Nga Afrim Krasniqi/
12-15 kushtetuta në 100 vjet? Një Kushtetutë për më pak se një dekadë, – një eksperiment i vazhdueshëm në marrëdhënien e brishtë të shqiptarëve me shtetin dhe regjimet e tyre. Kushtetuta është “e shenjtë”, – thonë politikanët, të cilët kanë perceptim tjetër mbi “shenjtërinë” nga ai që përcaktohet në fjalorin politik dhe fetar.
Të gjithë e dimë se Kushtetuta është baza ligjore mbi të cilën ngrihet shteti dhe funksionon qeverisja. Ekzistenca e saj nuk tregon se shteti e shoqëria ecin në rrugë ligjore.
Shembulli shqiptar është ilustrues: në 100 vjet shtet shqiptarët kanë patur rastin të kenë 12-15 kushtetuta, por është e vështirë që në shekullin e tyre shqiptarët të gjejnë 12-15 vite të lumtura!
Pra Kushtetuta është tregues e normë pozitive, por jo garancia e pozitivitetit.
Parimet e saj, fryma e saj, konsensusi rreth saj dhe vullneti për bindje e sjellje me integritet ndaj saj përbëjnë çelësin e suksesit dhe natyrës kushtetuese. Tradita jonë është modeste: më shumë kemi besuar e ndjekur me besnikëri udhëheqësit e pushtetet e radhës sesa Kushtetutat mbi të cilat ata sunduan! Kushtetuta aktuale u miratua më 1998. Opozita (e atëhershme dhe e sotme) e bojkotuan votimin. Kushtetuta nuk mori shumicën e votave të qytetarëve, por shumicën e atyre që shkuan në votim, pra votat e një krahu politik. Gjithsesi miratimi i saj ishte sukses, ndryshim pozitiv dhe tregues serioziteti në mentalitetin ndaj shtetit.
Përpjekjet e njëanshme 1993 dhe 1994 dështuan, kjo e fundit përmes votës popullore. Gjithsesi, më 2008 dy palët politike, bazuar në interesat e tyre thellësisht partiake dhe të momentit, si dhe në ambiciet personale të secilit lider politik, – ndryshuan norma e praktika me rëndësi kushtetuese, me ndikim të madh në sistemin zgjedhor, politik, përfaqësues dhe balancues të pushteteve. Shoqëria civile ishte kundër, disa parti të vogla ishin kundër (sot kanë ndryshuar mendje), por nuk pati më referendum. Pra, kontrata sociale e politike (kushtetuta 1998) u ndryshua nga njëra palë e kontratës (politika), pa pyetur palën tjetër (qytetarët).
Më 2012 konsensusi politik ndryshoi kushtetutën në pjesën për imunitetin. U tha se do jetë sukses i madh historik në luftë ndaj korrupsionit. Në fakt, pasi u kufizua imuniteti asnjë zyrtar i lartë nuk është përballur me drejtësinë për korrupsion, pra ndryshimi nuk ishte as funksional, as historik dhe as dobiprurës.
Me ndryshimin e strukturës administrative të vendit (2015) ka mbetur në fuqi institucioni i qarkut, i cili, pranohet nga çdo palë politike dhe aktor publik, se është i tepërt, jo efikas dhe duhet shfuqizuar. Procesi i integrimit të vendit dhe detyrimet shtetërore që burojnë prej tij nxjerrin në pah nevojat e rishikimit të disa elementëve dhe praktikave kushtetuese, sidomos referuar çështjeve të sigurisë dhe angazhimeve ndërkombëtare të vendit. Krahas tyre, ekzistojnë edhe detyrime kushtetuese, për shembull, nevoja për ligje organike për institucionet kushtetuese, të cilat megjithëse citohen në dokumentin kushtetues të vitit 1998, ende nuk janë miratuar dhe as nuk janë pjesë e axhendës afatshkurtër parlamentare. Pra, Kushtetuta do ndryshohet përsëri.
Më 2015 pothuajse të gjitha palët politike flasin për ndryshime kushtetuese. Nuk ka dilemë se do ketë ndryshime, dallimet gjenden vetëm në detajet, – për çfarë dhe sa. Preteksti është reforma në drejtësi dhe çështja e dekriminalizimit. Për drejtësinë ka konsensus e ndërgjegje që duhet reformë përfshirë ndryshime kushtetuese (dallimi është: sa, çfarë dhe si), por për dekriminalizimin retorika është fyese dhe pa sens. Kriminelët në politikë nuk kanë ardhur nga jashtë sistemit, por nga vetë sistemi: ata janë emëruar nga 234 emra që janë liderit kryesorë politikë. Tani kërkohet të ndryshohet kushtetuta që ti bindim këta 234 emra që të mos na sjellin më kriminelë në vendimmarrje. Në fakt i sollën 45 të rinj në zgjedhjet lokale dhe sapo kanë nisur mandatin 4 vjeçar. Ata i emëruan vetë, i mbrojnë vetë, i kanë miq e sponsor, i mbrojnë më mirë se avokatët e tyre dhe kështu, sikur 1000 ndryshime kushtetuese të bëhen, 234 liderit politikë nuk do ndryshojnë mendje as praktikë, sepse i përkasin këtij sistemi të kalbur, janë produkt i këtij sistemi dhe sponsor jetësor të tij.
Debati mbi drejtësinë është më serioz: ndryshime kushtetuese për KLD? Për Presidentin? Për Gjykatën e Lartë e Kushtetuese? Për Prokurorinë? Po, janë ecje në drejtimin e duhur, por jo me përgjegjësinë, vizionin dhe sensin e duhur. Sepse ne kemi nevojë të zgjerojmë demokracinë: më shumë demokraci direkte, deputetët të zgjidhen nga qytetarët, Presidenti të zgjidhet nga qytetarët, drejtuesit e institucioneve të zgjidhen me votim alternativ (90% zgjidhen pa kandidatë rivalë), numri i deputetëve të shkurtohet, institucioni i qarkut të shkrihet, detyrimet në emër të integrimit në BE të kryhen në kohë, etj, etj.