Nga Esat Myftari
Takimi i parë i demokratëve të zgjedhun u ba në mjediset e Institutit të Ndërtimtarisë. Nji pjesë e mirë e tyne nuk njiheshin mes vedi ose krejt pak, kryesisht gjatë manifestimeve të atyne ditëve ose në pjekje të ndryshme, jo rrallë rastësore. Nga ana tjetër, përmbysja e shpejtë e regjimit dhe zgjedhjet e zhvillueme mbrenda nji afati të shkurtë, na kishin mundësue nji sukses të përshpejtuem, që don me thanë të brishtë, poroz e, në disa aspekte thelbësore, të rremë.
Takimi u zhvillu në hijën e randë të vrasjeve në Shkodër. Revolta dhe jehona e djegies së Komitetit të Partisë dhe vrasjet e katër të rijve demokratë shkodranë mbrenda pak orësh – ndër viktimat e para në altar të demokracisë – kishte tronditë mbarë Shqipninë. Aq ma parë që ai qytetet, ma i përsekutuemi i regjimit enverist, prej kohësh kishte marrë përshtesën “bastioni i demokracisë”. Prandaj gjithçka ishte planifiku që, pikërisht aty, përgjigjet e porositë e duhuna të laheshin me gjak.
Ishte klithma e fundit e bishës në hekë.
Takimin e drejtonte z. Berisha dhe z. N. Ceka, i cili, mbas ko-optimit të paradoditëve, po dilte në ballë të grupit. Na u tha se, në përputhje me gjendjen dhe kërkesën e shprehun të shkodranëve, ne duhej të bojkotonim parlamentin e parë pluralist deri sa të gjindeshin vrasësit e të nxirreshin ata para gjyqit. Ky propozim u hodh edhe për diskutim. Ndër të pranishmit, ishim nji grup jo i vogël që gjykuem se ne duhej t’i merrshim të gjitha hapat e nevojshëm: të dënojshim fuqishëm krimin dhe të hulumtojshim aktet e policisë së Shkodrës, por që parlamenti nuk duhej braktisë, meqë askush nuk e dinte se sa do të zgjaste “gjetja e autorëve”. Por ky grup mbeti në pakicë. Në fund, u vendos që ditën e hapjes së parlamentit përfaqësuesi jonë të lexonte aty, në kambë, qëndrimin dhe kushtin e PD-s.
Kjo detyrë iu ngarkue Z. Ceka, i cili mori përgëzimet e të gjithë qytetarëve që e kishin ndjekë drejtpërsëdrejt përmes RTSH-s fjalën e tij. Kryeminister Çarçani, i pamësuem me ket procedim, lëshoi copa frazash që hyn në fondin e humori të zi politik si “na, mo, ti, ku vete”, “shkoni e reflektoni” etj.,etj.
Por ky zell zgjati sa nji vesë shiu!
Ambasadori Rayerson, i cili mbrenda nji kohe shum të shkurtë kishte depërtu në intimitetet e PD-s dhe me autoritetin e tij absolut ushtronte ndikim të madh, sikurse na u tha, kishte shfaq kundërshtimin e vet dhe kishte “këshillu” rishikimin e vendimit.
Për ket arsye, grupi u mblodh përsëri dhe na u ba i ditun reagimi i ambasadës amerikane. Shkurt, na u tha se futja në parlament nuk kishte shteg tjetër dhe që, si kompensim, do të ngrihej nji “komision hetimor” për të gjetë fajtorët e masakrës dhe për t’i nxjerr ata para gjyqit.
Të nxehun me ket kthesë kaq të beftë, grupi që dje kishim qenë për me hy në parlament, thamë se tash, mbas atyne deklaratave tona apodiktike në sallë e para syve të shikuesve të mbarë vendit, do të ishte nji zhgënjim i madh i masës së madhe të shkodranëve që na kishte çue përgëzime për qëndrimin e marrun dhe se dilte që ne po zbatojshim me përpikmëni urdhnin e z. Çarçani, i cili, nji ditë ma parë, kishte urdhnu me stil hetuesi: “shkoni e reflektoni!”
Meqë u shtuen zanet për e kundër dhe kishte rrezik që takimi të kthehej në përplasje të nxehtë, Berisha e Ceka thanë se do të kalohej në votim të hapun. Dhe atëherë u nxorën listat e u ba apeli si në nji klasë nxanësish që duheshim me u tremb e disiplinu. Në sallë ishin disa ish komunistë të konvertuem mbrenda nate në demokratë, pra të mësuem me manipulime e diktate mbledhjesh dhe këta e kishin fare të lehtë, por pjesa tjetër nuk ia kishte haberin këtyne teknikave.
