Nëse do të doje të hapje një biznes të ri, apo të diversifikoje portofolin larg prej segmenteve të maturuara apo në rënie, cilin sektor do të zgjidhje?! Bizneset tradicionale të tregtimit, shitjes së naftës, ndërtimit nuk “intrigojnë” më. Shërbimet financiare kanë një kthim të kënaqshëm, por konkurrenca e fortë e vështirëson hyrjen. Bizneset e reja të “call center” kanë rezultuar fitimprurëse deri tani, por ato po mbijnë si kërkudha pas shiut dhe po japin sinjalet e para të ngadalësimit të rritjes. Bizneset e dhuruara (koncesionet) po ecin mirë, por ato po përqendrohen “me mik” në pak duar. Tregtimi i energjisë ka hapësira të rritet, teksa sektori pritet të liberalizohet në vitet në vijim. HEC-et private, ndërsa ecën mirë dy vitet e fundit, u “goditën” nga vendimi i Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për të ulur çmimin edhe me efekt prapaveprues për periudhën 2012-2014. Në mënyrë ironike, pas aksionit që synonte t’i jepte fund marrëzisë së lojërave të fatit, sipërmarrjet e kësaj të fundit po rezultojnë mjaft fitimprurëse. Ndërsa Bankers Petroleum rezulton me humbje të thella, nënkontraktorët e tij po deklarojnë norma fitimi marramendëse. Tregtia (me shumicë) dhe nafta “lodhen” shumë për pak fitime
Ekonomia dhe sipërmarrjet po kërkojnë në mënyrë të dëshpëruar të orientohen drejt një modeli të ri, më të qëndrueshëm e më pak t.ë varur nga zhvillimet ciklike. Një rrugë e vështirë kjo, duke pasur parasysh ambientin e vështirë ekonomik, mungesën e likuiditeteve dhe financimeve, pritshmëritë e dobëta të konsumit, çoroditjen fiskale, agresivitetin e administratës, ashpërsinë e masave të reja kundër informalitetit dhe evazionit, stepjen e investimeve dhe mungesën e një strategjie gjithëpërfshirëse që do të krijonte infrastrukturën e nevojshme mbështetëse drejt këtij modeli të ri.
Monitor, në vijim të shkrimeve të saj mbi renditjen e sipërmarrjeve (sipas xhiros dhe eksporteve, publikuar në numrat e mëparshëm), sjell këtë numër 100 kompanitë më të mëdha sipas fitimeve, duke u munduar të hedhë dritë mbi prirjet e ekonomisë shqiptare dhe pritshmërive për të ardhmen. (Revista Monitor)
10 sipërmarrjet me fitime më të mëdha
Në raport me 2013-n, ka ndryshime të dukshme në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimeve. Koorporata Elektronenergjetike Shqiptare (KESH), që kryesonte në renditjen e vitit të mëparshëm është “zhdukur” nga lista, për shkak të ecurisë negative në 2014-n, ku rritja e lartë e shpenzimeve ka bërë që kompania të dalë me një humbje të lartë prej 22 miliardë lekësh (158 milionë euro) në 2014-n, nga 9.3 miliardë lekë që ishte fitimi i një viti më parë.
Sipërmarrjet e ndërtimit të infrastrukturës (Alb Star dhe Copri Actor) kanë dalë nga dhjetëshja, si rrjedhojë e rënies së vrullit të shpenzimeve kapitale pas zgjedheve të 2013-s. Bankat dhe telekomunikacionet vijojnë të jenë ndër bizneset më fitimprurëse në Shqipëri, ndonëse kompanitë celulare nuk po shohin më ato norma të larta fitimi si disa vite më parë (ndonëse është vështirë të jepet një gjykim për përfitueshmërinë e saktë të tyre, për arsye të futjes në treg këto vitet e fundit të operatorëve telefonikë, që përfitojnë një pjesë të volumit të xhiros e të fitimit të tyre)
Më poshtë jepen 10 sipërmarrjet me fitime më të larta (bruto, para tatimit), ndërsa për renditjen e 100 kompanive shiko tabelën kryesore.
1. Banka Kombëtare Tregtare (BKT) është sipërmarrja që ka arritur të sigurojë më shumë fitime në vend në vitin 2014, prej 6 miliardë lekësh. Një vit më parë ajo ishte e pesta në renditje në këtë tregues, BKT është banka më e madhe në vend sipas aseteve, kredive, depozitave dhe qarkullimit vjetor.
2. Një tjetër bankë është në vendin e dytë, Raiffeisen, me fitime prej 5.5 miliardë lekësh, 24% më të larta se një vit më parë. Edhe një vit më parë, Raiffeisen ishte po në vendin e dytë.
