• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Saturday, August 29, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Kukan: Jam besimplotë se palët do të miratojnë Reformën në Drejtësi

by Aalison Pearse Stevens
22/04/2016 17:43
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter
Eduard Kukan, ish-kryetar i Delegacionit të Parlamentit për Evropën Juglindore, është një njohës dhe dashamirës i Shqipërisë. Ai e ndjek me vëmendje politikën e Tiranës zyrtare, duke bërë herë pas here edhe ndërmjetësin në raste krize apo çështjesh të ndryshme, siç ishte së fundi ligji për dekriminalizimin etj. Si bashkëraportues në përgatitjen e raportit të PE-së për Shqipërinë, i cili u votua javën e kaluar, ai analizon situatën dhe jep opinionet e tij për disa nga prioritetet e vendit, në pritje të çeljes së negociatave me BE-në.

Parlamenti Evropian votoi raportin e BE-së për vitin 2015 mbi Shqipërinë, i konsideruar si një program pune në vazhdim për autoritetet shqiptare. Cili është vlerësimi juaj për këtë dokument?

Ne jemi përpjekur të bëjmë një raport inkurajues dhe realist. E kam ndjekur përgatitjen e këtij raporti edhe në cilësinë e raportuesit oponent dhe jam i kënaqur që gjetëm mirëkuptim, me kolegët e mi në Parlamentin evropian, për mesazhet kryesore të këtij raporti. Dhe mesazhi i tij thelbësor është se Shqipëria ka shënuar progres në reformat e domosdoshme për etapën e re që pret. Sigurisht, vazhdimi i këtyre reformave dhe zbatimi në praktikë do të jetë përcaktues për çeljen e negociatave.

Ky raport thekson, ndër të tjera, se pa një dialog politik të qëndrueshëm dhe bashkëpunim të përgjegjshëm midis qeverisë dhe opozitës këto reforma nuk mund të vazhdohen e të vihen në jetë. Përse është kaq i vështirë ky dialog midis politikanëve shqiptarë?

Sigurisht, duhet thënë se dialogu politik është një aspekt thelbësor i jetës politike dhe, si i tillë, ai është i rëndësishëm edhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kjo do të thotë se të gjitha partitë e mëdha politike duhet të kenë mirëkuptim për sa u përket reformave dhe orientimeve kryesore të Shqipërisë, që është hyrja në BE. Mirëpo, për mendimin tim, ky objektiv nuk mund të arrihet pa një bashkëpunim midis partive politike, shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në këtë proces. Dihet se ky bashkëpunim nuk ka funksionuar gjithmonë në Shqipëri. Pra, duhet kuptuar se sa më i mirë të jetë ky dialog, aq më i dobishëm është ai për vendin dhe qytetarët.

Siç e dini, autoritetet shqiptare po përgatisin një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, për t’iu përgjigjur kërkesave dhe shqetësimeve të vazhdueshme të qytetarëve. Si e gjykoni juve këtë reformë dhe a besoni se ajo të votohet nga të dyja palët : PS e PD?

Me sa jam në dijeni, të gjitha partitë politike në Shqipëri kanë punuar shumë për këtë reformë që prej disa kohësh tashmë. Unë jam i bindur se është në interesin e tyre krijimi i një sistemi të pavarur, të përgjegjshëm e më funksional, dhe që vendi të bëjë progres të mëtejshëm. Kjo nuk është vetëm një nga kërkesat e procesit të integrimit në BE, por është gjithashtu çështja që vetë qytetarët do të vlerësonin jashtëzakonisht. Pas vizitës sime të fundit në Tiranë, mendoj se të gjithë drejtuesit politikë kanë një vlerësim të ngjashëm për sa i përket rëndësisë së kësaj reforme dhe shpresoj se ajo do të miratohet nga të dyja palët.

Shqipëria ka marrë disa masa të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. Megjithatë, korrupsioni është mjaft i përhapur, thuhet në këtë dokument. A mendoni se autoritetet shqiptare kanë shumë për të bërë, për të arritur tregues të prekshëm sidomos në fushën e ndjekjes, zbulimit dhe dënimit të korrupsionit në të gjitha nivelet?

Ne i vlerësojmë masat e marra nga autoritetet shqiptare për të luftuar korrupsionin. Por ky është vetëm fillimi i një procesi të gjatë. Siç e kemi ndjekur këtë edhe në vende të tjera të rajonit, korrupsioni është shpesh i rrënjosur thellë në sistem e në vetë shoqërinë. Për pasojë, ndryshimi kërkon kohën e vet. Lufta kundër korrupsionit duhet marrë shumë seriozisht dhe ne kemi nevojë të shohim se askush nuk qëndron mbi ligjin. Ne duhet të sigurohemi se autoritetet kompetente i kushtojnë vëmendje të vazhdueshme e në mënyrë sistematike ndëshkimit të korrupsionit. Këtë kërkon edhe shoqëria shqiptare. Kjo është një arsye për të cilën BE-ja, por edhe qytetarët shqiptarë kanë nevojë të shohin një bilanc bindës në luftën kundër korrupsionit. Kjo do ta rriste besimin e qytetarëve për institucionet dhe do ta ndryshonte edhe perceptimin e tyre për korrupsionin.

Ligji mbi shërbimin publik audiovizual dhe RTSH është në përputhje me normat e BE-së. Financimi është po ashtu i pavarur nga qeveria. Por zgjedhja e këshillit drejtues të RTSH është vonuar nga një bllokim ligjor, me sa duket me motive politike. Tani, me ndryshimin e ligjit, RTSH mund të përshtasë statusin e tij dhe të bëjë ndryshimet e duhura në drejtimin e tij. Megjithatë, juve keni bërë kritikë për këtë ndryshim. Cili është shqetësimi juaj ?