Sigurisht, ishte shkelja e parë, e vrazhdë e votës së lirë e të fshehtë.
Në apelin e hapun firoi mjaft numri i kundërshtarëve dhe kështu, me “shumicë dërmuese votash”, u vendos që të nesërmen me hy në parlament. Ishte kjo, njikohësisht, parashija e “hyqmit” të ambasadorëve të huej.
Ditët e para të parlamentit nuk mora pjesë në punimet e tij sepse më kishin caktue në komisionin hetimor, të reklamuem aq shumë përmes RTSH dhe shtypit. Nuk kundërshtova, mbasi e quejta detyrë timen të njihesha ma për s’afërmi me hetimin, megjithëse dihej që do të ishte nji farsë e paracaktueme.
•
Nji ditë para nisjes për në Shkodër, në katin e dytë të hotel “Tirana”, gjej tue hangër darkë Mustafa Panxhën, ish drejtues i nji seksioni të TV Prishtinës dhe Marash Hajatin, ish drejtorin e RTVSH. Miqësia e tyne buronte nga ato kontaktet e viteve 70-ta, kohë kur këmbeheshin delegacionet midis dy vendeve e zgjanohej sfera e kontakteve në nivel drejtuesish të institucioneve të ndryshme. Z. Hajati nguli kambë që të rrija me ta për pak minuta sepse do të më tregonte diçka të randësishme. Ai e kishte marrë vesh se më kishin caktue në komisionin parlamentar.
“Shiko, më thotë z. M. Hajati, kur u hap kisha për herë të parë, R. Alia më ngarkoi personalisht që të shkojsha në Shkodër e të përcillsha zhvillimin e manifestimit. Atje më pajisen edhe me nji talky-walky tue më porosit që çdo 2-3 minuta të raportojsha mbi ecuninë e manifestimit. Po ta thom ket, sepse, duhet ta dish, se edhe gjatë demonstratave në Shkodër gjithçka do të ketë qenë e mbikëqyrun dhe komunikimi midis Shkodrës e Tiranës do të ketë qenë i plotë, i pandërpremë dhe i siguruem”.
“O burrë, i thashë, nuk kam asnji iluzion për “misionin” tonë në Shkodër. Veç kësaj, e kam lexue edhe thanjën e Çërçillit që pohon se komisionet parlamentare për hetimin e krimeve politike shtetnore krijohen jo për të zbulu krimin, por për ta mbulu atë. Kur kjo thuhet për Anglinë, vend me aq traditë demokratike, çfarë mund të thuhet për ne?!”
“Shum e saktë”, tha z. Hajati.
•
Të nesermën, para nisjes, Pjeter Arbnori dhe Ali Spahija më banë nji “brifing” të shkurtë mbi ngjarjen, më dhanë skicën e lëvizjeve të turmës protestuese të asaj dite dhe më treguen mjaft detaje të tjera. Sigurisht, edhe ata ishin të bindun se nuk do të dilte gja prej këtij komisioni. Asgjamangut, më shprehen pakënaqësinë që nuk i kishin përfshi asnjenin prej tyne në këtë komision, jo se do të përmbysshin gjendjen, por sepse si dëshmitarë pamorë që ishin, do ta ndriçojshin ngjarjen për opinionin publik e jo të më dërgojshim mue që atë ditë kisha qenë ngjeti dhe s’i kisha ndjek zhvillimet hap mbas hapi si ata. Sidoqoftë, më uruen “sukses”.
Komisioni parlamentar përbahej prej 10 antarësh: 6 të PPSH, 3 të PD dhe 1 deputet i pakicës greke, i cili kishte gjetë nji shfajësim e nuk u paraqit fare. Grupin e drejtonte Ajli Alushani, mjek dhe kuadër i besueshëm i partisë. Në Shkodër u sistemuem në “Rozafa”, i vetmi hotel për të qenë disi në ato ditë kaosi e rrënimi të gjithanshëm. Në sportel më thanë se isha caktue që të sistemohesha në nji dhomë me deputetin kuksian, me të cilin nuk kisha kurfarë njohje. Kur po baheshim gati me ra me fjetë, ai befas nxori prej brezit revolen dhe e la mbi komodinën e vendosun midis dy krevateve tona.
“E kam me leje, meqë ndodhem në zonën kufitare”, më tha.
E kuptoj, iu përgjigja dhe u ktheva në krah kah muri.
I dhashë me kuptue se nuk po më impresiononte kërcnimi i tij.
