2016 ka qenë një vit i mbushur me ngjarje të rëndësishme, që do të ndryshojnë boshtin e rrjedhës së historisë. Britania votoi për t’u larguar nga BE-ja dhe kjo ndarje e vështirë do të kërkojë vite të tëra negociata. Donald Trump u zgjodh president i Amerikës me një fitore që askush nuk e priste. Kriza europiane e emigrantëve u shtua, Pokemon Go u bë trendi i vitit dhe Deutsche Bank u përball me një gjobë deri në 14 miliardë dollarë. Dhe në të njëjtën kohë, çmimet e naftës u ulën dhe u rritën.
Zgjedhjet që tronditën
Zgjedhjet e zhvilluara në tre vende të rëndësishme, Amerikë, Britani dhe Itali, prodhuan një rezultat që askush nuk e priste. Megjithatë, asgjë nuk është përmbyllur në këtë vit. Fushata zgjedhore sapo ka filluar të nxehet në Francë dhe Marine Le Pen, udhëheqësja e Frontit Nacional, është betuar se do të tërheqë Francën prej Euros dhe se do të zhvillojë një referendum “Frexit” për sa i përket anëtarësisë së vendit në Bashkimin Europian.
Stabiliteti relativ që europianët kanë shijuar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore duket më i brishtë se asnjëherë tjetër. Vota Brexit në Britani ka vendosur në pikëpyetje ekzistencën e Bashkimit Europian. Në mes të pasojave të votimeve, ekonomia e lëkundur greke është vendosur në fusnote. FMN-ja dhe Gjermania ende nuk bien dakord për qasjen më të mirë ndaj vazhdimësisë së programit të shpëtimit dhe normës prej 50% të papunësisë te të rinjtë.
Sapo të vijë pranvera në ishujt grekë, do të shfaqen dhe varkat me refugjatët drejtuar për në Europë. Ata do të zbarkojnë në ishuj pikërisht në momentin kur vendet në zemër të Europës do të jenë duke u përgatitur për zgjedhjet.
Rritja e krahut të ekstremit të djathtë në Europë është nxitur kryesisht nga kriza e refugjatëve. Në sezonin e zgjedhjeve të 2017-s, konfliktet jashtë Europës do të ndezin zjarrin, që gjithashtu është i ushqyer edhe prej konflikteve të brendshme.
Britania i kthen kurrizin BE-së
Britania flaku tutje politikën 50-vjeçare me jashtë, duke i kthyer kurrizin BE-së, në një moment të trazirave të shumta politike largoi kryeministrin, dobësoi monedhën dhe rihapi debatin për pavarësinë e Skocisë.
Pas një fushate të gjatë dhe të nxehtë, britanikët votuan me 51.9% të votave për t’i dhënë fund anëtarësisë 43-vjeçare të vendit në Bashkimin Europian, duke tronditur Europën dhe tregjet financiare kudo në botë.
Vota Brexit habiti. Edhe pse rezultati pritej të ishte i ngushtë, sondazhet tregonin për një fitore të kampit që ishte pro qëndrimit në union. Nigel Farage, udhëheqësi i Partisë së Pavarur, i cili u përpoq më shumë se kushdo për të zhvilluar referendumin, nuk i mbeti gjë tjetër veçse të pranonte humbjen pas mbylljes së sondazheve.
Njeriu i vitit 2016: Donald Trump
Ai rishkroi rregullat e politikës amerikane. Tashmë presidenti do të tregojë nëse do t’i mbajë premtimet e tij.
Italia votoi dikur për Silvio Berlusconi-n. Britania ka votuar për Brexit. Por Trump, manjati i pronave dhe ylli i reality-show, nuk mendohej kurrë se do të merrte votat e amerikanëve. Parashikimi më zemërgjerë i jepte vetëm një të tretën e shanseve për të marrë Shtëpinë e Bardhë disa ditë përpara zgjedhjeve.
Nuk është rastësi që fitorja e Trump-it ndodhi në të njëjtin vit me Brexit, votën “JO” në referendumin italian dhe të tjera shpërthime populiste në të gjithë botën perëndimore.
Secila rrethanë është e veçantë por, të gjitha janë të lidhura me tendenca të fuqishme. Më e madhja është neveria e përgjithshme ndaj politikës së vendosur.
Tjetër arsye është refuzimi ndaj globalizmit. Zotimi i Trump-it se do ta vendosë Amerikën të parën duket si jehonë e homologëve europianë për vendet e tyre.
Jo, faleminderit! Italianët refuzuan ndryshimet kushtetuese të Renz-it…
Pas Brexit dhe zgjedhjeve në ShBA, do të ishte radha e referendumit italian për ndryshimet kushtetuese i organizuar prej njeriut që do të pagëzohej me nofkën “njeriu i rrënimit”.
Në 4 dhjetor, Matteo Renzi do të bëhej kurban i zgjedhjeve që organizoi vetë, për të cilët nëse i humbte ai kishte premtuar se do të dorëhiqej.
