Ish kreu i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi, kujton ngjarjet e grushtit të shtetit të 14 shtator 1998-ës, kur gjatë ceremonisë mortore të Azem Hajdarit, turma e armatosur me arkivolin në krah, sulmoi selinë e Këshillit të Ministrave. I ftuar në emisionin “45 minuta” në Report Tv, Klosi tregon një detaj të padëgjuar më parë kur pas grushtit të shtetit të opozitës së asaj kohe, Shërbimit Informativ Shqiptar i është kërkuar nga Shërbimet Informative të vendeve partnere të bastisin në kushtet e flagrancës selinë e Partisë Demokratike, pasi kishte informacione se ishte e mbushur me armë.
Klosi thotë se SHISH dhe Policia nuk mund të ndërmerrnin një operacion të tillë pas revoltës së armatosur te Kryeminsitria dhe RTSH, pasi s’kishin kapacitete njerëzore. Sikurse, thekson Klosi, kishte dhe mungesë të funksionimit të institucioneve, pasi kryeministri i atëhershëm, Fatos Nano, ishte larguar dhe për të s’dihej asgjë.
“Na e kërkuan shërbimet e huaja, hyni në ndërtesën e PD, se është plot me armë atje, por ne s’kishim njerëz. Ata ishin në kushtet e flagrancës. Kishin bërë një grusht shteti dhe ishin në kushtet e flagrancës. Kryeministri s’ishte në Tiranë që mund të merrej një vendim. Këshilli i Sigurimit mund ta kishte marrë atë vendim. Nuk u bë. I vetmi institucion që funksiononte ishte Presidenti dhe kryetari i Kuvendit, përfshirë dhe 2-3 ministra. Në 13 shtator, u mblodh qeveria në selinë e Këshillit të Ministrave ku u dhanë udhëzimet dhe asgjë prej tyre s’u bë. Sepse kryeministri i ishte i pari që iku në drejtim të paditur. Sot Berisha ka për qëllim të diskreditojë, jo se mund të bëjë ndonjë gjë“, u shpreh Klosi.
Ish kreu i SHISH thekson gjithashtu se gjatë përgjimeve ditën e grushtit të shtetit, 14 shtator, është zbuluar se Berisha u urdhërua nga SHBA që të tërhiqte turmat nga Kryeministria dhe TVSH.
Duke bërë përgjegjës Berishën si planifikues të grushtit të shtetit, Klosi thekson gjithashtu se strukturat e inteligjencës kishin informacione se një grup i armatosur po përgatitej në Shkodër për të sulmuar institucionet.
Sipas tij, 14 shtatori ishte një ndryshim plani dhe Berisha shfrytëzoi vrasjen e Azem Hajdarit për këtë.
Z.Klosi, për ngjarjet e vitit ’98 kemi dy deklarata të forta të z.Berisha që thotë se mund ta ribëjë me më pak njerëz kurdo, dhe nga ana tjetër Izet Haxhia që thotë se ishte urdhëruar nga Berisha të ekzekutonte grushtin e shtetit…
E gjithë ajo situatë ishte e përgatitur nga Sali Berisha. Nuk ka asnjë dyshim. Kjo pjesë është e vërtetë. Ai e organizoi, ai e realizoi dhe po ai u tërhoq kur e pa se ajo mënyrë s’të çonte asgjëkundi. Çfarë do të bënte të nesërmen? Kush do ta pranonte në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë? Unë atë ditë kam qenë në krye të detyrës. E prisnim në Shkodër, e dinim që po përgatiteshin 2000-3000 veta. Do fillonte një kryengritje dhe do të zbrisnin në Tiranë. Përfytyron in atë që ndodhi në Vlorë. Kjo ka ndodhur përpara vrasjes së Azem Hajdarit. Përgatitjet ishin të hershme. Vrasja e Azem Hajdari ishte sebepi. Pastaj, doli në Tv përfaqësuesi i monarkisë që tha se kemi fituar e më pas u tërhoqën te ndërtesa e PD. Përsa i takon asaj që e bën dot sot apo jo? Jo, nuk e bën dot. Ai mund të mburret sa të dojë, por nuk e bën dot më. Berisha ka vetëm një qëllim, do që të trembë. Do të trembë ata që janë në pushtet, kryeministrin, ministrin e Brendshëm, duke iu thënë jeni në dorën time. Është një taktikë e tij e luftës politike. Shiko sot, PD s’ka asnjë alternativë. Alternativa më e madhe janë premtimet e Lulzim Bashës për uljen e taksave, pa thënë asnjëherë se si do të funksionojë shteti nëse nuk mbledh taksat. Janë dy linja paralele, njëri ofron mirësi, prosperitet në Shqipëri në stilin e tij dhe ky tjetri tremb, përhap frikën që ca njerëz të joshen nga i pari dhe ca të tjerë të tremben.
