Në total janë 37.178 miliardë lekë, ose rreth 371 milionë USD toka të lira, që do të shërbejnë për kompensimin e pronarëve. Gazeta Panorama boton sot dokumentet dhe afatet e përcaktuara nga vendimi i qeverisë për kompensimin fizik, si dhe pjesëmarrjen në ankandin e tokave të lira.
Kjo metodë e re e kompensimit për ish-pronarët do të përdoret për 23 mijë hektarë tokë në qarqet Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Elbasan. Agjencia ka llogaritur se në total janë 233,689,326 m2 tokë arë, pemëtore, vreshta dhe ullishta të lira për kompensim fizik. Në total kjo sipërfaqe është e ndarë në 23400 pjesë.
Por qeveria ka llogaritur edhe çmimin. Kjo sipërfaqe prej 23 mijë hektarësh ka një vlerë prej 37,178,807,681.74 lekë, ose 371 milionë USD. Krahas tokave të lira, qeveria ka edhe disa objekte shtetërore të cilat i ka vënë në dispozicion të pronarëve për kompensim. Janë gjithsej 156 godina, kryesisht të rrënuara, të cilat do të përdoren nga Agjencia për ish-pronarët.
Krahas ankandit për 23 mijë hektarët dhe 156 objektet, qeveria ka gjetur një tjetër metodë për kompensim. Duket e rrallë, por është e shkruar në vendim. Pronarët mund të gjejnë vetë toka, apo godina shtetërore të papërdorshme dhe të marrin pjesë në ankand për t’i pronësuar.
Vendimi thekson se pronarët që gjejnë tokën e lirë, duhet të paraqesin pranë Agjencisë “vërtetim nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për statusin juridik të pronës që kërkohet, shoqëruar me kartelën e pasurisë dhe hartën treguese dhe vërtetimin nga Bashkia se sipërfaqja e tokës, sipas studimit dhe/ose gjendjes faktike, nuk ka funksion publik”. Pra, vendimi nxjerr pronarët “në gjah” për toka të lira, në mënyrë që t’i pronësojnë. E habitshme, por e vërtetë.
SI NDAHEN 23 MIJË HEKTARËT
Për 23 mijë hektarë tokë mund të aplikojnë të gjithë pronarët që kanë një vendim përfundimtar për kompensim. Në ankandin për kompensimin fizik, nuk ka rëndësi rendi kronologjik i vendimit. Agjencia e pronave nxjerr në faqen e saj zyrtare pronat të cilat do të nxirren në ankand për ishpronarët. 20 ditë pas këtij njoftimi, pronarët duhet të dorëzojnë aplikimin në Agjenci.
Kjo e fundit brenda 10 ditëve duhet të marrë vendim për shpalljen e fituesit. Aplikimi bëhet nga të gjithë pronarët që kanë një vendim përfundimtar, i cili ka njohur të drejtën për kompensim. Si rregull duhet që vendimi për kompensim të ketë edhe vlerën financiare. Pra, pronarit i njihet një sipërfaqe toke e zënë, me një vlerë financiare prej x lekësh. Por qeveria është e interesuar të kryejë kompensimin me ankand, ndaj në vendimin e saj parashikon që edhe kur pronarët nuk kanë një vlerësim financiar të pronës së njohur, mund të marrin pjesë.
Do të jetë Agjencia që do të ketë prioritet vlerësimin e menjëhershëm financiar të pronës. Me këtë dokument, pra me vendimin që prona e zënë ka një vlerë prej x lekësh, pronarët mund të marrin pjesë në ankandin për blerjen e një nga 23400 pronave tokë bujqësore, apo 156 objekteve shtetërore.
Në rast se prona shitet, atëherë pronari quhet i kompensuar. Në rast se pronat nuk shiten në ankand, atëherë Agjencia i nxjerr në ankand publik, pra për të gjithë qytetarët e vendit. Paratë shkojnë për kompensimin e pronarëve.
GJEJE TOKËN VETË
Pika tjetër e vendimit është ajo që i nxjerr pronarët në “gjah” për toka shtetërore të papërdorshme. Këtu duket se vendimi do të krijojë një situatë të pazakontë, njësoj si me koncesionet.
Në vendim, kjo pjesë titullohet “kompensimi fizik me pronë shtetërore”. Bëhet fjalë për sipërfaqe toke, pronë shtetërore, të cilat nuk ushtrojnë funksion publik. Vendimi përcakton se Agjencia mund të përdorë këtë tokë për kompensimin fizik të pronarëve, por do të jenë pronarët që do të gjejnë tokën e lirë.
Dhe për ta vërtetuar këtë, ata duhet të paraqesin, krahas vendimit që janë pronarë, edhe “vërtetimin nga Bashkia se sipërfaqja e tokës, sipas studimit dhe/ose gjendjes faktike, nuk ka funksion publik”. Por edhe pse e ka gjetur tokë, ngjitur me pronën që ka patur para se t’ia konfiskonte regjimi, sërish pronari nuk është fitues.
Ai duhet të marrë pjesë në ankand, dhe në rast se ka një tjetër pronar që jep një vlerë më të lartë, atëherë ai nuk bëhet fitues. Për të qartësuar më shumë dy mënyrat e kompensimit fizik, gazeta po boton tabelat me vendimin e qeverisë, ku përcaktohen hapat për të marrë pjesë në ankand.
