Policia e shtetit ka mbyllur aplikimet për studentët që aspirojnë të jenë oficerë të krimeve. Pas më shumë se 2 muaj afat për aplikimin, nga policia bëhet e ditur se kanë aplikuar 246 kandidatë për të plotësuar 100 vendet vakante.
Policia e shtetit njofton se ka përfunduar afati i aplikimeve për studentët që aspirojnë për të qenë pjesë e hetimit të krimeve.
Janë 246 studentë, që vijnë nga degët Ekonimik, Juridik dhe Teknologji që kanë aplikuar për 100 vendet e kuotuara, për tu bërë oficerë të hetimit të krimit.
Në bazë të kritereve të vendosur nga drejtori i përgjithshëm i policisë, pritet verifikimi i dokumentacionit për të përzgjedhur 100 studentët më të mirë.
Ndërkohë pas verifikimit të dokumentacionit nga burimet njerëzore të DVP-ve, aplikantët që do rezultojnë se plotësojnë kushtet do vijojnë me procedurat e tjera të përzgjedhjes, atë të testimit të gjuhës angleze dhe më pas me kontrollin mjekësor.
Aplikimet u bënë pranë Drejtorive Vendore, Komisariateve të Policisë, si dhe përmes aplikimit online në Akademinë e Sigurisë.
Aplikimet janë mbyllur mbrëmjen e të dielës. Sipas një njoftimi të policisë së shtetit, vendet vakante janë hapur me qëllim plotësimin e funksioneve të lira organike, të cilët do të përzgjedhen me barazi dhe paanshmëri.
100 studentët e përzgjedhur pritet të japin kontribut në rritjen e parametrave të sigurisë dhe rritjen e cilësisë së luftës kundër krimit ekonomik e financiar, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik. /l.m











