Nga Leon Kaza/
Në spitalin rajonal të Lezhës mungojnë 12 mjekë. Ky ishte titulli i një raportimi mediatik mbi gjendjen e burimeve njerëzore në spitalin tonë.
Një raportim ky 12 herë i genjeshtërt. Vitin e shkuar 12 mjekë dolën në pension dhe akoma nuk janë zëvendësuar, vazhdonte lajmi. Një lajm ky 12 herë i gënjeshtërt. Materniteti Lezhë nuk funksionon 24 orë përmbyllej kobshëm reportazhi, si epilog i një manipulimi të parashkruar.
Pak e vështirë tua shpjegosh këtë 1100 nënave që i janë gëzuar lindjes së fëmijës apo 550 pacienteve që i janë nënshtruar interventeve të ndryshme kirurgjikale nën kujdesin e mjekëve të këtij materniteti. Shifrat s’marrin frymë, po frymë përcjellin.
Po a kanë rëndësi statistikat përballë mjegullnajës ndotëse që më shumë se habitshëm shpërndahet lehtazi në eterin audio-viziv?! Mbulimi mediatik i çështjeve mjekësore ka shumë vlerë, mbi 50% e popullsisë adulte amerikane referon se ndjek me vëmendje raportimet mediatike mbi shëndetësinë, ndajështëi kuptueshëm roli që ka media në informimin dhe edukimin e opinionit publik mbi ato që mjekësia mund apo s’mund të bëjë. Portretizimi që media i bën sistemit shëndetësor jo vetëm ndikon mbi mënyrën se si ky sistem funksionon por fokusimi mbi problematika të caktuara ndikon edhe vendimmarrjen në nivele politikbërëse.
Saktësia me të cilën paraqiten çështje tëveçanta mund të shërbejë si moment kontradiktash ndaj vlen të diskutohet etika e raportimit mediatik mbi problemet e shëndetësisë. E panevojshme të citosh perceptimin e gabuar që krijon informacioni i mësipërm mbi aktivitetin që personeli mjekësor zhvillon në spitalin Lezhë. Dhe nuk bëhet fjalë për muranën e dekortikuar të shkrimeve në rrjete sociale, por për edicione qëndrore informative në media të rëndësishme. Nëse mungesa e mjekëve përbën problem për disa spitale është e rëndësishme që kjo të bëhet publike, por po aq e më tepër e rëndësishme është të hulumtohet mbi arsyet që na çojnë në këtë situatë.
Dy bileta, një ëndërr. Proçesi i edukimit në vazhdim bën që profesionistët e shëndetësisë të jenë të përfshirë rëndom në aktivitete shkencore jashtë Shqipërisë. Udhëtime gjithmonë round-trip, tregues i vullnetit dhe dëshirës për ta zhvilluar ëndrrën profesionale në vendin tonë. Nëse sistemi shëndetësor përballet me mungesa specialistësh ky është një moment që duhet shfrytëzuar për një debat të hapur, me shoqërinë pikë së pari. Vlen të investigohet në retrospektivë se përse u pengua hapja e specializimeve deri para disa vitesh, por jo vetëm, duhet të diskutohet në mënyrë shteruese sjellja me burimet njerëzore në sistem.
Për vite me radhë janë devijuar angazhimet kontraktuale të mjekëve që specializoheshin për spitalet e rretheve duke u rekrutuar në qendrat terciare apo sistemin privat me pasojë krijimin e vakancave në spitalet përkatëse.Aktualisht Ministria e Shëndetësisë ka ndërprerë këtë lëvizje kaotike që shkakton mungesa specialistësh në rrethe dhe dendësim të mjekëve në spitalet terciare, duke treguar vizion të qartë të shpërndarjes së burimeve njerëzore sipas nevojave dhe siguruar kujdes mjekësor aty ku kërkohet. Vlerësimi financiar me bonus për mjekë që ofrojnë shërbim në specialitete që mungojnë në zona të ndryshme është një tjetër hap mjaft i rëndësishëm qëështë ndërmarrë.