Po, bëhet fjalë për një ndryshim procedure për zgjedhjen e drejtorit të RTSH, institucionit mediatik publik. Këtij problemi ne i kemi kushtuar vëmendje disa kohë më parë. Ngërçi politik ka vazhduar prej një kohe të gjatë dhe kjo e ka dëmtuar punën e këtij institucioni. Megjithatë, unë mendoj se paaftësia për të gjetur një kandidat me konsensus, nuk duhej të bëhej shkak për ndryshimin e procedurës. Është detyrë e politikanëve që të sigurojnë funksionimin e mirë të radiotelevizionit publik, duke zgjedhur me konsensus kandidatin për postin e drejtorit. Unë po e ndjek këtë çështje dhe shpresoj që ajo të zgjidhet në përputhje me ligjin. Përparësi në këtë rast duhet ta ketë interesi publik.

Siç thuhet edhe në raport, vendi ka bërë progres të dukshëm, por nuk ka ende një afat për çeljen e negociatave për pranimin në BE. Edhe kësaj radhe europërlamentarët mbështetën idenë se çelja e negociatave do të ishte një inkurajim për vazhdimin e reformave, por edhe një zotim konkret edhe i vetë BE ndaj Shqipërisë. Ju si e gjykoni këtë çështje?

Sipas përvojës sime, procesi i aderimit mund ta përshpejtojë procesin e reformave. Në këtë kuptim, çelja e negociatave mund të sjellë një ndryshim të ri për vendin. Shqipëria ka bërë progres dhe unë shpresoj se ajo do të jetë së shpejti në gjendje të nisë diskutimin për data konkrete me BE-në. Megjithatë, përgatitja për çeljen e këtyre negociatave është një proces i thellë dhe i gjithanshëm, kur një vend është gati ta përballojë edhe procesin për t’i bindur anëtarët e BE-së se ai i ka përmbushur tashmë kriteret për çeljen e këtyre negociatave.

Intervistoi: Gjovalin Kola

Next Post

Takimi me Lu dhe Vlahutin, Berisha: Fokusi te Shullazi e reforma në drejtësi

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

FOTO/ Dhunon dhe kanos bashkëshorten pas sherrit në familje, arrestohet i moshuari! I gjendet dhe arsenal armatimi në banesë

FOTO/ Dhunon dhe kanos bashkëshorten pas sherrit në familje, arrestohet i moshuari! I gjendet dhe arsenal armatimi në banesë

August 29, 2026
FOTO/ U kap bashkë me Ergys Agasin, ish-zyrtarit të policisë Uljan Shpataraku i sekuestrohet arsenali i armatimit që iu gjet dhe i hiqet leja!

FOTO/ U kap bashkë me Ergys Agasin, ish-zyrtarit të policisë Uljan Shpataraku i sekuestrohet arsenali i armatimit që iu gjet dhe i hiqet leja!

August 29, 2026
Flakët djegin hektarë me pyje dhe bimësi në disa zona të Librazhdit, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme!

Flakët djegin hektarë me pyje dhe bimësi në disa zona të Librazhdit, dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme!

August 29, 2026
Vandalizëm në resortin e Trumpit, 7 të akuzuar në “lidhje me terrorizmin”

Vandalizmi në resortin e Trumpit në Skoci, 7 persona të akuzuar për “lidhje me terrorizmin”

August 29, 2026
Tradita shqiptare dhe turistët, mesazhi i Ramës: Vizitorët shijojnë mbrëmjet tradicionale shqiptare, mikpritjen dhe energjinë!

Tradita shqiptare dhe turistët, mesazhi i Ramës: Vizitorët shijojnë mbrëmjet tradicionale shqiptare, mikpritjen dhe energjinë!

August 29, 2026
Fundjava e fundit e gushtit dynd edhe më shumë pushuesit kosovarë drejt Shqipërisë, kolonë e gjatë mjetesh dhe radhë në Morinë

Fundjava e fundit e gushtit dynd edhe më shumë pushuesit kosovarë drejt Shqipërisë, kolonë e gjatë mjetesh dhe radhë në Morinë

August 29, 2026
VIDEO/ Mediat iraniane publikojnë pamje të pashfaqura më parë të Mojtaba Khameneit, pas muajsh të tërë ‘zhdukjeje’!

Mojtaba Khamenei njofton rikthimin si lideri suprem me një mesazh për iranianët, thirrje për shmangie të konflikteve politike

August 29, 2026
Nepali refuzon ndihmën e huaj për shpëtim pas përmbytjeve -

Rëndohet edhe më shumë bilanci i katastrofës në Nepal dhe Tibet, 633 të vdekur dhe mbi 2300 të zhdukur! Vijon aksioni i kërkim-shpëtimit

August 29, 2026
Tetë vatra zjarri aktive, vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri në Dajt dhe Lurë

Luftë me flakët në Dajt dhe Dibër, Ministria e Mbrojtjes bën bilancin e 24 orëve: Nga 34 vatra zjarri, 5 ende aktive! S’ka rrezik për banorët

August 29, 2026
VIDEO/ Rusia sulmon Ukrainën me dronë, shpërthime në një depo me eksplozivë pranë Kievit!

VIDEO/ Rusia sulmon Ukrainën me dronë, shpërthime në një depo me eksplozivë pranë Kievit!

August 29, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com