Mauricio Pochettino beson se Chelsea duhet të privohet nga titulli i Premier League i fituar në vitin 2017 dhe trofeu t’i akordohet Tottenhamit, pas shkeljeve financiare të pranuara nga klubi londinez.
Ish-trajneri i Chelsea-t mendon se skuadra e drejtuar atëherë nga Antonio Conte duhet të ishte ndëshkuar edhe në aspektin sportiv, ndërsa Tottenham, që e mbylli sezonin në vendin e dytë, duhet të shpallet kampion.
Chelsea u gjobit me 10 milionë paund pasi pranoi 74 shkelje të rregullave të Federatës Angleze të Futbollit (FA), përfshirë pagesa sekrete me vlerë rreth 47 milionë paund ndaj agjentëve të paregjistruar gjatë periudhës 2011–2018, kur klubi ishte në pronësi të Roman Abramovich.
Në atë periudhë, pjesë e Chelsea-t ishin edhe lojtarë të rëndësishëm si Eden Hazard, Willian dhe David Luiz. Hazard shënoi 16 gola në sezonin e titullit.
Pochettino, i cili drejtoi Tottenhamin për disa vite dhe e çoi klubin deri në finalen e Champions League, është i bindur se rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë.
“Chelsea-t tifozët do të mërziten me mua, sepse po e them të vërtetën”, deklaroi Pochettino.
“Nëse ata pranuan se shkelën rregullat, titulli i Premier League duhet t’i takonte ekipit të dytë. Përndryshe, çfarë po promovojmë? Po nxisim klubet të shkelin rregullat.”
Tottenham e përfundoi atë sezon shtatë pikë pas Chelsea-t. Skuadra e Pochettinos ishte gjithashtu ekipi i vetëm në historinë e Premier League që shënoi më shumë gola dhe pësoi më pak se çdo skuadër tjetër në të njëjtin sezon, por nuk e fitoi titullin.
Pochettino theksoi se nuk po minimizon suksesin e Chelsea-t në fushë dhe punën e Antonio Contes.
“Unë nuk po them se ata nuk luajtën mirë. Conte ishte një trajner i madh dhe gjithçka funksionoi”, tha argjentinasi.
“Por nëse ke shkelur rregullat, atëherë ‘ciao’ – duhet t’ia japësh titullin një skuadre tjetër.”
Pochettino, i cili së fundmi ka rinovuar kontratën për katër vite si trajner i kombëtares së Shteteve të Bashkuara, ka deklaruar gjithashtu se është “gjithmonë i hapur” për një rikthim te Tottenham.











