Klio Evangjeli është “thesari” i vetëm i gjallë i përkthimeve. Me atë cilësi e intensitet që ka punuar, çdokush mendon se është shkolluar kushedi se ku e kushedi se për sa kohë, por jo, Evangjeli është tërësisht autodidakte. Pasioni për gjuhët e huaja e bëri të studionte pa pushim, derisa të përvetësonte secilën që në moshë fare të re, shkruan Panorama.
Vepra e parë e vërtetë që përktheu ishte “Evgjeni Grande”. Nisi përpjekjet për ta botuar, por një vajzë në moshë të re, në Korçë e pa mbështetje, sa mundësi mund të kishte?! Sidoqoftë, libri u botua, vetëm se jo me emrin e saj. Kur pa gazetën me emrin e Nonda Bulkës në të, Klio pati “goditjen” e parë, por kjo nuk e bëri të tërhiqet, ishte e vendosur.
Vijoi të përkthejë derisa librat u bënë të shumtë e mund të konsiderohej tashmë përkthyese profesioniste, e denjë për shtëpinë botuese “Naim Frashëri”. Por si mund të mbërrinte deri aty? Klio Evangjeli, nuk ka qenë fare e lidhur me shtypin përveç se me librat e saj.
Pasi e zhvendosi jetën në Kanda, që pas vitit 1991, akoma edhe më pak. Megjithatë tani ka vendosur të tregojë, sigurisht që vetëm pjesërisht, historinë e saj që me gjithë plagjiaturat që i bënë, emri dhe puna do t’i ngelen të pavdekshme…
NGA KLIO EVANGJELI
Kam përkthyer për lexuesin shqiptar një varg veprash me vlerë për letërsinë botërore. Për të punuar në fushën e përkthimeve letrare, rrugën ma hapën tri personalitete: Taqi Skëndi, ministër i Shëndetësisë, Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli në art), shkrimtar i mirënjohur, dhe Drago Siliqi, drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”.
Këtyre u jam mirënjohëse përjetë. Po rrëfej si kanë rrjedhur ngjarjet… Banoja në Korçë. Kisha studiuar disa gjuhë të huaja. Si autodidakte, në kushte tepër të vështira, por në sajë të një vullneti të pamposhtur, lexova në një “Shkrim” të realistit të madh Balzak se “Forca e vullnetit ishte një forcë e madhe”. Më vlonte dëshira për të përkthyer. Pasi bëra disa përkthime për të provuar forcat e mia, përktheva “Evgjeni Grande”–në e Balzakut, se më pëlqente Balzaku e më tërhiqte ky roman.
Vete në Tiranë te një farefis, shkoj në Shtëpinë Botuese, te redaksia e përkthimeve nga gjuhë të huaja. Ishin dy veta në dy tavolina pune: Sotir Çaçi dhe Moisi Zaloshnja. Ia dorëzoj dorëshkrimin Sotir Çaçit.
– Oho! – ia bën, – Balzak, letërsi frënge. Mirë. Romani do të redaktohet. Do të lajmërojmë për të parë ndonjë vërejtje që mund të ketë bërë redaktori, siç bëhet për të gjitha përkthimet. Na lër adresën. Unë i besova këto fjalë. Të nesërmen kthehem në Korçë. Pres të më lajmërojnë. Pres edhe ca kohë. Dërgoj një letër në redaksi. Nuk përgjigjen.
Dërgoj një letër të dytë. Në vend të përgjigjes që shpresoja të merrja, lexoj një ditë në gazetë: “U botua Evgjeni Grande” e Balzakut. E përktheu Nonda Bulka”. Më bie gazeta nga duart, tronditem sikur më shkund një tërmet. Po kjo tronditje nuk zgjati shumë. E mblodha veten. E kuptova që ma punuan. Për fat të keq, s’kisha bërë kopje. Isha pa përvojë e nuk dija se mund të ndodhte diçka e tillë.
Dërgoj një letër ankese. Nuk marr përgjigje. Një të dytë. Heshtje nga redaksia. Ndiej që s’kam fuqi të vete të ankohem. Por duke qenë prej natyre e vendosur, mendoj të veproj ndryshe, vendos të vazhdoj të përkthej. Përktheva “Pieretën” e Balzakut dhe e dërgova bashkëmbyllur me një letër në Tiranë. Asnjë përgjigje
Përktheva “Berberin e Seviljes” dhe “Martesën e Figaros” të Bomarshesë, e dërgova në Tiranë. Asnjë përgjigje. Për këto të tria kisha bërë kopje. Përktheva dhe novelën “Shtëpia misterioze” të Balzakut. Por këtë nuk e dërgova në Tiranë. M’u mbush mendja se s’çaja dot rrugë vetë, kurrsesi. “Piereta”, “Berberi i Seviljes” dhe “Martesa e Figaros” nuk u botuan. Pra për to nuk u bë plagjiaturë.