3. Renditjen e vijojnë telekomunikacionet, me Telekom Albania (ish-AMC), që megjithëse ka shënuar rënie të fitimeve, është e treta në këtë tregues, me diferencën mes të ardhurave e shpenzimeve që ishte 2.9 miliardë lekë në 2014-n.
4. Ndryshe nga KESH, që përkeqësoi rezultatet në 2014-n, Operatori i Sistem Transmetimit (OST)ka vijuar të jetë në dhjetëshen e më të mirëve, me fitime prej 2.3 miliardë lekësh, pothuajse në të njëjtin nivel me vitet e mëparshme, duke qenë dhe një ndër sipërmarrjet më të qëndrueshme me kapital shtetëror në fushën e energjetikës.
5. Sërish një bankë, Intesa Sanpaolo raportoi fitime prej 2 miliardë lekësh, 68% më të larta se në 2013-n.
6. Vodafone, ndonëse është shoqëria më e madhe e telekomunikacioneve në vend, përsa i përket xhiros vjetore, është e dyta në këtë sektor në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha sipas fitimeve, pas Telekom Albania. Vodafone kishte fitime prej 1.8 miliardë lekësh në 2014-n.
7. Albpetrol, sipërmarrja me kapital shtetëror e prodhimit dhe tregtimit të naftës ka përmirësuar aktivitetin e saj në 2014, duke rritur të ardhurat me 44%, ndërsa fitimet janë zgjeruar me rreth 30% për të arritur në gati 1.9 miliardë lekë, duke u renditur në kompaninë e dytë shtetërore me fitime më të larta, pas OST.
8. Phoenix Technology Services Albania, renditet për herë të parë ndër 10 kompanitë më fitimprurëse në Shqipëri. Kompania, sipas ekstraktit të saj ofron shërbime Horizontale dhe Direksionale për Naftën dhe Gazin Natyror në Shqipëri dhe raportoi në bilancin e saj fitime prej 1.5 miliardë lekësh, 26% më të larta se në 2013. Kompania është nënkontraktor i Bankers Petroleum, ndërsa kjo e fundit, që është sipërmarrja më e madhe në vend është i munguari i madh i kësaj tabele.
9. Kastrati sha, tregtuesi me shumicë i karburanteve, ndonëse ishte në vitin 2014 sipërmarrja e dytë më e madhe në vend, pas Bankers Petroleum, me të ardhura prej rreth 67 miliardë lekësh, renditet i nënti, me fitime prej 1.4 miliardë lekësh, me dyfishim, në krahasim me 2013-n.
10. Tirana International Airport (TIA), ndonëse ka shënuar ulje të të ardhurave me 30%, si rrjedhojë e rënies së trafikut ajror në 2014 (pas daljes nga tregu të Belle Air), ia ka dalë të rrisë fitimet me gati 10% në 1.2 miliardë lekë, duke mbajtur nën kontroll shpenzimet.
Bankat, kryesojnë me fitime
Pas disa vitesh, që shpenzimet e larta për provigjione gërryen fitimet e bankave, 2014-a ka qenë pozitive për sistemin. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sistemi bankar shqiptar ka deklaruar fitime prej 11.1 miliardë lekësh, pothuajse dyfishin në raport me një vit më parë (Banka e Shqipërisë raporton fitimet e bankave sipas standardeve të vendosura prej saj, ndërsa në raport me fiskun, bankat raportojnë sipas standardeve ndërkombëtare IFRS, që kanë kritere më pak të rrepta për provigjionimet në krahasim me standardet e aplikuara nga Banka e Shqipërisë dhe si rrjedhojë fitimet, sipas raportimit të IFRS rezultojnë më të larta).
Tre janë arsyet kryesore të përmirësimit të ndjeshëm të rezultatit financiar të vitit bankar, i cili pas 2008-s kishte parë një rënie të ndjeshme të fitimeve, si rrjedhojë e rritjes së shpenzimeve për provigjionime (shpenzimet që bankat lënë mënjanë për mbulimin e kredive me probleme).
Së pari, të ardhurat neto nga interesat u rritën me 5 miliardë lekë, apo 12% me bazë vjetore në 2014-n. Ulja e interesave të depozitave me ritme më të larta se të rënies së normave të kredive, i ka ndihmuar bankat të përmirësojnë ndjeshëm këtë tregues, pavarësisht tendencës së qartë rënëse të interesave.
Së dyti, shpenzimet për provigjione kanë ardhur në rënie në 2014-n, duke u reduktuar me 4.2 miliardë lekë, apo 57%. Shpenzimet e larta për provigjionime kishin parë një rritje të shpejtë që nga fundi i vitit 2008, kur sistemi bankar filloi të përballej me një rritje të shpejtë të huave me probleme, duke gërryer fitimet e bankave. Kreditë me probleme arritën në 22.8% në fund të dhjetorit 2014, në krahasim me 23.22% që ishte ky tregues në fund të 2013-s.
