Nga Carlo Bolino
Janë tashmë 23 vite që Berisha më përndjek me gënjeshtrat e tij. Njëzetetre vite që më ka akuzuar për çdo pisllëk, pa pasur asnjëherë aftësinë të paraqesë as edhe një grimcë provë. Në kulmin e arrogancës së tij (ishte viti 1995) Berisha vendosi të më dëbonte nga vendi si “non grata”, me sugjerim të Bashkim Gazidedes dhe duke ia besuar ekzekutimin e urdhrit gjeneral Agim Shehut. Por as atëherë nuk e bazoi vendimin e tij në ndonjë provë apo akuzë konkrete. Thjesht se nuk i pëlqeja, më dëboi nga Shqipëria. Sali Berisha nuk kishte nevojë për prova për të persekutuar gazetarët: Një natë çoi në burg gjithë redaksinë e Koha Jonë, që në ato vite ishte një gazetë që nuk i pëlqente. Një herë tjetër, po e njëjta redaksi u dogj e tëra. Kështu, pa asnjë arsye. Kolegë të tjerë u futën në burg, u rrahën, ndonjë humbi dhe jetën. Me mua, që vetëm më dëboi, në fund të fundit, u soll të paktën me xhentilesë.
Ky ishte Berisha i viteve ’90, në kulmin e luftës së tij kundër komunizmit. Paradoksi i tij i parë, i madh, ishte se për të pranuar demokracinë, persekutoi lirinë e shtypit (identik me paradoksin që për të fshirë diktaturën, rrafshoi përdhe edhe sensin e Shtetit). Gazetarët që i pëlqenin (atëherë ashtu si dhe sot) ishin vetëm ata të klanit të tij, ata që i bindeshin urdhrave të tij dhe si “killera” zbatonin nëpër gazeta, pa filtruar, qëndrimet e tij staliniste. Unë, që s’kam pranuar kurrë urdhër nga Partia Demokratike (si nuk kam pranuar asnjëherë urdhër nga askush) isha dënuar nga Sali Berisha me “shpifje të përhershme” dhe ky dënim duket se vlen edhe sot, 23 vite më pas.
“Fjala e lirë është thelbi, shpirti i lirisë!” ka titulluar fjalimin e tij para tri ditësh për festën e RD. Kulmi! Duke rilexuar gjërat për të cilat njeriu që paraqitet si ruajtësi i lirive të shtypit më ka akuzuar në këto vite, më vjen të qesh: në fillim komunist, pastaj fashist, dhe sikur të mos më mjaftonte, një periudhë isha fashisto-komunist. Trafikant droge, trafikant armësh, pastaj agjent sekret, spiun, dhe sigurisht poliagjent. Isha antishqiptar, pastaj ndotës i gjuhës shqipe (një periudhë më quante Gjeneral Gramafoni), dhe kapo i Sacra Corona Unitës, ndrangetist dhe në fund këshilltar i Cosa Nostrës.
Në këto 23 vite shpifje, Berisha ishte në pushtet për të paktën 12 vite, duke pasur kontrollin total të Shik, Shiu dhe në fund Shish, policisë, prokurorisë, tatimeve, doganave dhe të paktën të tre qeverive. Por kurrë, asnjë prej shërbëtorëve të tij – të cilët kanë hetuar ndaj meje në çdo mënyrë të ligjshme dhe të jashtëligjshme – nuk ka mundur t’i dorëzojë një provë që të faktojë qoftë edhe një të vetme prej akuzave të tij të mjeruara.
Pra, nuk jam vetëm unë ai që them se ato ishin shpifje, as institucionet italiane dhe ndërkombëtare që në 35 vite karrierë gazetareske kanë certifikuar ndershmërinë time.
Prova e pafajësisë sime është pikërisht Doktori sa gjatë e gjerë, i cili, edhe pse u bë gjykatës dhe prokuror, nuk ishte asnjëherë në gjendje të më dënojë. Vetëm të më ofendojë.
