Tiranë, Spiropali: Vendimi në një moment kyç për Shqipërinë

Belgjika dhe Danimarka hapin ambasada në Tiranë, Spiropali: Vendimi në një moment kyç për Shqipërinë

December 6, 2025
“Postoi në instagram foto të miat dhe…”/ I riu e denoncon në polici, e pëson 27-vjeçarja në Durrës!

“Postoi në instagram foto të miat dhe…”/ I riu e denoncon në polici, e pëson 27-vjeçarja në Durrës!

December 6, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In