Ky është një mesazh i qartë që vlerëson rolin e mjekut si profesionist i kualifikuar larg mentalitetit fiction që i koncepton mjekët vetëm si misionarë apo perceptimit imatur të ushtrimit të mjekësisë si një detyrim në çdo kohë e jashtë çdo kushti. Përmirësimi i infrastrukturës në spitalet rajonale duke krijuar një standard bazëështë një tjetër veprim që synon mbajtjen e specialistëve në spitalet e rretheve. Por përtej lëvizjeve të lavdërueshme të institucionit përgjegjës për shëndetësinëështë koha që në thelb shoqëria të reflektojë ndaj mjekësisë dhe ofruesve të kujdesit mjekësor.
“Ky është mjeku që i mori jetën …” – ky titull iracional dhe i paimagjinueshëm bëri lajm para disa kohësh në një rast fatkeqësie pas një interventi kirurgjikal. Ndoshta edhe nën presionin e pamëshirshëm stigmatizues të këtij “lajmi”, një profesionist mjekësor i linjës së parë tentoi vetvrasjen duke injektuar doza të larta anestetikësh. Akoma sot dergjet në gjendje të pavetëdishme ndërkohë që mijra jetë të shpëtuara prej tij, mijra ditë e netë sakrifice e përkushtimi nuk merituan gjer më sot asnjë gjysëm lajmi.
“Ne i kemi kthyer mjekët në Zota, dhe prapë paradoksalisht ata janë qëniet njerëzore më vulnerabël, shkalla e vetëvrasjes së tyre është 8 herë më e lartë se mesatarja, shkalla e varësisë ndaj medikamenteve është 100 herë me e lartë, ndërsa duke qenë të vetëdishëm se nuk mund të jetojnë sipas pritshmërive tona ankthi i tyre është i pamatë. Mjekët, këta shërues të plagosur...” – Ky është një pasazh gjenial i Erich Segal, që përshtatet më së miri me një realitet fatkeqësisht të panjohur. Ndërkohë jetojmë një situatë që amplifikon dhe i drejton projektorët ndaj mjekëvekur u vihen prangat lehtësisht apo bien pre e kamerave amatore ndërsa asnjë dritëz e vogël nuk shoqëron përditshmërinë e sakrificave të tyre. A vlen të bëhet lajm infermieri dibran që ecën me orë të tëra në dëborë për të arritur tek pacienti?
A vlen të bëhen lajm mjekët e maternitetit Shkodër që ofruan kujdesin e tyre në terren ku ishte nevoja?
A vlen të bëhet lajm kolegia jonë që në situatën e përmbytjeve duke rrezikuar jetën jashtë kushteve të sigurisë me rrugë ujore, udhëtoi natën drejt Velipojës për të ofruar ndihmë pas një lindje problematike?
A vlen të bëhen lajm mjekët e maternitetit Mbretëresha Geraldinë dhe Koço Gliozheni të cilët prej një viti në mënyrë të pandërprerë ofrojnë shërbim mjekësor në Burrel?
A vlen të bëhet lajm numri impresionues i interventeve kardiokirurgjikale në QSUT?
A vlen të bëhet lajm hapja e njësisë së senologjisë në Durrës, kimioterapisë dhe hemodinamikës në Fier?
Pse bëhet lajm largimi i mjekut të talentuar nga Shkodra, ndërsa nuk bëri lajm për asnjë ditë të punës së tij të mrekullueshme?
Natyrisht bëri lajm edhe kur u akuzua padrejtësisht, pa e ditur sa ndikoi kjo akuzë në vendimin e tij për tu larguar!A mos ndoshta ky është lajmi që kemi zgjedhur të transmetojmë. Përveç kirurgjisë estetike që bën lajm po ashtu. Është koha që shoqëria të bëjë përpara, një marrëveshje e re me profesionistët e mjekësisë duhet konceptuar dhe ne duhet të jemi të hapur për këtë. Sepse askush nuk dëshiron që udhëtimi i radhës të jetë një biletë, njëëndërr!