Së treti, sistemi bankar ka raportuar të ardhura të jashtëzakonshme prej 1.5 miliardë lekësh, si rrjedhojë e shitjes së pasurive të paluajtshme të marra në zotërim nga ekzekutimi i garancive ndaj klientëve problematikë, nga një humbje prej rreth 780 milionë lekësh që ishte ky tregues një vit më parë.
BKT dhe Raiffeisen kanë marrë pjesën e “luanit” të fitimeve të sistemit, të ndjekura nga Intesa e Credins. Në renditje janë edhe Alpha Bank, Union Bank, Procredit, NBG.
Ecuria pozitive e fitimeve të sistemit bankar ka vijuar dhe për 9 mujorin e parë të këtij viti. Fitimi i sistemit bankar ishte 11.6 miliardë lekë për 9-mujorin 2015, duke shënuar rritje prej 33% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndryshe nga 2014-a, në pjesën e parë të këtij viti, përmirësimi i rezultatit të bankave ka ardhur si rrjedhojë e rënies së shpenzimeve me ritme më të larta sesa tkurrja e të ardhurave, rrjedhojë kjo e zgjerimit të diferencës mes normës së interesit të kredive (të ardhurat e bankës) dhe interesit të depozitave (kosto e bankave), çka ka sjellë një rritje të të ardhurave neto nga interesi me 3.7 miliardë lekë (nga 2.9 miliardë lekë që ishte rritja e fitimit në total, në vlerë absolute).
Telekomunikacionet, bien normat e fitimit të dy të mëdhenjve
Si Telekom Albania (ish AMC) ashtu dhe Vodafone, kanë parë për të disatin vit radhazi rënie të fitimeve të tyre, si rrjedhojë e shtimit të konkurrencës dhe maturimit të tregut të telekomunikacioneve. Normat e fitimit kanë zbritur ndjeshëm nga gati 50% disa vite më parë, në 10-20% në 2014-n.
Fitimi para taksave i Vodafone ra me 48% (!!!) në rreth 1.8 miliardë lekë, sipas të dhënave nga bilanci zyrtar i kompanisë,
Rënia e të ardhurave me ritme më të larta se tkurrja e shpenzimeve ka bërë që Vodafonë të shohë një reduktim të normës së fitimit, në rreth 11%, nga gati 20% një vit më parë. Të ardhurat, në vlerë absolute, u tkurrën me rreth 2.3 miliardë lekë dhe shpenzimet u ulën me rreth 0.5 miliardë lekë.
Të ardhurat e Vodafone ranë me rreth 12% me bazë vjetore në 2014-n, ku ndikimin më të madh (mbi 80% të rënies) e kishte tkurrja e të hyrave nga tarifat e interkoneksionit, nga 6.7 miliardë lekë në 4.8 miliardë lekë.
Kompania arriti të mbajë nën kontroll koston e shitjeve, duke e ulur me rreth 1 miliardë lekë, ndërkohë që shpenzimet administrative dhe operative janë rritur.
Për Vodafone, kjo është norma më e ulët e fitimit, që kur hyri në tregun shqiptar(fenomen vërtet i papritur pasi kompania zotëron një pozicion dominues në tregun e telefonisë së lëvizshme, të konstatuar si shqetësuese edhe nga Autoriteti i Konkurrencës (AK) – shiko vendimin e AK të datës 16.01.2014).
Edhe Telekom Albania ka parë një rënie të normave të fitimit, nga 30% në 2013 në rreth 22.5% në 2014. Që prej fillimit të viteve 2000, kur privatizoi operatorin shtetëror AMC, kompania ka shënuar norma të larta fitimi, që kulmuan në vitin 2009, në 62% (!!!). Më pas, me hyrjen në treg të dy aktorëve të rinj, Eagle (sot Albtelecom Mobile) dhe Plus Communication, normat e fitimit shënuan rënie, krahas me uljen e tarifave për klientët dhe rritjen e ofertave e mundësive si pasojë e konkurrencës.
Rënia e të ardhurave me 1.6 miliardë lekë, ndërkohë që shpenzimet ishin pothuajse konstante ishte arsyeja kryesore e tkurrjes së fitimeve. Ndryshe nga Vodafone, për Telekom Albania, rënia e të ardhurave erdhi në pjesën më të madhe nga shërbimet me parapagim dhe kontratë, që u tkurrën me gati 1 miliard lekë.
Edhe për Telekom Albania, 2014-a shënoi normën më të ulët historike të fitimit të kompanisë, që kur ajo hyri në tregun shqiptar.
Dy operatorët e tjerë, Albletecom Mobile (ish-Eagle) dhe Plus rezultojnë ende me humbje në një treg që mbetet i dominuar nga dy operatorët e mëdhenj.
