Manovra të përbashkëta të ushtrive të Rusisë dhe Bjellorusisë, shumë pranë kufirit të Ukrainës.Të dyja ushtritë janë bashkuar në një njësi të madhe dhe përbëjnë një kërcënim më shumë për Ukrainën, kjo pasi Rusia po përgatitet për një sulm të ri për të marrë Kievin.
Periudha më e afërt që ofensiva e re ruse mund të ndodhë është Janari, por më shumë gjasa ka në pranverë, sipas Valerii Zaluzhnyit, komandantit të përgjithshëm të ushtrisë së Ukrainës.
“Rusët po përgatisin rreth 200,000 trupa të reja. Nuk kam dyshim se ata do të bëjnë një tjetër lëvizje drejt Kievit”, tha gjeneral Zaluzhnyi, duke shtuar se Rusia ka një forcë rezervistësh prej 1.2-1.5 milion vetash.
Ushtria ruse mund të nisë një ofensivë të madhe nga Donbasi në lindje, nga jugu ose nga Bjellorusia në veri të Ukrainës“, sipas kreut të ushtrisë ukrainase. Zaluzhnyi tha se Rusia “mund të luftohet, këtu dhe tani”, por Ukraina ka nevojë për më shumë burime dhe armatime.
Ndërkohë për të çliruar të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia, Ukrainës do t’i nevojiten 300 tanke, rreth 700 automjete luftarake këmbësorie dhe 500 aviatorë, sipas komandantit të përgjithshëm.
Por Ukraina nuk do të qëndrojë duarkryq. Forcat e Armatosura të Ukrainës po përgatisin një operacion të ri të madh ushtarak, që tani nuk është ende i dukshëm. Me burimet e kufizuara që ka Ukraina, është shumë e vështirë të kryhen operacione ushtarake në shkallë të gjerë, por operacioni i ri nuk do të kërkojë shumë municion, sipas Zaluzhnyit.
Në muajt e fundit, Ukraina ka kryer me sukses dy operacione të mëdha ushtarake për çlirimin e rajonit të Kharkiv në lindje dhe territoreve në bregun perëndimor të lumit Dnipro në Kherson dhe Oblast në jug, duke përfshirë kryeqytetin rajonal.
Për t’u hakmarrë Rusia ka bombarduar vazhdimisht Khersonin. Të enjten dy vetë u vranë. Bombardimet e rënda të infrastrukturës në zonën e portit lanë të gjithë qytetin pa energji. Predhat ranë rreth 100 metra larg ndërtesës kryesore të administratës në Kherson. Shpërthime pati gjithashtu në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv.
/a.r