Shifrat zyrtare treguan se mbështetësit e “Jo-së” fituan 60 me 40% në Italinë metropolitane, si dhe 59 me 41% të votave të hedhura nga italianët që jetojnë jashtë. Pjesëmarrja ishte shumë më e lartë nga sa ishte parashikuar, për të cilën këshilltarët e Renzi-t besonin se do t’i ndihmonte në këtë kauzë. Mposhtja erdhi pas një fushate 66-ditore, në të cilën kryeministri u përfshi me të gjithë forcat e tij. Ai nuk pati zgjidhje tjetër, veçse të jepte dorëheqjen përballë një rezultati të tillë të papritur.
Argumentimi i Renzi-t ishte se reforma qe thelbësore për të bërë Italinë më eficente në qeverisje dhe më të përshtatshme për reformat strukturore. Populistët kundër BE-së udhëhoqën fushatën për të votuar “Jo”, megjithëse në të ishin bashkuar figura si Mario Monti, ish-kryeministër, i shqetësuar për forcimin e pushtetit të ekzekutivit të kërkuar nga Renzi nëpërmjet kombinimit të ndryshimeve kushtetuese me një ligj zgjedhor të njëanshëm, që garanton shumicën për paritë e mëdha.
Ngjarjet politike dobësuan monedhën euron në 2016-n
Kriza e euros që fillimisht shpërtheu në 2009 zbuloi të meta të mëdha në projektimin e monedhës së vetme të përbashkët. Pjesërisht sepse filloi me programin e shpëtimit të Greqisë, shumë politikanë, veçanërisht ata gjermanë, mendonin se fajtorët kryesorë nuk ishin të metat në projektimin e monedhës, por shthurja në sistemin fiskal dhe ekzagjerimi i borxhit publik. Kriza e Euros nuk do të marrë fund me 2016-n, ku Greqia ka nevojë për më tepër lehtësim borxhi dhe Italia është e zhytur me problemet bankare, me një rritje kronike të ngadaltë dhe me një normë të lartë papunësie. Vota pro daljes së Britanisë nuk do ta ndihmojë situatën, megjithëse u përshëndet prej disave si një arsye më shumë për një bashkim më të fortë fiskal dhe politik në eurozonë.
Ndryshimet politike patën një ndikim të madh dhe në tregjet financiare, ku vota Brexit bëri që paundi të binte në pikiatë duke kapur nivelin më të ulët historik në 30 vite. Zgjedhja e Donald Trump ka filluar të japë efektet e parë të forcimit të dollarit përkundrejt monedhave të tjera.
Sikurse fushat e tjera të politikave publike, bankat qendrore priren të ndjekin modën. Normat e ulëta të interesit dhe objektivi prej 2% i inflacionit kanë qenë politikat e ndjekura si nga Rezerva Federale dhe nga Banka Qendrore Europiane. Në periudhë krizash, bankat qendrore preferojnë që të ulin normat e interesit, në mënyrë që të nxiten investimet dhe të dekurajohet kursimi.
Megjithatë duket se kësaj politike po i vjen fundi, pasi Janet Yellen deklaroi se Rezerva Federale do të rrisë normat e interesit në vitin që do të vijë. Ky vendim u reflektua menjëherë në tregjet globale financiare, duke sjellë forcimin e dollarit dhe rritjen e aksioneve në bursa.
Sistemi bankar italian dhe programet e shpëtimit të Greqisë
Banka problematike italiane, Monte dei Paschi, gjatë gjithë vitit ka qenë në kërkim të dëshpëruar për të gjetur fondet e nevojshme (5 mld euro) për t’u rikapitalizuar. Shpresat për një rikapitalizim prej fondeve private me afrimin e fundit të vitit po shuhen, ndërsa ekziston mundësia e shpëtimit të saj me anë të fondeve shtetërore. Referendumi i 4 dhjetorit i largoi dy bankat e investimit që kishin ofruar të bënin rikapitalizimin e bankës së tretë më të madhe në Itali dhe njëkohësisht më të vjetrës në botë.
5 dhjetori shënoi datën në të cilën ministrat e Financës së Eurozonës ranë dakord për një grup masash që do të reduktojnë kostot e borxhit grek, por shtynë diskutimet në lidhje me programin e ardhshëm të shpëtimit.
Greqia do të vazhdojë me masat shtrënguese, me kusht që kreditorët të vijojnë me masat lehtësuese, për të cilat është rënë dakord midis institucioneve kreditore të Greqisë, Komisionit Europian, Bankës Qendrore Europiane, ESM-së dhe Fondit Ndërkombëtar Monetar.
Investigimi më i madh në historinë e gazetarisë
Shumë faktorë po cilësohen shkaku i zgjedhjes së Donald Trump. Kishte një protestë të ngjashme muaj më herët kur Britania votoi për t’u larguar nga Bashkimi Europian. Ekziston një teori e përgjithshme se media dështoi për të kuptuar pse këto ngjarje ndodhën – dështoi në detyrën e saj.
Por, të ushtruarit mirë të gazetarisë është më i rëndësishëm se kurrë përgjatë asaj që po duket si një zhvendosje drejt autoritarizmit populist, do të njohë rënie në transparencë dhe llogaridhënien politike.