DY MËNYRAT E KOMPENSIMIT FIZIK
KOMPENSIMI FIZIK ME ANKAND
Të gjithë subjektet që kanë një vendim përfundimtar, i cili ka njohur të drejtën për kompensim, pavarësisht rendit kronologjik, kanë të drejtë të marrin pjesë në ankand nëse ata shprehin vullnetin me anë të kërkesës për të përfituar kompensim fizik nga fondi i tokës, pavarësisht rendit kronologjik.
Nëse vendimi përfundimtar që aplikon për ankand nuk është i vlerësuar financiarisht, ATP-ja procedon me vlerësimin financiar të këtij vendimi, pavarësisht rendit kronologjik të tij. Kompensimi fizik me ankand do të realizohet për pronat shtetërore, pjesë e fondit të tokës dhe për objektet shtetërore, pjesë e fondit të kompensimit fizik të miratuar, si dhe objektet shtetërore, të cilat i kanë kaluar fazat e privatizimit, por nuk ka qenë e mundur shitja e tyre.
Në ankand mund të marrin pjesë të gjithë subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi. Në rastet kur vendimi përfundimtar i kompensimit ka vlerë më të vogël sesa vlera e pronës, objekt i ankandit, atëherë kërkesa e subjektit refuzohet. ATP-ja bën njoftimin publik për kryerjen e ankandit në faqen e saj të internetit, në Buletinin e njoftimeve zyrtare dhe, sipas rastit, në një nga gazetat me shpërndarje në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Njoftimi duhet të përmbajë:
- a) vendndodhjen e pronës;
- b) karakteristikat e pronës;
- c) të dhënat identifikuese të pasurisë
ç) vlerën e pronës;
- d) afatin e dorëzimit të ofertave dhe vendin ku depozitohen ato. Procedura që do të ndiqet në fazën e parë të ankandit do të jetë ajo me përzgjedhje të blerësve. Kandidatët (subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi) aplikojnë pranë ATP-së brenda 20 ditëve, nga dita e shpalljes së ankandit.
ATP-ja, brenda një afati kohor prej 10 ditësh nga dita e hapjes së ofertave, përcakton fituesin në mbështetje të kritereve të çmimit më të lartë të ofruar. Nëse ankandi për shitjen e pronës nuk realizohet dy herë radhazi, për subjektet që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi, atëherë ATP-ja bën një ankand publik me procedurë të hapur për shitjen e kësaj prone, duke njoftuar çdo palë të interesuar për të marrë pjesë në ankand.
Në rast se pas ankandit publik prona, objekt i ankandit, nuk tjetërsohet, atëherë ajo përdoret për kompensimin fizik të subjekteve që disponojnë një vendim përfundimtar kompensimi. Subjektet mund të paraqesin kërkesë, për t’u trajtuar me kompensim fizik.
KOMPENSIMI FIZIK ME PRONË SHTETËRORE
Në fondin e pasurive të paluajtshme, që mund të përdoren për kompensim fizik, bëjnë pjesë sipërfaqe toke, pronë shtetërore, të cilat nuk ushtrojnë funksion publik. ATP-ja mund të përdorë për kompensim fizik me pronë shtetërore pasuri, të cilat, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, figurojnë në pronësi të shtetit dhe plotësojnë, të paktën, njërën nga kushtet e mëposhtme:
- a) Toka të ndodhet ndërmjet ose ngjitur pronave/pronës së kthyer me vendim përfundimtar administrativ apo gjyqësor;
- b) Toka të mos ketë asnjë funksion publik;
- c) Toka të mos ketë vlerë më të madhe sesa vlerësimi i tokës së njohur për kompensim;
ç) Toka, fizikisht, me vërtetimin e organit kompetent për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, nuk prek infrastrukturën apo ndonjë zhvillim publik të ardhshëm.
- Subjektet e interesuar, të cilët disponojnë një vendim përfundimtar që ka njohur të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, që të përfitojnë kompensim fizik, sipas këtij kreu, duhet të paraqesin:
- a) kërkesën për kompensim fizik me pronë shtetërore, pranë ATP-së;
- b) sipas rastit, vendimin përfundimtar të ish-AKKP-së, ish- ZRKKP-së, ish-KKKP-së apo vendimin gjyqësor përkatës, që njeh të drejtën e kthimit dhe kompensimit të pronës, shoqëruar me planvendosjen e vendimit;
- c) vërtetim nga zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për statusin juridik të pronës që kërkohet, shoqëruar me kartelën e pasurisë dhe hartën treguese;
ç) vërtetimin nga Bashkia se sipërfaqja e tokës, sipas studimit dhe/ose gjendjes faktike, nuk ka funksion publik. ATP-ja, brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, ndjek për realizimin e kësaj procedure hapat e mëposhtëm:
- a) bën botimin në faqen zyrtare të institucionit, në Buletinin e njoftimeve zyrtare dhe/ose në media të të dhënave të tokës, sipas kategorisë dhe vlerës së përcaktuar, duke lënë si afat të paraqitjes së kërkesave nga subjekte të tjerë, që mund të plotësojnë kërkesat e mësipërme, 30 ditë nga data e botimit;
- b) pranon të gjitha kërkesat e paraqitura brenda afatit 30-ditor për këtë truall dhe i shqyrton ato brenda 45 ditëve;
- c) merr vendim për kompensim fizik në pronën shtetërore, sipas këtij vendimi, duke respektuar radhën e preferencës.
PANORAMA