Në mengjes, nëpër korridoret e hotelit e, ma vonë, në ndërtesën e madhe të Komitetit Ekzekutiv, pashë shumë ftyra të njohuna e të panjohuna, që po endeshin në grupe dyshe e treshe. Kurse unë, meqë ende nuk kisha ba jetë parlamentare, nuk i njihja nga afër asnjenin prej grupit punist, prandaj desha s’desha isha i shtërnguem me ndejë me dy deputetët demokrratë: Emin Musliun, ish zv/ministrin e ndërtimit dhe Thomain, ish prokurorin ushtarak. Por, edhe me këta, njohja ishte krejt formale, mbasi ma parë kishim qenë në dy skajet e kundërta të litarit.
Takimin me Kryetaren e Komitetit Ekzekutiv, znj. Jozefina Marubi, e bamë në zyrën e saj. Nga të gjitha spjegimet e saja – nji tautologji fjalësh boshe – kuptuem vetëm nji gja që, për mue, relatue këshillës së z. Marashi, kishte vleftë. Ajo na tregoi se pikërisht në zyrën e saj qenë ba komunikimet në kohën reale të ngjarjës e fill mbas saj. E pohoi ajo, me gojën e vet! Ishte lapsus apo pakujdesje e ndërgjegjshme e saj, nuk e di, por mue m’u duk se na dha në dorë nji fill Ariane. Gjatë gjithë asaj dite po e bluejsha me mend ket fakt dhe s’po dijsha me kë ta ndajsha shqetësimin tim. Mbas darke, aty nga ora dhetë e mbramjes, z. Emin më thërret me shetit qendrës së qytetit, rreth hotel “Rozafës”. Bisedën e hapi mbi karrierën e vetë dhe udhëtimet e tija në cilësinë e zv/ministrit të ndërtimit dhe, në fund të rrëfimit, u ndalë te bisedimet me specialistët jugosllavë të ujnave. Më tregoi se kishte qenë dy herë në Beograd dhe se qysh atëherë kishte fillue me dyshue mbi rrugën që po ndiqte Shqipnia enveriste. Mbasi i tregova se kisha studjue dy vjet atje dhe se e njihja mjaft mirë qytetin, i thomë:
– Z. Emin, më bani shum përshtypje fakti që komunikimi me Tiranën, ditën e masakrës, qenka ba prej zyrës së znj. Marubi.
– Ashtu?!- ma ktheu ai si i habitun.
– Pse, nuk e ndigjuet?
– Jo!
– E tha shkoqun! Prandaj mendoj që nesër, kur të takohemi përsëri me të, ta ngacmojmë rreth këtij momenti. Me sa pamë prej të tjerëve, ka nji përpjekje të qëllimshme që të mos flitet mbi komunikimin zyrtar Shkodër – Tiranë të atyne orëve fatale.
Emini heshti nji copë herë, mandej m’u kthye me ftyrë të ngrysun:
– I dashur Esat, mendoj se kam nji farë përvoje falë punëve që kam kryer në administratën e lartë shqiptare. Mirë është të jemi sa më të rezervuar sepse këto ngjarje janë shumë të ndërlikuara, prandaj askush nuk është i gatshëm të flasë hapur. Nuk e kemi as eksprertizën as mundësinë për t’i zbërthyer këto gjëra.
– Si krime politike që janë? – e pyeta.
– Quaje si të duash, por ne s’mund të ndryshojmë asgjë! Ne jemi këtu sa për formë, këtë besoj se e di. Edhe ti ke përvojën tënde specifike, natyrisht, por ndoshta të një natyre tjetër. Fundja, është caktuar grupi i ekspertëve dhe janë ata që do ta japin vlerësimin përfundimtar.
Dhe ndodhi vërtetë ashtu si e parashikoi ai: të nesërmen, kur kërkova takim me znj. Marubi, qoftë edhe si individ, më thanë se kishte ra e sëmutë, se kishte temperaturë e se ndodhej në regjim shtrati.
Në mungesë të saj, takimet e tjera po zhvilloheshin me pëfaqësitë politike (secila me variantin e vet të mirpërcaktuem), me administratën, policinë, prokurorët, hetuesit, nënkryetarin e Degës, me klerin si dhe me përfaqësues të forcave shoqnore. Edhe shtypi ishte shum aktiv. Shquhej ato ditë, në veçanti, Neshat Tozaj me deduksionet e tij të fajësisë dhe natyrës së krimit, si njohës i mirë i strukturave dhe metodave të Sigurimit shqiptar.