Në prill 2016, më shumë se 100 media në të gjithë botën lanë mënjanë konkurrencën për të publikuar investigimin më të madh të historisë së gazetarisë: Panama Papers. Rezultati qe një stuhi globale politike.
Hetimi nxori zbuluar sekretet e mbi 100 politikanëve në më shumë se 50 vende të botës, përfshirë dhe 12 liderë botërorë. Protesta masive u panë në rrugët e Britanisë, Islandës, Maltës dhe Pakistanit. Autoritetet në 75 vende hapën hetimet. Figurat e profilit të lartë, përfshirë dhe kryeministrin e Irlandës, u detyruan të dorëhiqeshin.
E dimë që industria e gazetarisë ka nevojë që të përshtatet ndaj ndryshimeve në botë, por 2016-a ishte provë e rolit të fuqishëm që pushteti i katërt ende luan.
Marrëveshja e vitit, OPEC shkurton prodhimin
Prej dy vitesh, tregjet e naftës janë përballur me çmime të ulëta nafte që vinin kryesisht si pasojë e mbiprodhimit. Dy vite më parë, kur Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) zgjodhi të mos e reduktonte prodhimin dhe të lejonte që çmimet e naftës të uleshin ndjeshëm, shumë ekspertë do të shkruanin për fundin e grupit të prodhuesve. OPEC-u duket se nisi një jetë të re, pasi arriti marrëveshjen për të prerë prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë.
Tregu i naftës sot duket shumë më ndryshe se dy vite më parë dhe çfarë është më e rëndësishmja, po kështu është dhe situata ekonomike e vendeve të OPEC-ut, përfshirë dhe Arabinë Saudite.
Nafta e Shteteve të Bashkuara vazhdon të mbetet faktor i ndërlikuar. Ndërsa prodhimi ka rënë me rreth 1 milion fuçi në ditë, industria është bërë pa dyshim më efikase. Rezerva Federale e Dallasit përllogarit se pika kritike e kostove për naftën amerikane ka rënë nga 79 dollarë në 2014 në 53 dollarë sot.
Lufta “e ftohtë tregtare”
Marrëveshjet tregtare kanë qenë nga më të diskutuarat në 2016-n, ndërsa Kina kërkon me ngulm që të marrë Statusin e Ekonomisë së Tregut. Marrëveshjet më të trumbetuara rajonale të botës po dalin jashtë duarve tani që janë më të nevojshme: më 27 shtator, OBT-ja parashikoi se për herë të parë në 15 vjet, rritja globale e tregtisë për këtë vit, me vetëm 1.7%, nuk po mban ritmin e PBB-së globale.
Partneriteti Trans-Paqësor (TPP), një marrëveshje midis Amerikës, Japonisë dhe dhjetë vendeve të tjera rreth Paqësorit, e cila u nënshkrua në shkurt, por që pas marrjes së zyrës së Shtëpisë së Bardhë, Trump do të tërheqë Amerikën nga kjo marrëveshje.
Nga ana tjetër, Bashkimi Europian po i merret fryma me proceset e veta kur vjen puna tek marrëveshjet tregtare. Pas një periudhe me protesta kundër ndaj Marrëveshjes së Tregtisë dhe Ekonomisë Gjithëpërfshirëse (CETA), një marrëveshje tregtare midis BE-së dhe Kanadasë, në një takim informal me ministrat e Tregtisë në Bratislavë, më 23 shtator, hapi dritën jeshile për këtë marrëveshje.
Ndërsa ekonomia më e madhe në botë, Kina, dëshiron që të fitojë Statusin e Ekonomisë së Tregut të paktën dhe të jetë e barabartë me pjesën tjetër të botës. Gjithsesi, politikanët në Pekin prisnin që procesi të ishte më i lehtë. Deri më tani, asgjë nuk ka ndryshuar zyrtarisht. Kushti i përcaktuar në Nenin 15 se Kina do të mund të trajtohen si “Ekonomi J0-Tregu” për 15 vite pasi është i është bashkuar OBT-së nuk qëndron më. Pas 11 dhjetorit të këtij viti, Kina duhej që automatikisht të trajtohej si një Ekonomi Tregu dhe barriera të caktuara tregtare të vendosura ndaj saj duhet të hiqeshin. Tarifat doganore nuk janë hequr. Në të vërtetë, pak përpara afatit, u vendos tarifa të tjera antidumping për mallra të caktuar. Përveç faktit se Pekini e ka theksuar dhe risjellë në qendër të vëmendjes vazhdimisht në muajt e fundit. Nga Brukseli, pati shenja se Pekini do të gjente një zgjidhje, një kompromis, që do t’i mbronte produktet europiane nga çmimet dumping kineze dhe të arrihej një marrëveshje.
Në luftë kanë qenë edhe autoritetet europiane me kompanitë gjigante amerikane. Fillimisht ishte Apple që do të merrte një gjobë 14 mld euro, pas vendimit të Komisionit Europian se ka shmangur taksat në shtetin e Irlandës, të cilin Apple ka vendosur ta apelojë.
Pas Apple, radhën e kanë pasur gjigantët e tjerë të teknologjisë, Google dhe Facebook për t’u hetuar./ Monitor