Karburantet, shumë xhiro, hiç fitime
Ndërsa në renditjen e kompanive më të mëdha sipas xhiros mbizotëronin prodhuesit dhe tregtuesit e naftës, duke realizuar 21% të qarkullimit total të 200 VIP-ave të ekonomisë shqiptare, panorama është krejt e kundërt në listën e sipërmarrjeve më më të mëdha sipas fitimeve. Numri i bizneseve të naftës është shumë i pakët dhe ato, që janë, kanë deklaruar fitime minimale.
Bankers Petroleum, sipërmarrja më e madhe në vend sipas qarkullimit vjetor në 2014-n (me 67.3 miliardë lekë), ka raportuar humbje fiskale prej 12.5 miliardë lekësh në 2014-n (rreth 100 mln USD), nga rreth 19.4 miliardë lekë që ishte humbja fiskale e një viti më parë. Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim sipas konceptit “fiskal” të kompanive koncesionare të prodhimit të naftës, që sipas marrëveshjes koncesionare do të duhet të tatohej me 50%. (Rezultati tatimor i shoqërisë nuk llogaritet sipas ligjit ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ por, bazuar në Marrëveshjen e Hidrokarbureve lidhur midis Albpetrol sh.a. dhe Bankers miratuar në 2004-n, sipas së cilës rezultati llogaritet pasi nga të gjitha të ardhurat të zbriten të gjitha shpenzimet operative dhe kapitale të bëra nga nënkontraktori). Kompania është aktualisht në konflikt me tatimet, të cilat në bazë të një raporti të AKBN i kërkojnë Bankers të paguajë 75 milionë dollarë në lidhje me shpenzimet operative dhe kapitale të pranuara si kosto të rekuperueshme (shuma ishte fillimisht 57 milionë dollarë por u rrit për shkak të interesit dhe gjobave të aplikuara).
Në Bursën e Torontos, ku është e kuotuar (BKN TSX Exchange), Bankers ka raportuar në vitin 2014, të ardhura neto (fitime nga operacionet e vazhdueshme) prej 128.8 milionë USD, me një dyfishim në raport me vitin e mëparshëm. Megjithatë kompania thekson se nuk ka shpërndarë asnjëherë dividend.
Kastrati (sha dhe me pakicë) Bolv Oil, TPD Drilling (që shfrytëzon me qira kapacitetet e operatorit të përpunimit të naftës, ARMO) dhe Everest Oil janë të vetmit operatorë tregtues të karburanteve, që figurojnë në renditjen sipas fitimeve.
Sipërmarrësit e karburanteve, për gjithë mundin e tyre në menaxhimin e një aktiviteti voluminoz, duhet të kënaqen me fitime të ulëta.
Norma mesatare e fitimit para taksave të sipërmarrjeve të përqendruara në tregtimin e karburanteve luhatet në 0.5-2% (disa dhe me humbje), duke qenë sektori më pak fitimprurës në ekonomi. Aktorët e tregut i quajnë karburantet një biznes të vështirë dhe me kosto të larta. Ky sektor ka dhe lëvizjet të mëdha tek VIP-at, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. Ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ashtu siç edhe ka kompani që “zhduken” nga tregu, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Jo rrallë, edhe këto vitet e fundit kemi parë të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 100 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Në total, tregu vlerësohet se xhiron 400-500 milionë euro, por nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive, por me fitime që mbeten minimale.
Call center, një biznes i mirë, por konkurrenca po shtohet ndjeshëm
Një biznes, që ka lulëzuar vitet e fundit po u sjell jo pak fitime sipërmarrjeve që po shfrytëzojnë një prej avantazheve konkurruese të Shqipërisë, njohjen e gjuhës italiane dhe koston e lirë të fuqisë punëtore. Operatorët call center janë rritur ndjeshëm vitet e fundit dhe po gjenerojnë fitime të larta.
Albacall renditet e 18-a në listën e 100 kompanive me fitime më të larta, teksa i ka shtuar ato me 37% në 773 milionë lekë.
Intercom Data Service ka rezultuar me fitime prej 632 milionë lekësh, por me rënie prej 8.3%, në një sinjal të parë që ritmet e rritjes së këtij sektori po ngadalësohen.
Deri në 2013-n, kompanitë që veprojnë në fushën e Call Center panë një rritje të ndjeshme dyshifrore. Biznesi lulëzoi disa vjet më parë, kur sipërmarrjet italiane transferuan këtë shërbim në Shqipëri, duke shfrytëzuar koston e lirë të fuqisë punëtore dhe njohjen e mirë të gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë. Këto kompani u bënë një burim i mirë punësimi, sidomos për brezin e ri, megjithëse konsiderohet si punë e një cilësie të ulët, që paguajnë relativisht pak.