Mos vallë ia ka arritur, duke qenë se ata të palës tjetër nuk reagojnë…
As unë nuk do të reagoja. Unë do ta quaja të marrë. Është Prokuroria, Policia, që duhet të mbajnë qëndrim. Kur një qytetar i pazakonshëm, politikani më jetëgjatë dhe më i rëndësishëm si majtas e djathtas, bën të tilla deklarata… Ai kështu ka funksionuar, po plaket nga pak edhe po degradon. Mosdeklarimin ose mospërgjigjen nga pozita e quaj të arsyeshme. Kur thotë absurditete të tilla është budallallëk t’i përgjigjesh. Ne po kërkojmë të hyjnë në BE, ky thotë që unë bëj grusht shteti, me 5 mijë vetë e marr Shqipërinë.
Ka bërë deklarata të pazakonta për kalibrin e një politikani si Berisha, pohimi për hapjen e depove në 97-ën…
Askush s’kishte tagrin për hapjen e depove. Ajo dihet. Unë kam gjetur dokumente në SHIK sesi u armatosën, dhe kush u armatos nga veriu për ta çuar në luftë kundër jugut. Unë nuk çuditem që ai vazhdon më atë lojë, por situata është tjetër. Ai gabon rëndë, por duke qenë në fundin e karrierës e tij edhe s’mban shumë përgjegjësi.
Ju informacionet ia jepnit Presidentit dhe Kryeministrit të asaj kohe. Ja keni dhënë për këtë problematikë që shkaktonte Berisha?
Liderët e majtë s’e kishin aq të lehtë atë situatë. Policia ishte në duart e njerëzve të tij. Vetëm një vit më pas, ende s’kishte ndërruar gjë. Ditën e 14 shatorit, policët e u zhdukën nga qarkullimi dhe dolën atëherë kur u mbyll ajo punë. Kishte plot njerëz që thonin pse duhet të sakrifikoj unë. Dhe plot të tjerë e kishin marrë atë urdhër. Ishte komplet e organizuar. Furgonat me armë në bulevard nuk ishin të rastësishme. Na e kërkuan shërbimet e huaja hyni në ndërtesën e PD, se është plot me armë atje, por ne s’kishim njerëz.
Selia e PD ishte plot me armë?
Absolutisht po. Plot me armë. Ata ishin në kushtet e flagrancës. Kishin bërë një grusht shteti dhe ishin në kushtet e flagrancës. Kryeministri s’ishte në Tiranë që mund të merrej një vendim. Këshilli i Sigurimit mund ta kishte marrë atë vendim. Nuk u bë. I vetmi institucion që funksiononte ishte Presidenti dhe kryetari i Kuvendit, përfshirë dhe 2-3 ministra. Në 13 shtator, u mblodh qeveria në selinë e Këshillit të Ministrave ku u dhanë udhëzimet dhe asgjë prej tyre s’u bë. Sepse kryeministri i ishte i pari që iku në drejtim të paditur. Sot Berisha ka për qëllim të diskreditojë, jo se mund të bëjë ndonjë gjë.
Po deklaratat e Izet Haxhisë, ai pranon se ka ekzekutuar grushtin e shtetit të 14 shtatorit…
Është i filmuar mbi derën e Radio Televizionit. Ne kishim informacione se përgatitjet kishin filluar me kohë. Që në fillim të gushtit dhe problemet për qeverinë do nisin nga veriu, nga Shkodra dhe jo nga Tirana. Për ne qe ndryshim skeme, por ata përdorën vrasjen e Azemit dhe e bënë këtu.
Pas shumë vitesh, keni diçka të qartë për vrasjen e Hajdarit?
Ishte vrasje për hakmarrje. Vrasje që u shfrytëzua nga Sali Berisha.
Pse u goditën disa figura të shtetit në atë kohë, mes tyre dhe ju?
Është strategji e Berishës, hedh baltë. Në fillim tha se e vrava unë se më kishte urdhëruar Fatos Nano, pastaj tha e vrava unë se më urdhëroi Rexhep Mejdani. U ngrit një komision hetimor për mua me javë në parlament dhe një nga akuzat ishte që, “shefi i shërbimit kishte vrarë Azem Hajdarin”. Kur i pyesja unë kush ishin motivet, më thoshin të ka urdhëruar ky, të ka urdhëruar Fatos Nano.