Po hap një parantezë. Po bëj një kapërcim në kohë. Për këto të tria që nuk u botuan, pandehja se ishin hedhur në kosh. Jo, i kishin flakur në qoshen e një dollapi. E kur më vonë, më vonë, u emërova përkthyese në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, u gjetën të tria dorëshkrimet, u redaktuan e u botuan. Për “Piereten” bëra një parathënie se “Piereta” zë një vend me rëndësi në krijimtarinë e Balzakut, i cili, midis heronjve të tij pozitivë, e përmend “Pieretën” në radhë të parë siç e thotë vetë në parathënien e “Komedisë Njerëzore”.
“Piereta” u ribotua dy herë. Po e mbyll parantezën. Po vazhdoj të rrëfej…. -Herë, herë, ndodhin gjëra të papritura. Ja ç’ndodhi: Banoja me familjen time në bodrumin e një shtëpie. Në bodrumin përballë të po kësaj shtëpie kish ardhur të banonte pranë nesh familja Zahara, një familje shumë e mirë. Ishim familje të përndjekura. Nuk njiheshim më parë, por fatkeqësia na lidhi me një miqësi të mire. Një ditë tek ishim duke biseduar, unë i tregoj ç’më kishte ndodhur me “Evgjeni Grande”–në.
Vajza e tyre, Meri, moshatarja ime, kur e dëgjoi këtë hidhet e thotë me keqardhje se kohë më parë kur kish qenë në Tiranë, kish vajtur një ditë për vizitë në shtëpinë e Nonda Bulkës, me të cilin kishin lidhje farefisnie. Ishte ndodhur vetëm Nonda Bulka në shtëpi, e kur kish hyrë në kuzhinë për t’i bërë një kafe, ajo ishte ngritur e i ishte afruar tryezës së tij të punës, mbi të cilën ishte një dorëshkrim.
E shfletova kot e në faqen e parë lexova: Balzak, e më poshtë: Evgjeni Grande. Klio Mulla. Ishte mbiemri im para martese. (Po hap një parantezë. Të dytë. Prapë po bëj një kapërcim në kohë. Më vonë, pas martese (isha emëruar në Shtëpinë Botuese), një ditë i them burrit tim, avokat Dhimitër Evangjelit, se ç‘më kishte ndodhur me “Evgjeni Grande”–në, që ia kisha dorëzuar Sotir Çaçit. Por i them edhe se kisha marrë vesh se përkthyesi Sotir Çaçi kish sunduar një kohë të gjatë në redaksi, duke qenë në lidhje të ngushtë me Moisi Zaloshnjen dhe me drejtorin minoritar, Spiro Xhai.
Ai më thotë se e njihte Nonda Bulkën, por për fat të keq kish vdekur. Po të ishte gjallë, do t’i hiqte një vërejtje të rëndë e do t’i kërkonte të thoshte të vërtetën. Por më thotë edhe se e kish ditur për njeri të mirë. Ka njerëz që janë me dy faqe, pra ai o deshi vetë dhe e bëri këtë gjë të ulët, o i nxitur nga të tjerë që deshën të më skartonin. Me vdekjen e Nonda Bulkës, plagjiatura mbeti një mister. Kisha marrë vesh edhe një gjë që s’e kisha ditur: Ata që përvetësojnë përkthimin e tjetrit, bëjnë ca ndryshime dhe marifete për të hedhur hi syve.
Po e mbyll parantezën). Po rrëfej kryesoren. Si çava udhë. Përmenda më lart se banoja me familjen në një bodrum përballë atij të familjes Zahara. Ky ishte bodrumi i fundit pas bodrumeve të tjera, gjatë burgimit të babait, të cilin pa faj e kish përfshirë dallga e arrestimeve. Kishin kaluar dy muaj, qëkurse babai ishte liruar me shëndet të dëmtuar. Një të diel pasdite na troket në derë vajza e bodrumit përballë, e na pyet nëse e pranonim për vizitë ministrin e Shëndetësisë, Taqi Skëndi, kushëri i tyre.
Ministri, me të marrë vesh se babai ishte liruar, deshi ta takonte. Sapo hyn në bodrumin tonë, i thotë babait se i ati (kur ishte gjallë) i kish folur me fjalët më të mira për Pandeli Mullën, që e kish pasur mik. Pastaj i thotë t’i vinte të nesërmen në shtëpi ta vizitonte si mjek. Ai banonte në Tiranë, familjen e kishte në Korçë. Të nesërmen, duke biseduar, babai i tregon edhe lidhur me përkthimet e mia.