Eshtë e natyrshme që edhe shpifjet e sotme ndaj meje, të jenë vetëm shpifje. Më e fundit, që po e përsërit prej disa ditësh dhe është përsëri një histori absolutisht e sajuar. Sipas Berishës unë paskam fituar bashkë me një shoqëri në të cilën qënkam “ortak” një tender prej 140 milionë lekë të reja për furnizimin e dekoderave dixhitale për njerëzit në nevojë. Natyrisht, u bëka fjalë për një tender të manipuluar në favorin tim nga miku im Edi Rama. Sipas një teknike staliniste, mjeshtër i të cilës është, Berisha përzien të vërtetën me falsen në mënyrë që të mos merret vesh më se ç’është e vërtetë dhe ç’është false.
Në këtë rast është e vërtetë që qënka bërë një tender dhe që unë jam mik i Edi Ramës. Totalisht false është se e paskam fituar unë apo një shoqëri ku unë qënkam ortak. Zbulova ekzistencën e këtij tenderi duke lexuar para dy ditësh postimin në facebook të Berishës: deri në atë moment as nuk e dija se ekzistonte, përveç faktit që në dokumentet e parlamentit faktohet se ishte pikërisht Berisha që e kishte vendosur blerjen e dekoderave dixhitale për njerëzit në nevojë që me strategjinë dixhitale të miratuar në 2012. Por kjo është e vërteta dhe Berishës nuk i intereson. Dhe në këtë mënyrë edhe dje, për herë të dytë në 48 orë, Berisha vendosi të shpifë, këtë herë duke thënë se “1,7 milion euro që paskam vjedhur” me tenderët e dekoderave (pra nuk ishin më 140 milionë leke??? Mister), mund të shmangnin përmbytjet!
Sot më ra mua për pjesë, por viktimat e shpifjeve të doktorit plak janë të pafundme dhe shtohen të tjera ditë pas dite. Ndoshta varet nga humori me të cilin sulltani i fundit i Ballkanit ngrihet në mëngjes.
Pas 23 vitesh Berisha nuk ka ndryshuar. Pasioni i tij politik për shpifjen është identik me 23 vite më parë. Ka ndryshuar pak vetëm metodën: ka shpikur si burim për shpifjet e tij misteriozin “qytetar dixhital” (që në të vërtetë të gjithë e dinë se është ai vetë, ose më mirë alter-egoja e tij që ndahet në një delir bipolar), dhe në vend të fletushkave të Shikut që përdorte në 1993, tani përdor facebook-un. Gazetarët-shërbëtorë të tij janë të gatshëm më pas të shpërndajnë pa asnjë filtrim shpifjet e tij, sot, siç bënin dhe atëherë, më pas, të tjerat vijnë vetë.
Sali Berisha nuk e ka për zemër të vërtetën. Ka përzemër vetëm egon e tij të pamatë, që duhet të ushqejë përditë me gënjeshtra, helme dhe ligësi dhe që pret me ankth të enjten e Parlamentit për të vjellë urrejtje kundër vlerave kardinale të civilizimit. Shpifjet e Sali Berishës nuk vrasin vetëm të vërtetën. Vrasin edhe politikën, vrasin edhe imazhin e Shqipërisë. Vrasin edhe Partinë Demokratike dhe shpresat e të gjithë atyre zgjedhësve që nuk do ta donin këtë qeveri, por që deliri grotesk dhe antik i doktorit e transformon – pavarësisht fajeve të saj – në një fortesë të pazëvendësueshme moderniteti.
ca**********@ho*****.com
Post scriptum: Ndërsa unë kam ndryshuar pak në këto 23 vite dhe kam vendosur që nga sot e tutje të denoncoj në gjykatë autorët e shpifjeve dhe zëdhënësat e tyre. Eshtë një detyrim ndaj ndershmërisë sime dhe të familjes sime. Do t’i kërkoj dëmet Sali Berishës dhe shkruesve të tij. Pak ditë më parë mora nënshtetësinë shqiptare dhe ky do të jetë akti i parë që do të bëj me pasaportën e re në dorë. Gjithmonë kam pasur besim te drejtësia, dhe sot dua të nis të besoj edhe si qytetar shqiptar.