Shtimi i konkurrencës, si rrjedhojë e numrit të madh të kompanive që po hapen në këtë treg, por dhe maturimi i tij (gjetja e klientëve të rinj po bëhet e vështirë) vlerësohet se ka ndikuar në ngadalësimin e të mëdhenjve.
Burimi: Bilancet
Tregtia me shumicë, punë shumë, fitime pak
Në përgjithësi, segmenti i distributorëve, i përqendruar në tregtinë me shumicë, ndonëse qarkullon vlera të mëdha, operon me marzhe të ulëta fitimi, nga 1.5-5%.
Alfa, kompania më e madhe distributore, ka deklaruar një fitim prej rreth 360 milionë lekësh, me një marzh prej 2.1%, në rënie në krahasim me 3.6% një vit më parë. Edhe AGNA, pjesë e të njëjtit grup me Alfa-n, ka parë gjithashtu një reduktim të lehtë të marzhit në 5.3% (613 milionë lekë), nga 5.4% një vit më parë.
Marketing & Distribution, operatori i dytë më i madh në këtë segment, ka parë një rënie të të ardhurave prej 13% në 13.2 miliardë lekë në 2014-n. Edhe marzhi i fitimit ka rënë lehtë, nga 2.3% në 2%.
Inter Distribution Service ka deklaruar një normë fitimi prej 2.3% , nga 1.4% vitin e mëparshëm.
Albanian Distribution & Development ka deklaruar rritje të ndjeshme të fitimeve, duke arritur një marzh prej gati 11%, si rrjedhojë e zgjerimit të të ardhurave me ritme më të larta se të shpenzimeve.
Dilema e HEC-ve të vogla
Në 2013-n, hidrocentralet (HEC) e vogla filluan të gjenerojnë fitime të larta. Sipërmarrje si Erdat Lura, HEC i Tërvolit, u renditën në listën e 100 kompanive me fitime më të larta në 2013, me një rritje të ndjeshme të rezultatit financiar.
Në renditjen e 2014-s, vetëm pak HEC-e janë në listë, ndërsa kjo performancë pozitive nuk ka vijuar për pjesën më të madhe të tyre.
Euron Energy Group, pothuajse i ka trefishuar fitimet, në 593 milionë lekë. Ndërsa Gjo-Spa Powerka parë një rënie të fitimeve me 15%, në 206 milionë lekë. Të njëjtën tendencë rënëse të fitimeve ka regjistruar dhe Hec i Tërvolit, me 23%.
Çfarë ka ndodhur me HEC-et e vogla. Vitin që shkoi Enti Rregullator i Energjisë (ERE) ka marrë një vendim të pazakontë duke rishikuar me ulje çmimin e energjisë elektrike që KESH jep ndaj HEC-eve të vogla deri në 15 megavatorë. Çmimi i shitjes së HEC-ve të reja deri në 15 MW për periudhën rregullatorë 2012-2014 ishte 9.3 lekë për kilovat. Me rregullimin, që ka bërë Enti Rregullator i Energjisë çmimi i shitjes për vitin 2013 u llogarit me 9.73 leke/kwh dhe për vitin 2014 u rillogarit me 7.95 lekë/kwh. Rillogaritja për vitin 2014, nga 9.3 lekë në 7.9 lekë, shënoi një ulje me rreth 14% të fitimeve që HEC-et kishin përfituar nga shitja e energjisë.
Shoqata e prodhuesve të Energjisë çoi në gjykatë këtë vendim të ERE, por gjykata vendosi në favor të ERE duke e zhveshur KESH-in nga shlyerja e rreth 5 milionë eurove.
Tregtimi i energjisë, ulen normat e fitimit
Tregtuesit e energjisë kanë rezultuar më pak fitimprurës në 2014, për shkak të rritjes së shpenzimeve.
GSA, operatori i dytë më i madh në vend në tregtimin e energjisë elektrike (pas GEN-I) sipas qarkullimit vjetor, shënoi një rënie të normës së fitimeve nga 11% në 9%, ndërsa GEN-I rezultoi me fitime fare minimale.
Ky treg filloi të zhvillohej vrullshëm në 2012-n, kur Parlamenti vendosi që, duke filluar nga 1 janari i atij viti, të gjithë konsumatorët e mëdhenj industrialë (me një konsum vjetor më të madh se 50 milionë kWh) duhej të blinin energji jo me çmim të rregulluar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE), por me çmim të liberalizuar në bursë. Pikërisht ky liberalizim, por dhe ndërmjetësimi i blerjes së energjisë (mbulimin e humbjeve) për llogari të OSHEE dhe Operatorit të Sistem Transmetimit (OST), nxiti aktivitetin e kompanive private të tregtimit të energjisë, por që janë licencuar edhe si furnizues të kualifikuar (që kanë të drejtë t’u shesin energji klientëve të kualifikuar).