Ministri i thotë: – Do ta ndihmoj vajzën tënde, por jo drejtpërdrejt. Sapo të kthehem në Tiranë, do të flas me burrin e kushërirës së parë, me Dhimitër Paskon, që është përkthyes në Shtëpinë Botuese. Ai është shpirtmadh e do ta ndihmojë vajzën tënde. Ministri e mbajti fjalën. Pas pak kohe dërgon shoferin e tij që t’i jepja një përkthim për t’ia shpënë Dhimitër Paskos. I jap “Shtëpinë misterioze” të Balzakut. Nuk shkon shumë kohë dhe më lajmërojnë të vete në Tiranë.
Vete te një farefis, ku pata qenë kohë më parë. Dhimitër Paskon e takoj në shtëpinë e tij. Tërë familja më pret ngrohtësisht. Të gjithë të përzemërt, dashamirës. Dhimitër Pasko më thotë se kish folur disa herë me Sotir Çaçin, por ai çdo herë i bënte bisht fjalës. Duhej të venim të dy ta takonim. E gjejmë te dera e redaksisë. Nuk na fut brenda. Unë e kisha parë atë fytyrë e isha e detyruar ta shihja përsëri. Po rrija si mbi gjemba. Nuk hapa gojë fare. Dhimitër Paskoja i thotë tekstualisht këto fjalë që më janë ngulitur në mendje:
-Sotir, ta ndihmojmë këtë vajzë, vetëm sa t’i çelim rrugën, nga s’ka nevojë për asnjë ndihmë tjetër, se mund të eci me këmbët e saja.
“-Flasim tjetër herë! – thotë Sotir Çaçi – Tani nxitoj, kemi mbledhje!”. E duke hedhur vështrimin drejt meje, bën një përkulje e me një nënqeshje, që m’u duk djallëzore, më thotë në frëngjisht “Bonjour!”, e me vrap hyn në redaksi.
Rrugës i them Dhimitër Paskos:
-“Zoti Dhimitër, ajo përkulje dhe ajo nënqeshje, m’u dukën tallje”.
-“Nuk i ndryshojmë dot njerëzit, – më thotë, por mos u dëshpëro, do t’i vazhdoj përpjekjet”.
Të nesërmen kthehem në Korçë. Pasi kalon mjaft kohë, më lajmërojnë të vete në Tiranë. Dhimitër Paskoja na jep lajmin e mirë se kish ardhur në krye të Shtëpisë Botuese Drago Siliqi. Nuk ishte më drejtor minoritari Spiro Xhai. Por i kish rënë skeptri edhe Sotir Çaçit. Drago Siliqi merr vesh se ishte bërë padrejtësi ndaj disave. Me mua e kishin tepruar.
Ai thërret profesor Sotir Papakriston, Dhimitër Paskon, Vedat Kokonën dhe Sotir Çaçin. Tekstualisht me këto fjalë:
-Sotir Çaçi, thuaj të vërtetën, ajo vajza që quhet Klio Mulla, a di të përkthejë mirë? Sotir Çaçi ul kokën, e ngre përsëri, e thotë:
-Ajo di të përkthejë mirë.
-Kaq më mjafton, –thotë Drago Siliqi, dhe e mbyll mbledhjen. Drago Siliqi kërkon të vete ta takoj në zyrë. Unë vete e ai më thotë:
-Të më sjellësh dhjetë faqe të përkthyera nga gjermanishtja nga “Budenbrokët”, vepër akademike e Tomas Manit. Përkthej dhjetë faqe. Më parë i lexon Dhimtër Paskoja.
-Shumë mirë janë! –më thotë, – shpjerja shpejt Dragos. Ia shpie.
Ai më thotë:
– Do t’i lexoj. Eja pasnesër. Unë vete. Hyj në një zyrë të madhe ku janë edhe disa të tjerë. Nuk i njihja, nuk dija ishin redaktorë a ç’ishin! Drago Siliqi më thotë:
-Më pëlqyen “Budenbrokët”, por do të t’i jap më pas. Më parë po të jap “Zjarrin” të Henri Barbysit, vepër me rëndësi me famë botërore dhe ka mbetur pa botuar. Pastaj më thotë tri herë, “Zjarri” është i vështirë. E tri herë më pyet:
– A do ta marrësh? – Do ta marr.
– Atëherë të bëjmë kontratën. Nënshkruam që të dy. Ata që ishin të pranishëm gjatë tri pyetjeve dhe tri përgjigjeve, zgjatnin kokën, vinin veshin, ndoshta prisnin të trembesha e të mos e merrja “Zjarrin”. Mua më dukeshin si ujqër. Shkoj me vrap te Dhimitër Paskoja.
