Nga Edi Rama*
Në 10 minuta që kam në dispozicion, 10 pika të nxjerra nga shënimet e mia gjatë debatit.
Së pari, me vjen mirë që opozita, kryesorja e bëri dhe e nënvizoi disa herë dallimin mes fjalës sime prezantuese dhe asaj që mbajta këtu 4 vjet më parë. Nuk çuditem që e quajtët truk, hile, marifet, hipokrizi dhe s ‘më vjen keq. S’keni faj që nuk e besoni, siç është në fakt, një hapje e vërtetë ndaj jush, e ndërtuar si qasje e re mbi çfarë unë dhe ne kemi mësuar në 4 vjet dhe posaçërisht nga ky vit. Po ky është vetëm fillimi i fillimit, dora jonë do të vazhdojë të shtrihet ndaj jush dhe s’ keni parë gjë akoma.
Së dyti, më vjen keq nga ana tjetër, që unë nuk unë nuk bëra dot asnjë dallim mes fjalëve tuaja sot dhe atyre që thatë po këtu, 4 vjet më parë. Nuk çuditem as për këtë, mirë s’ më vjen që nuk e sfiduat dot për asnjë çast qeverinë e re, me artikulimin e qoftë e vetëm një gjëje të re. Mor po asgjë! Asnjë edhe një fjali të re. Qoftë edhe një tingull të padëgjuar në këngën e vjetër të 4 vite më parë. Se për alternativë të re do të ishte e pamëshirshme t’ua kërkosh në gjendjen që jeni.
Së treti, e di mirë, është shumë më e lehtë të thuhet sesa të behët, kthesa që ky popull pret dhe meriton nga përfaqësuesit e vet, nga të gjithë ne këtu, në këtë sallë dhe në debatin politik në tërësi. Por ne do të vazhdojmë të trokasim me durim e me këmbëngulje në veshët tuaj, me shpresë se ju do të zgjoheni dhe do të reagoni, duke na sfiduar me ide që hapin debat, jo me gërhitje me sy hapur, që thjesht thyejnë heshtjen, duke u kthyer, pa i humbur edhe 4 vjet të tjera, nga arratia e gjatë në realitetin e jetës reale, ku e keni lënë bosh vendin e alternativës qeverisëse. Duke mos e refuzuar dorën e shtrirë të bashkëpunimit tonë për çështje që nuk janë të majta, nuk janë të djathta, janë çështje shqiptare.
Së katërti, më akuzuat për blerje dhe vjedhje votash në zgjedhjen për Kryetarin e Kuvendit. Nuk çuditem, s’kam pse çuditem, as faj nuk ju vë dot, kur ju shoh dhe ju dëgjoj në vazhdën e vazhdimit të mohimit të realitetit. Duket sikur kultura e mohimit të realitetit ju është bërë një sëmundje politikisht e transmetueshme. Simptoma e kësaj sëmundje u shfaq qartë edhe me këtë rast, kur protagonistët e republikës së vjetër vunë kujën që votat u blenë nga krimi. Ndërsa prurjet e Republikës së Re thanë që votat u vodhën në një grackë që e kishin hapur vetë ata , duke lënë bosh vendin e numëruesit.
Së pesti, ju u ankuat gjithë kohës se nuk gjetët program në programin tonë. Nuk gjetët reflektim, – thatë ju, – për çfarë nuk ka shkuar mirë, nuk gjetët shifra, kosto, bilance e të tjera akoma. Po sikur në fakt, ajo që ju nuk gjenit, të jetë aty dhe ju të mos keni sytë për ta parë dhe mendjen për ta kuptuar dhe nuk do ta ngrija këtë pikëpyetje. Është shumë e rëndë si pikëpyetje për një opozitë parlamentare, sikur të mos ju shihja dhe ju sheh e gjithë Shqipëria, si mbyteni në një lugë ujë. P.sh, humbët 140 mijë vota në krahasim me 4 vjet më parë. Tani vini këtu, 13 veta mangët nga ç’ishit kur shkuat për zgjedhje, me konkluzionin që ne, me afro 60 mijë vota më shumë dhe 9 veta plus nga ç’ishim, qenkemi në panik se na paska braktisur populli. Tani, a ma thotë kush, si mund ta shikoni ju dhe si mund ta kuptoni ju programin tonë, kur nuk jeni në gjendje të shikoni këtë fakt kaq të thjeshtë dhe kaq tronditës, që e lidhni me tronditjen e euros nga krimi.