Gjithsesi, tregu duket me perspektivë për këta operatorë. Ligji i ri i energjisë i detyron klientët e lidhur në nivelin e tensionit 35 kV të dalin në tregun e liberalizuar jo më vonë se qershori 2016. Klientët e lidhur në tension 20 kV do të shkëputen nga rrjeti i OSSHE jo më vonë se data 31 dhjetor 2016, ndërsa klientët e lidhur në nivelin e tensionit 10 kV dhe 0,6 kV, jo më vonë se data 31 dhjetor 2017.
KOMPANITË DHE SEKTORËT ME NORMA MË TË LARTA FITIMI
Maksimizimi i fitimeve është natyrshëm qëllimi parësor i kompanive. Por, cilat janë ato sipërmarrje dhe sektorë që kanë arritur të shpërblejnë më shumë investitorët në 2014-n.
Bankat
Bankat kanë regjistruar norma të larta fitimi, që arritën në maksimumi 32%, e regjistruar nga Raiffeisen Bank. Pothuajse të gjitha bankat në renditje kanë parë dyfishim të normave të fitimit në 2014-n.
Krahas bankave dhe Raiffeisen Invest rezulton mjaft fitimprurës, me një normë kthimi prej 43% në 2014-n, nga 37% vitin e mëparshëm.
Call Center
Fillimisht kërkonin investime minimale për të filluar aktivitetin: një apartament me qira, tavolina e kompjuterë të ngjeshur me njëri-tjetrin, një linjë interneti dhe mjaft të rinj që flasin italisht dhe që paguhen pak. Sipas operatorëve, kostoja e punës është deri në tre herë më e ulët në krahasim me Italinë, duke përfshirë edhe kostot e infrastrukturave të tjera (kryesisht të shërbimit të internetit). Në Shqipëri, paga mesatare shkon 280-350 euro në muaj, krahasuar me 900-1000 euro në muaj në Itali. Sipas operatorëve të tregut, investimi fillestar nis nga 60-70 mijë euro për një kompani me 100 punonjës dhe kthimi i investimit është i garantuar nëse firma ka kontratë me një klient të fuqishëm jashtë vendit.
Sipërmarrësit e kapën me shpejtësi tendencën dhe kur në Tiranë zbritën kompanitë ndërkombëtare, u kuptua që bëhej fjalë për një biznes të madh. Ai u vu në shënjestër nga tregu i pasur italian: shoqëri si “Vodafone”, “Wind”, “Edison”, “Fastweb”, “Telecom”, “Tiscali”. Sot vlerësohet që sektori punëson gati 30 mijë, kryesisht të rinj, që flasin gjuhën italiane dhe numri i sipërmarrjeve i ka kaluar 300.
Dhe për pak vjet, sipërmarrjet që kapën momentin arritën të renditen ndër më të rëndësishmet dhe më fitimprurëset në Shqipëri. Dy operatorët kryesorë Albacall dhe Intercom Data Service (IDS) kanë marzhe fitimi dy shifrore, në rreth 25-27%.
“Marrëzia” e fitimeve të lojërave të fatit
Aktivitetet e lojërave të fatit vitin që shkoi, edhe pse përballë një aksioni të rreptë policor, njohën një rritje të shpejtë, ku xhiroja e disa kompanive shënoi rritje deri në 80%. Për herë të parë vjet, tre nga kompanitë e lojërave të fatit (Astra Albania, Adriatik Game, APEX-al) u përfshinë në 100 bizneset më të mëdha në vend për nga xhiroja e deklaruar në tatime dhe janë gjithashtu dhe në listën e më fitimprurësve.
Këto lloj sipërmarrjesh, më shumë u formalizuan, sesa u arrit të ndalohej vesi i marrë, ndonëse fushata u bazua në pjesë të madhe me moralizime sikur synimi ishte mbyllja ose minimizimi i këtyre aktiviteteve . Kompanitë kanë deklauar rritje të ndjeshme të rezultatit financiare, teksa normat e fitimit i kanë kaluar 30%.
Eagle Investment, e fokusuar në tregtimin e automateve dhe lojërave të fatit ka regjistruar pothuajse katërfishim të fitimeve në 2014, duke arritur një marzh fitimi prej 60%, e ndihmuar dhe nga të ardhurat e larta nga njësitë e kontrolluara.
Ndërtimi
Kompanitë e ndërtimit si në banesa rezidenciale ashtu dhe punë publike kanë norma fitimi mjaft të ndryshueshme nga viti në vit, duke reflektuar ciklin e ndërtimit, por edhe të realizimit të shpenzimeve publike.
Disa sipërmarrje ndërtimi kanë rezultuar me norma të larta fitimi në 2014-n, ku rekordin e mban Erjoni,në ndërtim banesash, me një marzh fitimi gati 70%. Rafaelo 2002, e përqendruar në ndërtimin e banesave industriale ka raportuar gjithashtu norma të larta fitimi, afër 28%.
