Fondi për Zhvillim Abu Dhabi do të mbulojë financimin e projektit të bulevardit të ri të kryeqytetit dhe të reahbilitimit të lumit të Tiranës, shkruan sot Gazeta Shqiptare. Ratifikimi i dokumentit ndryshues të marrëveshjes së huasë mes dy vendeve u botua në Fletore Zyrtare dhe hyn në fuqi pas 15 ditëve. Ky rishikim nuk do të ndikojë në termat dhe kushtet e projektit dhe as nuk do të ketë ndonjë ndikim financiar në marrëveshjen e huasë dhe skedulin në fjalë, të ndryshuar, të cilat mbeten subjekt i marrëveshjes së huas së nënshkruar më herët më 21 prill 2013.
Ndryshimi i vetëm është në rishikimin e objektivave dhe përshkrimit të projektit. Komponenti i Unazës, i shtuar në skedulin 2, do të financohet në një fazë të dytë nga Bashkia Tiranë, në koordinim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës. Ndërkohë, ndryshimi në përqindje i financimit të komponentëve (nga 50% në 100%) vjen si pasojë e konceptimit të projektit në faza zhvillimore, e para prej të cilave do të financohet nga kredia, akorduar nga Fondi për Zhvillim Abu Dhabi dhe e dyta, siç është sqaruar më sipër, do të financohet në një fazë të dytë nga Bashkia Tiranë, pas finalizimit të projektit të detajuar dhe masterplanit të integruar të qytetit. Vlera totale e huas është 240 milionë USD, prej të cilave 120 milionë shkojnë për ndërtimin e zonës së bulevardit dhe punimet civile të lidhura me të, ndërsa 90 milionë janë për rehabilitimin e lumit të Tiranës dhe bregut të tij.
Projekti e Faza I
Projekti për ndërtimin e bulevardit verior dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës do të zbatohet në disa faza, si më poshtë: faza e parë do të mundësojë rehabilitimin e lumit të Tiranës, me gjatësi 8000 m, përfshirë ndërtimin e strukturës së kryqëzimit me lumin, ndërtimin e kolektorëve kryesorë të kanalizimeve të ujërave të zeza, rrugën në seksionin verior të Unazës së jashtme, në pjesën veriore të lumit si dhe seksionit të bulevardit, me gjatësi 1600 m, duke filluar nga ish-stacioni i trenit në drejtim të lumit të Tiranës. Kjo fazë konsiston në punimet inxhinierike të planit të bulevardit, të gjithë infrastrukturës nëntokësore, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza dhe punime të tjera të rrjetit infrastrukturor, të cilat do të vendosen në dy galeritë nëntokësore përgjatë seksionit të bulevardit. Një pjesë e rëndësishme e kësaj faze të projektit është ndërtimi i parkimit nëntokësor dhe i shesheve kryesore. Gjithashtu, në këtë fazë përfshihet rehabilitimi i lumit të Tiranës, që konsiston në ndërtimin e dy kolektorëve kryesorë të kanalizimit të lumit. Kolektorët do të vendosen respektivisht në pjesën jugore dhe veriore të tij, me qëllim ndalimin e ndotjes së mëtejshme të lumit nga ujërat e zeza, që vijnë nga qyteti i Tiranës dhe komunës së Paskuqanit. Pas pastrimit të shtratit të lumit, do të zbatohet projekti i peizazhit të zonës përreth tij, në mënyrë që zona të shndërrohet në një zonë të gjelbër dhe si pikë referimi për qytetin e Tiranës. Kontributi i Fondit të Abu Dhabit do të mbulojë plotësisht rehabilitimin e lumit dhe bregut të tij, ndërtimin e bulevardit verior (pjesa e parë) dhe shërbimet e konsulencës teknike të përshkruara në raportin e vlerësimit të projektit, të cilat përfaqësojnë 50% të të gjithë projektit.
Projekti e Faza II
Unaza Veriore dhe pjesa e dytë e bulevardit, projekti i së cilës fillon pas përfundimit të masterplanit të integruar të qytetit dhe përfundimit të projektit të detajuar të tij. Segmenti i ri i Unazës përgjatë Tiranës pritet të jetë në mesin e segmenteve kryesore rrugore të qytetit të Tiranës. Ajo do të sjellë ndryshime rrënjësore të zhvillimit në zonën ku ajo kalon dhe gjithashtu, një lëvizje të re të trafikut në Tiranë. Segmenti verior i unazës do të vendoset në pjesën veriore të lumit, me 4 korsi trafiku, dy korsi të dedikuara të autobusëve, korsi biçikletash dhe kalime për këmbësorët. Kjo pjesë e projektit përfshin ndërtimin e segmentit rrugor me të gjithë elementet e infrastrukturës rrugore dhe të sinjalistikës. Kjo pjesë e projektit që përbëhen kryesisht nga rruga e Unazës, pjesa e dytë e bulevardit, punimet infrastrukturore etj. do të mbulohen nga Bashkia e Tiranës.
BW