14 shtatori/ Izet Haxhia: Ishim 150 të armatosur në funeralin e Hajdarit, do hidhnim në erë…
Izet Haxhia vijon të komentojë ngjarjet e 14 shtatorit në gazetën Dita. Ai shprehet se “në mitingun mortor të Hajdarit kemi shkuar të armatosur, kemi qenë një grup rreth 150 veta, që do pushtonte institucionet shtetërore. Veprimet nuk ishin spontane, por të përgatitura nga ana e Berishës dhe të zbatuara nga ky grup i armatosur, pjesë e të cilit kam qenë edhe unë; u ndihmuam nga forcat e armatosura të qeverisë Bukoshi, nën emrin e FARK-ut. Furnizimi me armë për pjesën tjetër është bërë nga depoja që ndodhej tek Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe që ishte planifikuar të hidhej në erë më pas”.
Ai thotë gjithashtu se krushku i Berishës, Luan Malltezi u shtri si i vdekur mes shtënave, në një pellg uji dhe jashtëqitjesh të tij. “Në mes të katrahurës ku qëllohej nga kush kishte në dorë një armë, shof një njeri me kostum të shtrirë në një pellg që m’u duk si gjak, por që doli që ishte ujë i përzier me gjëra të tjera. Ju them atyre që kisha pranë: Shifeni se më duket si i plagosur! Sepse në intervale kohe ai lëvizte ndonjë gjymtyrë. Kur afrohemi, ç’të shof! Ishte Malltezi krushku i Berishës që braktisi arkivolin dhe ishte shtrirë në një pellg, duke e shumuar këtë me lëngjet e veta që i dolën pa dashje dhe duke bërë numra si i vdekur. E ngritëm në këmbë. U lehtësuam se ai ishte shëndoshë e mirë, paçka se i dukej vetja si i plagosur nga lagia e dyfishtë…”, thotë Haxhia.