-Zoti Dhimitër, –i them, –Drago Siliqi më dha “Zjarrin” e Barbysit. Po pse tri herë më tha “është i vështirë dhe tri herë më pyeti a do ta marrësh?”
– Sepse katër veta s’kishin dashur ta merrnin “Zjarrin”.
– Po unë e mora.
– Bëre mirë! -më thotë. Është vepër me famë. Kthehem në Korçë e i përvishem punës me përkushtim. Pasi e mbaroj “Zjarrin”, e dërgoj me postë në Shtëpinë Botuese. Me kaq nuk morën fund peripecitë. Më lajmërojnë të vete në Tiranë. Marr vesh se Drago Siliqi ia kish dhënë “Zjarrin” Eqrem Bibës për ta redaktuar.
Eqrem Biba o i kish hedhur një sy, o s’i kish hedhur fare, por i thotë Drago Siliqit se “Zjarri” nuk përkthehet dot në shqip. Unë e nuhas rrezikun. Por për fat më shkrep një ide e mirë dhe vendos menjëherë t’i bëj një letër Drago Siliqit. Duke mposhtur druajtjen, por edhe ngurrimin që kisha pasur gjer atëherë, i them në letër: “Jo vetëm ‘Zjarri’, por çdo vepër nga letërsia botërore mund të përkthehet në shqip, se shqipja është shumë e pasur.
Që Eqrem Biba tha se ‘Zjarri’ nuk përkthehet dot në shqip, e tha, o se është ai vetë dashakeq, o i fryrë nga të tjerë, që nga shpirtvogëlsia e nga ligësia më zunë udhën vite me radhë, e tani po orvaten të më mbyllin udhën e porsaçelur. Pra, Eqrem Biba gënjeu pa turp”. Letrën nuk ia shpie në zyrë. Gjej adresën dhe vete në shtëpi të tij. Takoj të shoqen, një grua e sjellshme.
I them emrin tim dhe i lutem t’ia japë Drago Siliqit. -Mos ki merak, -më tha. -Do t’ia jap sapo të vijë. Unë e di si është puna. Takoje në zyrë nesër ose pasnesër”. Unë bëj durim. Vete në Shtëpinë Botuese të pasnesërmen. Nuk hyj në zyrë, se mund të ishin edhe të tjerë. Pres me ankth në korridorin e madh. Për fat nuk ishin shumë dhe Drago Siliqi del në korridor. Sapo më sheh, afrohet dhe më thotë:
-E lexova letrën. Ia hoqa redaktimin Eqrem Bibës dhe ngarkova ta bëjë Hamit Kokalari se është ndër ata që e dinë më mirë frëngjishten në Shqipëri. Nga këto fjalë më shkriu gjaku. Pastaj ai më thotë se redaktimi do të bëhej në praninë time, e duhej të vija çdo ditë në Shtëpinë Botuese. Kjo gjë nuk ishte bërë ndonjëherë, e nuk u bë tjetër herë. Vajta çdo ditë, me kënaqësi. Redaktimi u bë ndershmërisht.
Me të mbaruar Hamit Kokalari, i kishte thënë Drago Siliqit se “Zjarrin” mund ta dërgonin në shtyp. Kur vete te Drago Siliqi, më thotë: -Hamit Kokalari foli shumë mirë për ty, e më sugjeroi të të jap vepra të tjera. “Njeri i mirë, i drejtë, i ndershëm Hamit Kokalari”, them me vete. Drago Siliqi më jep “Budenbrokët” e Tomas Manit. Shkoj në shtëpinë e Dhimitër Paskos. Të gjithë gëzohen që filloi të më ecë mbarë.
Dhimitër Paskoja më thotë: -Erdhi më në fund një drejtor i drejtë, t’u bëjë drejtësi përkthyesve që punojnë ndershmërisht. Më ndihmoi shumë Dhimitër Paskoja, vërtet njeri shpirtmadh, siç e tha ministri Taqi Skëndi. “Zjarri” u botua e u ribotua. “Budenbrokët” dhe disa “Tregime gjermane” nga Paul Haize i përktheva në Korçë, si bashkëpunëtore e jashtme, po ashtu si “Zjarrin”.
Pas martese mund të banoja në Tiranë. Drago Siliqi më emëroi në Shtëpinë Botuese. Më luftuan disa burra, luftova edhe unë. Ata luftuan me armët e gënjeshtrës, unë luftova me armët e së vërtetës për të drejtën time dhe fitova. Tani kush ka prirje për të përkthyer, mund të përkthejë lirisht se askush nuk i bëhet më pengesë askujt.
Panorama/d.i.