Akuzat dhe kundër-akuzat ishin kaq të larmishme sa vetja të dukej se ishe futë në nji xhungël ngjarjesh të ndodhuna diku larg e jo para syve të gjithë qytetit. Madje edhe urdhni i Ministrit të Mbrendshëm për reshtimin e snajperistëve të stërvitun në pikat dominuese të qytetit, ngjante si nji thashethem hapësinash jo-shqiptare. Natyrisht, në gjithë diskurin punist fryhej faktori jugosllav i cili, edhe kësaj here, si përgjatë gjithë regjimit komunist, qe ba gomë shpëtimi, apo nji argument alibije!
•
Në këto kushte, ne, deputetet, po e ndjenim vetëm si figurantë qesharakë të nji loje të padenjë të politikës së vjetër që kishte nji rast të mirë për të tregue ende fuqinë e vet. U pa se gjithë ai fluks mendimesh, hamendësimesh, dyshimesh, sajimesh e trillesh gjithfarshe nuk po lejonin të kjartësohej tablloja e gnjarjes për të cilën kishim ardhë. Prandaj intimisht vendosa me u ndodh vetëm me trup në ato takime që kishin mbetë me u ba. Por, ata që ma dhanë goditjen e fundit të çoroditjes apo zgjimit tim nga kllapija e euforisë së parë pluraliste, ishin tufa e hetuesave dhe prokurorëve. Të gjithë ishin profesionistë të podrumeve të Sigurimit shqiptar, ata që kishin përgatitë me dhjetvjeçarë dokumentacionin e sofistikën e ndëshkimt dhe pushkatimit të mendimit të lirë e të dinjitetit shqiptar. Njerëz, që e kishin ndërtue karrierën e tyne nëpër ato kthina kobzeza. Edhe prokurorët ishin po ata, ish përfaqësuesë të akuzave monstruoze. Nuk bante përjashtim as shefi i tyne, që po mundohej të retushonte diçka në profilin e vet, me ndonji klithmë a zhurmë të vogël disensi me vartësit e vet.
Në hollin e Komitetit Ekzekutiv pashë edhe dy personat e neveritshëm, që kishin qenë hetues të dy shokëve të mij: Namik Lucit dhe Sheqfqet Kelmendit, aktakuzën e të cilëve e kisha lexu e diskutu me ta.
I pari më kishte tregu nji episod që më ishte ngulë në tru e s’po më shqitej: hetuesi, i cili ndodhej para syve të mij, ishte ai që gjatë hetuesisë i kishte dhanë Namikut me hangër nji pjatë të mirë me makarona dhe mbas kësaj i kishte hypë shkelma mbi shpinë deria sa i kishte nxjerrë prej barkut makaronat dhe, në fund, e kishte detyru me i hangër të vjellat e veta!
Kurse Shefqet Kelmendi e kishte portretizue të njajtinme këto vargje:
Hetuesit Gavrosh
Qenja ime me pamjen tane
Lidhë janë bashkë Nyje Gordiane
Ty të njeh mirë skeleti im
që përditë po i jep mësim
A thue fajin e ka Hygoi
Që yt at Gavrosh t’pagëzoi?
Kur e pyeta se përse qe mjaftue me aq pak karakterizim të tij, më qe përgjegj: sepse, kur e krahasoj me bishën e shkollës Haznedari – Hakani, pra, me Nexhat Selimin, më duket nji gjysë engjëlli.
Mbas këtyne provave, mendova me gjykue edhe nji herë për demokracinë e kurdisun prej nalt. Shumë entuzistë – mbrenda tyne edhe vetja ime – m’u dukën përsëri si cingla në duert e kriminelëve të djeshëm: pra, nji opozite pa juristë mbrenda, pa juristë jashtë, nuk i kishte mbetë tjetër veҫ me përzgjedhë qershi ma pak të pshuruna.
Pra:
Kush do ta bante raportin përfundimtar dhe kush ishin profesionistët fakt-mbledhës?
Ҫfarë fizionomije do të kishte drejtësia shqiptare në kushtet e demokracisë, kur institucione duhej mbushë me juristë?
Pengesa e parë, fizikisht e pakapërcyeshme, po dilte mungesa e kuadrit. Rrjedhimisht, ata do të merreshin prej kësaj likunije.
Mendja diabolike për kurdisje të zeza e diktatorit i kishte parashikue të gjitha, sidomos për fazën e parë të tranzicionit. Numri dhe përzgjedhja e tyne kishte qenë e përllogaritun, dhe mënyra e lidhjes së tyne me vendime mëkatare e kriminale, qoftë ndonjiherë edhe të pavullnetshme, do të vazhdojshin me mbetë pranga të ndërgjegjës së tyne deri në fund.