Nga dëshmitë e kohës ju keni thënë se ia keni përcjellë disa herë Hajdarit për sulmet që mund të vinin nga Tropoja…
Ia pata thënë përmes Ministrit të Brendshëm, se unë nuk e njihja personalisht. Ishte njoftuar. Dhe ai kishte thënë se s’ka problem, i kam marrë masat. E dinte që ishte i rrezikuar. Ai u fut në siklet kur mori vesh se miqtë e tij ishin bërë aleat me vrasësit. Miqtë e tij në Partinë Demokratike. Për Izetin, ai po thotë shumë gjera në kushte të tjera. Ai është protagonist dhe mban përgjegjësi për ato që thotë.
Si e shpjegoni që Prokuroria nuk e ka thërritur asnjëherë, t’i thotë hajde të të pyes për këto deklarata?
E para ai nuk është në Shqipëri. Ai është dënuar në mungesë këtu. Dhe tani po e shfrytëzon këtë gjë atje. Prokuroria ka bërë punën e saj dhe gjykata e ka parë të udhës që ai është pjesëtar në këtë punë, duke qenë njeriu më i ngushtë i rrethit të Berishës dhe është cilësuar nga Gjykata si pjesë e asaj që ndodhi. Berisha është mburrur, nuk i pëlqeu dënimi i gjykatës se nuk u tha që vrasja ishte politike, ajo që i duhej atij për konsum politik dhe sot për këtë arsye i bën, dhe shumë herë pat thënë kur ishte në opozitë, për rreth 7 vjet, që ne do ta ribëjmë do ta hapim dhe pastaj 8 vjet s’u kujtua qoftë njëherë ta hapte këtë problem. Pra, ishte për konsum politik. Këta që janë në pushtet këta janë vrasës. Pastaj iu mbyll goja kur erdhi në pushtet.
Është thënë se Fatmir Haklaj kishte në objektiv dikë tjetër atë ditë…
Jo, absolutisht që jo. Kishte ardhur vetëm për atë.
Çfarë duhet të bëjë Prokuroria në raport me Berishën?
T’i shkojë në shtëpi dhe ta marrë. T’i thotë eja na i shpjego këto deklarata. Prokuroria duhet ta thërrasë dhe t’i kërkojë sqarime, e t’i thotë se është në shkelje të ligjit për këtë nen e atë nen, sepse janë thërritje për nxitje, për urrejtje. Po i nxit njerëzit kundër Policisë.
I ka z.Berisha 5000 simpatizantë të këtij niveli?
Jo. Kanë ndërruar kohërat. Nuk është më ajo kohë. Ishte situatë tjetër atëherë. Pas 97-ës, sapo kishte ndodhur. Pas atij rezultati në zgjedhje që u katandis PD. Ai pretendon se atëherë nuk i dhanë kohën e nevojshme për ta bërë Shqipërinë Zvicër. Por, sot ai nuk e bën dot më këtë.
Si e gjykoni faktin që pavarësisht se një ngjarje si ajo e vitit 2011, me katër të vrarë në bulevard dhe asnjë të dënuar…
Katër të vrarë të paarmatosur. Duhej kjo provë për të dëshmuar se drejtësia në Shqipëri është plotësisht e politizuar dhe plotësisht e degjeneruar.
Kur ishit në krye të SHISH, keni përgjuar ndonjëherë?
Jo, nuk kemi përgjuar sepse nuk na është kërkuar. Ditën e 14 shtatorit po, kemi përgjuar. I kemi përgjuar atë ditë thuajse të gjithë. Nga përgjimet doli se dikush tha se, “Berishës ia mblodhën nga Amerika dhe u tërhoq”. Ai në telefonatë ishte një shqiptar i vjetër nga Amerika. Ai ndërhyri. Ka kaluar shumë kohë tani, e s’ka kuptim ta diskutojmë.
Berisha thotë gjithashtu se armët në 97-ën u hapën edhe për të çliruar Kosovën…
Absolutisht jo. Është si nafta që të ngrohen kosovarët. Kontrabanda e naftës. Në 97-ën, Berisha s’dinte asgjë. Askush s’e dinte që do vinte puna për të patur armë masive. Ishin interesat e komunitetit ndërkombëtar. Kishte shumë rrethana në këtë funksion. Ai njeri ka shumë gjëra në kurriz. Shkatërroi Shqipërinë.
Thuhet se Berisha është përkrahur nga shërbimet sekrete të huaja. Keni ndonjë informacion?
Ne jemi përpjekur, por s’kemi gjetur gjë të shkruar. Oficerë të Sigurimit më kanë thënë se pse nuk i hapni dosjet, por s’kemi gjetur gjë. E kam patur unë dosjen e tij. Është ndjekur. Edhe për shkak se e shoqja e tij ka origjinë serbe. Ka qenë kjo ide, por unë s’kam parë gjë me sytë e mi. Gazidede ka qenë 5 vjet në krye të shërbimit dhe për 5 vjet mjaftojnë për të pastruar 500 arkiva. Javanews/ a.k