• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, June 10, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

180 vjet burg kundër historisë

by Thoma Gëllçi
10/02/2026 08:23
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Thoma Gëllçi

Prokuroria e posaçme në Hagë ka bërë kërkesën e saj: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dënohen me nga 45 vjet burg secili, pra gjithsej 180 vjet burg. Është një shifër shumë e rëndë, që tingëllon më tepër si mesazh politik sesa si një kërkesë normale. Kjo është një nga kërkesat më të larta për krime lufte në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Kjo, në vend që të sqarojë çështjen, vetëm sa thekson edhe më shumë absurditetin e një hetimi të gjatë, të mbështetur kryesisht në dëshmi të dyshimta dhe jo në prova.

Mjafton një krahasim i thjeshtë me dënimet e kërkuara për krimet e kryera nga ushtria dhe paramilitarët serbë në Kosovë për të kuptuar absurdin: Slobodan Miloshevici nuk u dënua sepse vdiq gjatë gjykimit. Për Nikola Sainovic dhe Nebojsha Pavkovic u kërkuan dënime mbi 20 vjet burg. Për Sreten Lukic u kërkuan 20 vjet, ndërsa për Vladimir Lazarevic 14 vjet burg. Këto kërkesa për ata mijëra e mijëra civilë, gra, burra dhe fëmijë të vrarë dhe të masakruar, për deportime masive, zhvendosje me forcë dhe përndjekje sistematike të popullsisë civile shqiptare.

Gjatë luftës në Kosovë, vrasja e civilëve shqiptarë të pafajshëm nga forcat serbe dhe paramilitarët përbën një kapitull nga më të errëtit e historisë evropiane moderne. Fshatra të tëra u rrethuan, njerëzit u nxorën nga shtëpitë dhe u vranë pa asnjë gjyq, vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike. Burra, gra, fëmijë dhe të moshuar u vranë në oborre, në rrugë apo gjatë përpjekjeve për t’u larguar, ndërsa shtëpitë u dogjën për të zhdukur çdo shenjë jete. Mbi një milion njerëz u zhvendosën nga Kosova, duke u përzënë në Shqipëri apo në vendet e tjera fqinje. Këto nuk ishin akte të rastësishme dhune, por pjesë e një politike të qëndrueshme terrori ndaj popullsisë civile.

Paramilitarët serbë vepronin me brutalitet të hapur dhe me bindjen se nuk do të ndëshkoheshin kurrë. Trupat e civilëve shpesh liheshin në rrugë, hidheshin në varreza masive ose zhdukeshin për muaj e vite. Familjet mbetën pa përgjigje dhe pa drejtësi. Edhe sot, shumë prej këtyre krimeve nuk kanë autorë të dënuar, çka e bën dhimbjen e viktimave një plagë ende të hapur dhe një dëshmi të dështimit për të vendosur drejtësi të plotë për civilët e vrarë në Kosovë.

Në këtë bilanc të errët, dhuna seksuale mbetet një nga krimet më të rënda dhe njëkohësisht më të heshtura të luftës. Organizatat ndërkombëtare dhe vendore flasin për rreth 10,000 deri në 20,000 raste përdhunimi dhe dhune seksuale, kryesisht ndaj grave shqiptare, të kryera nga forcat serbe. Këto shifra nuk janë thjesht statistika, por tregojnë një strategji terrori, ku përdhunimi u përdor si mjet poshtërimi, frikësimi dhe shkatërrimi i komuniteteve.

Por edhe ky krim masiv mbeti pothuajse jashtë drejtësisë penale ndërkombëtare. Vetëm pak raste u dokumentuan plotësisht dhe u përfshinë në aktakuzat penale. Shumica e viktimave nuk folën kurrë, të mbytura nga trauma, turpi dhe heshtja shoqërore. Kështu, edhe pse përdhunimi u njoh si krim lufte dhe krim kundër njerëzimit, hendeku mes përmasës reale të krimit dhe përgjigjes së drejtësisë mbetet i thellë.

Sipas logjikës së kësaj prokurorie, problemi i luftës së Kosovës nuk qenka agresioni dhe krimet e Serbisë, as rreth 14 mijë kosovarët e vrarë apo të zhdukur, por fakti që dikush guxoi të rezistonte. Ushtria Çlirimtare e Kosovës paraqitet si fajtore, sepse nuk pranoi që populli shqiptar i Kosovës të zhdukej në heshtje.