Kjo në disa raste shpjegohet me raportimin e shitjeve për një projekt të caktuar, për të cilin kompania ka mbyllur ciklin e plotë të investimit.
Nga operatorët të përqendruar në punët publike, vetëm Alb Building ka shënuar rritje të marzhit të fitimeve, nga 17 në 20%.
Alb-Star ka parë një rënie të ndjeshme të këtij treguesi, në 10%, nga rreth 28% vitin e mëparshëm.
Koncesionarët
Disa sipërmarrje, që operojnë në tregje monopolistike “të dhuruara” (e kemi fjalën për koncesionet) i gëzohen marzheve të larta të fitimit.
Tirana International Airport arriti të marrë mbrapsh gati 30% të qarkullimit vjetor në 2014, nga 18% një vit më parë. Kompania ka një kontratë ekskluziviteti deri në 2025 për menaxhimin e Aeroportit të Rinasit.
Air BP Albania, që gëzon të drejtën ekskluzive nga Aeroporti i Rinasit për furnizimin e avionëve me karburant kishte një normë kthimi të të ardhurave prej gati 32%.
La Petrolifera Italo Albanese Sh.A ka marrë me koncesion portin Vlora-1 për ndërtimin dhe shfrytëzimin e terminalit bregdetar, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj në gjirin e Vlorës si dhe për shfrytëzimin e infrastrukturës portuale në shërbim të terminalit bregdetar. Ky koncesion i ka dhënë mundësi kompanisë të arrijë norma marrmendëse fitimi, që arritën në 60% në vitin 2014, nga 40% vitin e mëparshëm.
Nënkontraktorët e Bankers Petroleum
Ndryshe nga Bankers, nënkontraktorët e tij kanë deklaruar fitime të larta, si Phoenix Technology Services Albania, që renditet në dhjetëshe, apo dhe Crosco, Naftni Servisi D.O.O. – Dega Tirane, që deklaroi fitime prej 608 milionë lekësh, 74% më të larta se një vit më parë.
Phoenix Technology Services Albania është një ndër sipërmarrjet më fitimprurëse në Shqipëri, me një marzh fitimi prej 43% në 2014-n. Nuk mbetet prapa as Crosco, Naftni Servisi, që ka parë një kthim të të ardhurave në nivelin e 23%.
Edhe Bolv Oil, që krahas tregtimit të naftës, një pjesë të të ardhurave i siguron si nënkontraktor i Bankers, ka deklaruar fitime prej 824 milionë lekësh, ndonëse në rënie me 26%.
Përmbaruesit
Ndonëse një punë me telashe, rezulton se është mjaft fitimprurëse. Përmbaruesit privatë, një biznes relativisht i ri ky, që po “përballen” me një fluks kërkesash nga gjykatat, bankat e kreditorët e tjerë për të ekzekutuar pronat e lëna peng të kredmarrësve të këqinj, duket se po shpërblehen me fitime të larta.Strati Bailiff’S Service rezulton kompania më fitimprurëse në Shqipëri, ku nga rreth 300 milionë lekë të ardhura, 269 milionë lekë i ka fitime (para taksave), me një marzh fitimi që i afrohet 90%, për shkak të shpenzimeve të ulëta (kryesisht paga personeli e të tjera administrative).
Shitjet me pakice të Veshjeve
LC Waikiki, tregtuesi më i madh i veshjeve në vend, që ka shënuar një rritje të ndjeshme të aktivitetit vitet e fundit ka arritur të gjenerojë norma të larta fitimi, që arritën në 23% në vitin 2014.
Edhe ITX Albania, shpërndarëzi zyrtar i Zara, Massimo Dutti, Bershka, ndonëse e hapi aktivitetin në qershor 2014, në pak muaj ka arritur një qarkullim prej 1.2miliardë lekësh, që i ka mundësuar një normë fitimi prej 20%.
Të tjera
Western Atlas International, degë e shoqërisë së huaj, e specializuar në fabrikimin e eksplozivëve, ka parë jo vetëm një rritje të ndjeshme të xhiros në 2014-n, me 500%, por dhe normë të lartë fitimit prej 52%. Ndonëse e regjistruar në QKR, që në vitin 1998, lulëzimi i saj ka ardhur vetëm në 2014-n.
Edhe sipërmarrjet e fokusuar tek shërbimet e ndryshme rezultojnë me marzhe të larta fitimi, që i kalojnë 50%.
Hyrësit e rinj
Janë të shumta sipërmarrjet që u ka buzëqeshur fati në vitin 2014 dhe kanë arritur të renditen mes 100 kompanive me fitime më të lartë. Apex-Al është e para, e ndjekur nga Western Atlas International. Të dy kompani kishin kohë në treg, por 2014-a ka qenë pozitive për to. Listën e vijon Tpd-Trading Petrol & Drilling, që përpunon naftën e ARMO-s, një sipërmarrje kjo relativsht e re. Itx Albania (Zara) ka arritur direkt të renditet në 100 më fitimprurësit, me vetëm 6 muaj aktivitet.