Mendo si mjek, dhe si gazetar. Lisa Sanders është mjeke, profesore e asociuar në Yale School of Medicine. Që nga 2002 ajo është kolumniste (Think like a doctor) për New York Time Magazine, ndërsa historitë e saj intriguese në zgjidhjen e rasteve mjekësore shërbyen si frymëzim për serialin e famshëm Dr. House.
Thuajse të gjitha gazetat kanë seksione dedikuar çështjeve mjekësore, emisione televizive emetohen për problematikat shëndetësore ndërkohë që edhe krijimitaria artistike gjithmonë e më shumë ka në qendër profesionistin mjekësor. Fatura e lartë e mbulimit shëndetësor bën që edhe gazetaria investigative të jetë e interesuar ndaj problematikave të sistemit. Shembull inspirues mbetet Walt Bogdanich i cili në vitet 90’ dokumentoi në The Wall Street Journal se si teknicienë të mbingarkuar ose jo të trajnuar sa duhet interpretonin në mënyrë të pasaktë pap testet duke shkaktuar paqartësi dhe stres te pacientet nëse ishin ose jo të prekura nga kanceri i qafës së mitrës. Bogdanich jo vetëm që fitoi çmimin Pulitzer për artikullin por për më tepër shërbeu si shtysë që bordet e profesionistëve të përditësonin protokollet mbi standardet e ngarkesës në punë dhe trajnimin e personelit që merrej me interpretimin e rezultateve të pap testit.
Vetëm disa vite më vonë Bogdanich raportoi mbi konfliktin e interesit që mjekët kishin duke marrë përfitime monetare nga referimi i pacientëve drejt strukturave të ndryshme spitalore apo laboratorike. Kjo u bë shkak i ndryshime të shumta ligjore që fenomeni të eleminohej. Ky shembull i shkëlqyer i gazetarisë investigative vlen për të kuptuar rëndësinë e profesionalizmit që duhet të ketë raportimi mediatik. Shumë universitete në botë e kanë zgjeruar kurikulën e gazetarisë duke përfshirë edhe njohuri mbi çështjet e sistemit shëndetësor, ndërkohë që gazetarë të ndryshëm janë pjesë e trajnimeve të vazhdueshme me qëllim thellimin e njohurive mbi sistemin shëndetësor dhe ja dedikojnë aktivitetin e tyre profesional vetëm kësaj fushe.
Vetëm përmes profesionalizmit dhe standardit të gjithëpranuar etik do të tejkalohen situata konfliktuale të cilat shpesh here i shtrëngojnë strukturat spitalore dhe mjekuntë heshtë. Por heshtja nuk është zgjidhje. Titulli i këtij shkrimi është qëllimshëm pak provokues. Kjo edhe për theksuar faktin se titulli nuk është lajmi. Në turravrapin dehës përaudiencë të shtuarndonjë herë titujt nuk kanë lidhje me brendinë që materiali paraqet.
Rasti me raportimin për numrin e mungesave të mjekëve në spitalin tonë ishte i tillë.Shumë gazetarë profesionistë nxjerrin në pah probleme reale duke orientuar korrektimin në mënyrën se si ne mjekët e ofrojmë kujdesin shëndetësor apo mënyrën se si vetë sistemi funksionon. Kjo është jo vetëm e drejtë por edhe shprehje e qartë e faktit se media është një aleate e domosdoshme nërrugëtimin tonë dhediskutimet profesionale, jo tendencioze janë vektori i duhur që arrin në rezultantet e dëshiruar; përmirësimin e sistemit shëndetësor, me median si dishepull i shumëfishuar i të Vërtetës!