100 biznese me 15,000 punonjës të industrisë prodhuese në të gjithë vendin kanë përfituar nga Garancia Sovrane 1.7 miliard lekë.
Kështu deklaroi sot ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, e cila vijoi turin e komunikimeve të drejtpërdrejta me bizneset, në një nga sipërmarrjet prodhuese në kryeqytet, të ndihmuar me paketën e zgjeruar 40,000 lekë, si dhe mbështetur nga Garancia Sovrane me kredi për pagat e 54 punonjësve.
Duke iu drejtuar sipërmarrësit, ministrja Denaj u shpreh se “marrëdhënia biznes-Zyra Pune dhe arsim profesional në formatin e ri mund të na lidhë edhe më ngushtë dhe aty të gjeni edhe punonjësit tuaj të rinj”.
Ajo theksoi se “ne kemi aprovuar një kredi me Garanci Sovrane 60% për kapital qarkullues dhe aktive fikse”.
“Ne nuk hyjmë në marrëdhënien bankë- biznes, nëse 60% e kredisë mbulohet me Garanci Sovrane. Por koha është më e reduktuar dhe njëkohësisht edhe interesi mund të zbutet nga bankat. Nëse ka problematika ne jemi aty si në aspektin e administratës tatimore, por edhe si ministri për të bërë politika. Kemi një plan afatmesëm për të ndihmuar bizneset për t’u ringritur dhe besoj se do ta anonçojmë javët në vijim. Por për momentin keni shfrytëzuar paketat dhe garancitë”, tha ajo.
Sipërmarrësi u shpreh se “aplikoi për kredinë dhe u aprovua në një kohë rekord, për 2-3 ditë”. “Kemi marrë gjithashtu edhe një pjesë të pagës së luftës për atë pjesë të sektorit tonë që nuk ishte në shërbim. Gjithashtu edhe ndihma e qeverisë na dha goxha frymëmarrje për këtë kohë të vështirë. Kjo gjë na ndihmoi shumë sidomos për pjesën e pagave dhe të siguracioneve. Ne kemi dëshirë të stimulohemi nga qeveria për të hapur vende të reja pune dhe për të investuar. Duam që qeverinë ta kemi partner”, tha ai.
/a.r