Operatorë të tjerë të lojërave të fatit kanë hyrë në listë, si Adriatik Game, Vlt Albania etj.
Albchrome, që shfrytëzon bakrin me koncesion ka përmirësuar ndjeshëm rentabilitetin, pas marrjes në menaxhim nga grupi Balfin. Përmirësim të aktivitetit përsa i përket fitimeve ka shënuar dhe Sigal, Posta Shqiptare, Euroteorema Peqin, Union Bank, Pro Credit, Elka-sa etj.
“Humbësit” e mëdhenj
KESH është kompania që ka kaluar në humbësin më të madh, pasi ishte e para në renditjen e 2013-s dhe doli me humbje të larta në 2014.
Beralb, koncesionari i kromit, që në 2012-n kishte 2.5 miliardë lekë fitime dhe që në 2013-n zbritën në 1.1 miliardë lekë, ka dalë fare nga renditja në 2014-n. Kompania e ka pezulluar aktivitetin në shtator të këtij viti, për shkak të konjukturës së pafavorshme ndërkombëtare.
Sipërmarrje, që kanë shënuar rënie të fortë të fitimeve janë Kurum International, nga gati 3 miliardë lekë në 2013, në vetëm 300 milionë lekë në 2014.
Fushe-Kruje Cement Factory ka reduktuar fitimet me 70% në 410 milionë lekë.
Autoriteti Portual Durrës ka përgjysmuar fitimet me 50%.
Intervistë me z.Endri Puka, drejtor i kompanisë Albpetrol
Albpetrol: Fitime në kohë të vështira
Zoti Puka. si konsiderohet performanca e shoqërisë Albpetrol sh.a lidhur me fitimin e realizuar gjatë vitit 2014 ?
Për vitin 2014 ne kemi një rritje të konsiderueshme, e cila kalon shifrën e 5 milionë dollarëve amerikanë. Kjo rritje ka ardhur në një kohë shumë delikate ku Albpetrol sh.a ndodhej në proces ristrukturimi. Në mënyrë të përmbledhur mund të themi se rritja e fitimit ka ardhur si pasojë e rritjes së eficiencës në punë dhe shkurtimit të shpenzimeve. Albpetrol ka dyfishuar prodhimin ndonëse ka ulur numrin e fuqisë punëtore nga 3300 në 2000 të punësuar. Në fakt reduktimi i numrit të punonjësve nuk ka prodhuar rezultate gjatë vitit 2014 pasi, bazuar në Vendimin e Qeverisë për ristrukturimin, shumica e punonjësve përfituan shpërblimin e vjetërsisë një pagë për çdo dy vite pune si dhe 12 paga shpërblim, të cilat u paguan përmes zyrave të punës në bashkitë ku këta punonjës ishin rezidente. Efektet reale të ristrukturimit u panë në vitin 2015 ku çmimi i Brent u përgjysmua dhe ne arritëm që të mbajmë norma të mira fitimi. Nëse nuk do të kishim kryer ristrukturimin në vitin 2014, sot, me çmimin e Brentit në tregjet ndërkombëtare, ne do të ishim përballë sfidave të pakapërcyeshme.
Gjithashtu dëshiroj të përmend faktin se fitimi i vitit 2014 do të ishte shumë më i lartë, nëse gjatë vitit 2014 nuk do të ishin kontabilizuar detyrimet e viteve 2011-2012 ndaj CEZ sh.a. Kjo pasi gjatë vitit 2014 Albpetrol sh.a ka shlyer rreth 10 milionë dollarë amerikanë detyrime të prapambetura të krijuara në vitet 2011-2012.
Po viti 2015 si parashikohet?
Viti 2015 është një vit shumë i vështirë për të gjithë industrinë e naftës. Çdo ditë ka shoqëri që falimentojnë anembanë globit dhe dhjetëra sonda që ndalojnë punë çdo javë. Ne kemi filluar prej muajsh një fushatë për reduktimin e kostove duke synuar që edhe në vitin 2015 të jemi fitimprurës. Rëndësi të veçantë po i kushtojmë dhe mbledhjes së borxheve të trashëguara nga vitet e kaluara. Këto borxhe, në fund të vitit 2013 kapnin shifrën e 88 milionë dollarëve. Deri më sot janë rikuperuar rreth 10 milionë USD borxhe të prapambetura, por pjesa e mbetur, ndonëse proceset gjyqësore po fitohen dhe po nxirren urdhrat për bllokimin e llogarive të debitorëve, ka shanse të pakta për t’u arkëtuar.