Së gjashti, edhe kryetari Basha ishte në fjalën e vet, të parën në këtë sallë, një kopje e tronditur e udhëheqësit të Republikës së Re. Mu duk sikur më shumë e kishte hallin të mundte këtu fantazmat e Astrit Patozit dhe të Jopzefinës, që e akuzojnë dhe e kërcënojnë nga ato penxheret e Mark Zugenbergut, sesa të paraqiste në replikën e tij, 41 minuta e 02 sekonda, ndaj fjalës time prej 41 minutash e 02 sekondash, kartëvizitën e opozitës, vizionin alternativ për Shqipërinë. Ligjërata me play back e çadrës së lirisë ishte tamam si ajo gjella e mbetur nga dreka, që ngrohet për t’u ngrenë në darkë. Shpresoj që ta mbaroni atë gjellë. Nuk e kuptoj sa i madh paska qenë ai kazan. Mbarojeni dhe kthehuni në debatin real, konkret, produktiv.
Së shtati, më duket prapë e nevojshme ta përsëris, se unë jam gati, ne jemi gati ta hapim menjëherë dialogun për çështje të interesit të përbashkët, në dobi të popullit dhe të Shqipërisë së fëmijëve tanë. Sa dhe pse duhet të presim, o shumë i nderuari kryetar i Partisë Demokratike, për t’i adresuar këto çështje bashkërisht, në një dialog të institucionalizuar mes palëve, me ekipet përkatëse. Ju keni disa tema prioritare, ne kemi disa tema prioritare. Shqipëria ka prioritet anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe gjithçka që lidhet me të. Punët e shtëpive i kemi të ndara dhe oborri na del dhe na tepron që të përlahemi me njëri- tjetrin për buxhetin, për taksat, për arsimin, për shëndetësinë, për mjedisin e me radhë. Ndërsa sfidën Europiane të Shqipërisë e kemi të përbashkët dhe nuk mund të luajmë “e ka kush e ka” me Shqipërinë, edhe 4 vjet të tjera. Unë ju bëj thirrje ta pranojmë me kurajë këtë sfidë, se është një sfidë e kohës ku jetojmë.
E teta, e nevojshme t’jua them përsëri, mos e godisni Shqipërinë me duar e të huajve! Cilitdo qofshin. Ja ku na keni ne, na godisni sa të doni. Kërkoni hesap sa të doni. Na sfidoni me të gjitha format që doni. Por as ju kupton kush, as ju vlerëson kush, nga ata që ju dëgjojnë në gjuhë të huaj, kur flisni për Shqipërinë sikur është një lebrose që kërcënon Europën. Ju përdorin, natyrisht. Nxjerrin tharmin e zi të ligjëratave tuaja dhe bëjnë artikuj dhe reportazhe të ububu-shme për Shqipërinë. Dhe në klimën ku janë sot, kanë nevojë për të treguar me gisht kërcënime dhe kërcënues. Nxjerrin para nga xhepat tuaja, për lobime dhe fut e bjer Shqipërisë si ishulli i të gjitha të zezave. E në fund, faturën e paguan Shqipëria dhe emri shqiptar kudo nëpër botë.
Së nënti, nuk më me vjen as keq, as mirë, ky është, siç i thonë, një fakt i jetës, që një opozitë tjetër, më shumë e gjendur befas në opozitë, sesa e përgatitur për t’u ulur atje poshtë, mbas kurrizit të Partisë Demokratike, mbas 8 vjetësh ulur këmbëkryq në tepsinë e pushtetit, u shfaq këtu e mbistresuar nga humbja e vendit të punës. Siç u thashë edhe opozitarëve të përbashkët, 4 vjet më parë në këtë sallë, po jua them dhe ju mbas kurrizit të tyre, mos e kërkoni jashtë vetes shkakun e disfatës tuaj dhe mos i merrni shqiptarët për budallenj, që mund t’i tërhiqni nga hunda, duke iu bërë predikime sikur sapo zbritët nga qielli. Dhe kujdes me atë parullën ”qeveri e vogël, korrupsion i madh”, se tingëllon kiamet si një lapsus Frojdian mbi marrëdhëniet që keni ju vetë me këtë shtet.
Së fundi, më vjen shumë mirë që, pas kushedi qëkur, ky Kuvend e nisi punën në orar dhe një debat kaq i gjatë dhe i lodhshëm u zhvillua sidoqoftë, me një ecuri shembullore mbi binarët e rregullores. Shumë faleminderit të gjithëve dhe mbi të gjithëve, kryetarit të ri të Kuvendit që jam i bindur se do të na krijojë të gjitha kushtet që bashkërisht të vazhdojmë me durim ta gjejmë rrugën e arsyes.
*Fjala e kryeministrit Edi Rama në mbyllje të debatit parlamentar për programin qeverisës dhe votimit të qeverisë re