Drejtësia që prodhohet në këtë rast është ndërkombëtare vetëm në formë: me gjyqtarë të huaj, prokurorë ndërkombëtarë dhe seli në Hagë. Në thelb, ajo mbetet selektive në objekt, sepse merret vetëm me njërën palë të luftës, duke lënë jashtë vëmendjes agresionin shtetëror dhe krimet masive të kryera nga pala tjetër. Kjo qasje krijon një çekuilibër të dukshëm moral dhe juridik, ku rezistenca trajtohet si problem, ndërsa dhuna paraprake relativizohet ose shpërfillet. Në këtë mënyrë, drejtësia nuk shërben si mjet për zbardhjen e së vërtetës, por si një proces që prodhon vetëm padrejtësi. Drejtësia nuk mund të jetë me përqindje. Ajo është ose drejtësi, ose padrejtësi.

Nuk mund të quhet drejtësi numerimi i viteve burg, por që nuk arrin, ose nuk guxon, të përballet me shkaqet e vërteta të konfliktit. Një drejtësi që merret me pasojat, por shmang përgjegjësitë reale; që e sheh reagimin si krim, ndërsa dhunën fillestare e trajton si diçka dytësore. Në këtë përmbysje, viktima është kthyer në i akuzuar, ndërsa dhuna sistematike relativizohet dhe harrohet. Kjo nuk është drejtësi në kuptimin e saj të vërtetë, por një aritmetikë politike për konjukturat e ditës, e shkëputur nga e vërteta historike.

Kur prokuroria ndërton një rrëfim që injoron kontekstin dhe e barazon krimin, ajo nuk po kërkon drejtësi, por po krijon një absurd juridik. Në këtë mënyrë, ligji humb funksionin e tij. Ligji nuk ndihmon për të zbardhur të vërtetën, por për ta mjegulluar atë.

Shpresa mbetet që gjykata të mos bëhet pjesë e këtij deformimi dhe ta rrëzojë këtë qasje absurde të prokurorisë. Historia e Kosovës, e shkruar me sakrifica, jetë të humbura dhe dhimbje kolektive, nuk mund të rishkruhet nga një prokurori e ndikuar nga rrethana politike dhe e krijuar thjesht për konjukturë politike ndërkombëtare dhe jo për të zbardhur të vërtetat.

Next Post
“Me mikun tim të çmuar…”, Rama ndan pamjet nga takimi para darkës me Antonio Costan

"Me mikun tim të çmuar...", Rama ndan pamjet nga takimi para darkës me Antonio Costan

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

34-vjeçari rezulton i zhdukur prej 6 ditësh, dyshohet për ngjarje kriminale

“Më tha fik dritat e lokalit…”, çfarë deklaron kamarieri mbi zhdukjen e 34-vjeçarit në Tiranë

June 10, 2026
Dalja në pension/ Ja kostoja për pagimin e sigurimeve për plotësimin e viteve të punës

A është kredia kurth financiar? Ekspertja: Prona është gjithmonë investim

June 10, 2026
Berisha: Rama të largohet nga pushteti, dënoj ofendimet e tij ndaj protestuesve

Berisha: Rama të largohet nga pushteti, dënoj ofendimet e tij ndaj protestuesve

June 10, 2026
Banka e Shqipërisë jep lajmin e mirë: Stabiliteti ekonomik nuk është cenuar nga kriza e energjisë

Kreditë problematike, në rënie! BSH: Huatë me probleme zbritën në 3.75%

June 10, 2026
Hoxha në SEECP: Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka hyrë në fazën më përcaktuese

Hoxha në SEECP: Rruga e anëtarësimit të Shqipërisë në BE ka hyrë në fazën më përcaktuese

June 10, 2026
Pagesa e faturave të ujit, UKT vendos pajisjet POS në të gjitha pikat e shërbimit

Pagesa e faturave të ujit, UKT vendos pajisjet POS në të gjitha pikat e shërbimit

June 10, 2026
Horoskopi ditor, e enjte 28 mars 2024

Horoskopi ditor për nesër, e Enjte 11 Qershor 2026

June 10, 2026
Protesta në kornizat e Goffman

Protesta në kornizat e Goffman

June 10, 2026
U vra në Maliq, Qeveria jep 50 milionë lekë për familjen e Enea Mekollit, përfiton edhe…

U vra në Maliq, Qeveria jep 50 milionë lekë për familjen e Enea Mekollit, përfiton edhe…

June 10, 2026
Krizë mes Polonisë dhe Ukrainës, Zelensky rrezikon të humbasë dekoratën më të lartë polake

Krizë mes Polonisë dhe Ukrainës, Zelensky rrezikon të humbasë dekoratën më të lartë polake

June 10, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In