EKSKLUZIVE/ Afër një vit pasi kryetari i PD, Lulëzim Basha, prezantoi 24 koordinatorët e rinj të PD-së, të cilët i përkufizoi si “fuqi mendimi, ekspertize, aksioni politik e konsultimi”, duket se kjo përpjekje për të imituar “KOP”-in ka krijuar jo pak dritë hije. dështuar.
Disa prej koordinatorëve bëjnë të ditur për Javanews se në harkun kohor të një viti forumi i koordinatorëve ka zhvilluar vetëm 4 mbledhje, të cilat thuajse kanë qenë formale.
“Formalizmi si koordinatorë u vu re theksueshëm gjatë zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Nuk na u kërkua të ndërtonin një program premtimesh dhe vizioni për konkurentët për kryetar bashkish në të gjithë vendin. Të paktën edhe në linja të përgjithshme nuk na u kërkua.
Puna jonë u reduktua vetëm në organizimin e disa tryezave me karakter ekonomik, të cilat nuk arritën pritshmëritë”, shprehet për Javanews një prej koordinatorëve të PD-së.
Sipas tij, që në fillim u projektua që fushata të ishte politike, gjë që nuk solli si kërkesë të nevojshme hartimin e programeve. Për pasojë edhe roli asistues i këtyre koordinatorëve pranë kreut të PD-së Basha për çështje të ndryshme u zbeh tërësisht.
“Nuk di nëse cili do të ishte rezultati nëse do të kishim programe të paktën për bashkitë e mëdha. Fakti që nuk patëm vlerësoj se ishte një minus, i cili duhet të korrigjohet menjëherë për zgjedhjet politike”, shprehet po i njëjti burim.
Përpos kësaj, ajo që ra në sy ishte se grupi i koordinatorëve thuajse u shmang gjatë zgjedhjeve vendore. Shkak për këtë duket se ishte dhe mungesa e përvojës në zgjedhje e këtij grupimi, pasi shumë prej tyre i ngjisnin për herë të parë shkallët në selinë e PD-së, dikur SHQUP-i.
Ata ishin të rinj, deri thuajse të panjohur për anëtarësinë e PD-së. Shumë prej tyre kishin kryer shkollim jashtë vendit.
Nga ana tjetër, ajo që ka zhvlerësuar edhe më shumë peshën e koordinatorëve të rinj është fakti se edhe grupi parlamentarë i PD-së, në shumicën e rasteve, thuajse nuk e ka marrë në konsideratë punën e tyre, sa i përket alternativave në Kuvend.
Duke ndjekur natyrën e debateve në Kuvend, shumë ekspertë të PD-së duket se kanë përfunduar në artikullshkrues të fjalimeve të deputetëve.
Është ende e paqartë se cila do të jetë e ardhmja e 24 koordinatorëve të PD-së.
Disa prej këtyre koordinatorëve, të pyetur nga Javaneës, nuk arrin dot ti japë një përgjigje pyetjes nëse ky grupim do të marrë vlerën reale për të cilën u krijua. Për momentin ajo që është e qartë është fakti se 24
koordinatorët që Basha i paraqiti si “stoli 24 karatshe” tashmë është duket se po ua heqin karatët nga vetë brenda PD-së.
Me. Ar