Takimi kokë më kokë midis Papa Françeskut dhe Kryetarit Spahiu zgjati për më shumë se 30 minuta.
Bashkëjetesa paqësore ndërmjet feve në Shqipëri, Dokumenti i Vëllazërisë Njerëzore i nënshkruar midis Imamit të Madh të Al-Az’har, Ahmed Tajib dhe Papa Fançeskut, ishin temë kryesore e bisedës që z. Spahiu zhvilloi gjatë audiencës me Papën.
Dy krerët e lartë ndanë mendime të njëjta për rolin që luan feja në marrëdhëniet ndërnjerëzore, kontributin që ajo luan për ruajtjen e këtyre vlerave, sidomos në mbrojtjen e familjes, si qelizë themelore e shoqërisë, rol të cilin ata e vlerësuan si të pa çmueshëm.
Papa vlerësoi rolin e veçantë që luan Kryetari Spahiu në promovimin dhe përhapjen kudo në Shqipëri të Dokumentit të firmosur në Abu Dabi mbi vëllazërimin njerëzor.
Kryetari Spahiu gjatë audiencës i kërkoi Papa Françeskut mbështetjen e shtetit të Vatikanit për pavarësinë e Kosovës.
Takimi midis Papës dhe Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë është i pari në llojin e tij që prej themelimit të KMSH-së.
Më pas, takimet e kryetarit Spahiu vijuan me Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet (Ministri i Jashtëm), imzot Paul Richard Gallagher dhe me Kryetarin e Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar, kardinalin Miguel Ángel Ayuso Guixot.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, gjatë kësaj vizite në Vatikan, u shoqërua nga Kancelari i institucionit, z. Ylli Cikalleshi, Drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë, z. Fejzi Shaholli, Drejtori i Financës dhe Vakëf/Investimeve, z. Edison Hoti dhe Drejtori i Kabinetit, z. Ejup Lila.
Kjo vizitë u iniciua nga Nunci Apostolik në Tiranë, z. Luigi Bonazzi.
Kryetari Spahiu, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, u prit dhe shoqërua gjatë gjithë kohës nga e ngarkuara me punë e Republikës së Shqipërisë në Vatikan, znj. Majlinda Dodaj.


















