Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka zhvilluar një seancë dëgjimore me Komisionin e Ekonomisë dhe Financave. Sejko paraqiti prioritetet e tij pas propozimit për t’u zgjedhur për herë të dytë në krye të Bankës së Shqipërisë.
“Ndihem i nderuar nga vlerësimi që më ka dhënë Kuvendi. Kandidimi im motivohet nga një shtysë e brendshme, për të transformuar Bankën e Shqipërisë në konturet e një Banke Qendore Moderne. Prioriteti i parë ka të bëjë me politikën monetare dhe stabilitetin e çmimeve. Si Guvernator i Bankës së Shqipërisë jam kujdesur dhe do të vazhdoj të kujdesem që sasia dhe kostoja e parasë në ekonomi të mundësojë stabilitetin e çmimeve, rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies. Sfida kryesore do të jetë adresimi i presioneve inflacioniste që vijnë nga rritja e çmimeve në tregjet botërore. Respektimi i mandatit ligjor të stabilitetit të çmimeve është një objektiv i panegociueshëm i Bankës së Shqipërisë. Përmbushja me sukses e këtij mandati do të kërkojë hartimin e një politike monetare më të kujdesshme dhe më largpamëse”, tha Sejko para deputetëve.
Ndër prioritetet e tjetra për Sejkon janë mbikëqyrja dhe rregullimi bankar në funksion të forcimit të mëtejshëm të stabilitetit financiar të vendit si dhe mbështetja e integrimit europian.
“Objektiv i punës krijimi i gjithë premisave për nxitjen e kreditimit të shëndetshëm të ekonomisë”, tha ndër të tjera Sejko sipas të cilit pavarësisht arritjeve, ka ende shumë punë për t’u bërë në të gjitha drejtimet.
Po ashtu, prioritet ai renditi nxitjen e formalizimit dhe rritjen e prezencave të Bankës së Shqipërisë në tryeza bashkëpunimi.
Disa ditë më parë, Presidenti Ilir Meta i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë emrin e Gent Sejkos për një mandat të dytë si Guvernator i Bankës së Shqipërisë.
Meta thotë se pasi ka ndjekur me vëmendje dhe zhvillimet dhe procedurat në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ka firmosur dekretin për propozimin e Sejkos për t’u rizgjedhur Guvernator.
g.kosovari











