A i arriti pritshmëritë protesta e orës 7, të datës 7, të muajit të 7-të? Çfarë solli kjo protestë? A krijoi frymë antiqeveritare dhe e vendosi në vështirësi qeverinë? Cilat janë 10 konkluzione për atë që ndodhi për 2 orë në bulevard të enjten e javës që shkoi?
Nga Roland Qafoku
Protesta në Tiranë e orës 7, të datës 7, të muajit të 7, mbaroi. Por çfarë solli opozita me këtë protestë? A arriti ajo pritshmëritë? A arriti protesta të krijojë frymë masive antiqeveritare? A e vendosi kjo protestë në vështirësi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama? Nga aq pritshmëri kishte kjo protestë, dolën po aq konkluzione.
- Protesta e 7 korrikut arritit të tregojë se opozita ka mbështetje në popull dhe kjo u tregua me një pjesmarrje masive. Edhe pse numrat nuk tregojnë asgjë nëse merr parasysh faktin se vetëm anëtarësia e PD është rreth 100 mijë, pjesmarrja ishte e konsiderueshme. Të gjithë jemi dëshmitarë se në këtë protestë nuk kishte vetëm anëtarë të PD, të LSI apo edhe të partive të tjera opozitare. Në këtë protestë kishte përtej kësaj anëtarësie. Madje, ishte evidente se kishte pjesmarrës që janë kundër PD edhe LSI, madje edhe ndaj Sali Berishës dhe ndaj të gjithë liderëve të tjerë. Prandaj, pritshmërinë e parë që kjo protestë tregoi mbështetje ndaj opozitës e arriti.
- Protesta e 7 korrikut arriti të tregojë se opozita di të bëjë tubime pa përdorur dhunë dhe njëkohësisht të tërheqë vëmendjen e popullit dhe të tregojë se kultura dhe jo dhuna janë ato që ia rrisin kuotat kësaj opozite. Deklarata e Sali Berishës se PD vjen në pushtet vetëm me votë hodhi poshtë dilemat dhe pikëpyetjet se gjatë protestës do kishte dhunë. Madje mund të thuhet se në rrjetet sociale janë publikuar selfie nga personazhe nga më të ndryshëm me pamje të lumturuara për të provuar se jo vetëm kanë marrë pjesë në këtë protestë, por që dukeshin më shumë sikur të ishin në një party.
- Protesta e 7 korrikut arriti të tregojë se Patia Demokratike është një forcë politike e denjë si alternativë e pushtetit. Pas humbjes turpëruese në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, PD pothuajse ishte inekzistente. Vetëm fakti që kjo protestë është e para që opozita realizoi pas humbjes së madhe tregoi se në çfarë situate ndodhej kjo opozitë. Por 7 korriku tregoi se sa domethënëse ishte po kjo opozitë dhe se mbetet alternativa kryesore për të ardhur në pushtet.
- Protesta e 7 korrikut tregoi se pavarësisht problemeve që ka Partia Demokratike dhe ndarjes në dy apo edhe më shumë grupime, ajo u duk më e bashkuar se në çdo moment tjetër që nga 9 shtatori i vitit të kalur kur Sali Berisha u përjashtua nga grupi parlamentar. Pjesmarrja në protestë e deputetëve mbështetës të Lulzim Bashës dhe Enkelejd Alibeajt ishte majft domethënëse dhe krijonte sensin e bashkimit dhe jo të përcarjes. Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Xhelal Mziu por edhe të tjerë, treguan se më shumë se ndasitë dhe grupazhet, interesi më i madh është i PD dhe opozitës. Në protestë kishte edhe deputetë të tjerë që pavarësisht prezencës dukeshin si mish i huaj. Të përkedhelur edhe pse aktiviteti i tyre politik ka kaluar nga njëra humbje në tjetër, prezenca e tyre në tubimin e 7 korrikut ishte më shumë se për të treguar se ne jemi këtu se sa të kishin ndonjë impakt.
- Protesta e 7 korrikut tregoi se edhe pse PD nuk e ka kaluar plotësisht krizën, mund të thuhet se është drejt kalimit të saj. Mospjesmarrja e Lulzim Bashës, e Enkeled Alibeajt dhe Gazmet Bardhit ishte ndarja e vetme në këtë protestë. Gara e selfie-ve për të provuar se ishin në protesë, tregoi se servilët e partisë janë qenia më negative aty. Ata brejnë cdo gjë nga vlerat që tregohen në një kauzë dhe parti. Servilë ndaj të pushtetshmëve dhe prepotentë ndaj të dobtëve ata vijojnë ta shikojnë PD si një lopë që e mjelin. I marrin asaj dhe nuk i japin gjë prej gjëje. Dhe kur nuk i pyet kush, sepse e meritojnë, sfida e vetme e tyre është hapja e akademive me emër shkronje të çuditshme, për të mësuar se si mbahen këmbët kur janë dukë mbajtur një fjalim.
- Protesta e 7 korrikut tregoi mbështetje të madhe por ende nuk krijoi frymë. Dhe frymë do të thotë tërheqja e elektoratit gri, e masës së njerëzve që nuk kanë interesa të jenë pjesë e politikës aktive dhe e atyre intelektualëve që nuk futen në rreshtat politië. Kjo protestë tregoi se nuk e arriti këtë frymë. Pra pakënaqësia e njerëzve ndaj qeverisë është më e madhe se PD. Dhe ky ishte një problem i rëndësishëm i kësaj proteste. Rrjedhimisht, pavarësisht pjesmarrjes, protesta nuk e vendosi në vështirësi qeverinë dhe kryeminsitrin Edi Rama. Protesta tregoi se këto lloj manifestimesh janë të rëndësishme për opozitën por ato nuk e largojnë kryeministrin. Beteja e opozitës janë zgjedhjet dhe në pranverën e vitit 2023 do duket se sa e fortë dhe sa dominuese ëhstë kjo opozitë ndaj qeverisë.
- Protesta e 7 korrikut tregoi se ende PD nuk e ka larguar si ide të saj sovranitetin dhe antiamerikanizmin. Thirrja e një zonje nga foltorja se Yuri Kim nuk mund të jetë kryeministre e Shqipërisë ishte e papranueshme dhe se tregoi se PD ende nuk po gjen mekanizma për të normalizuar marrëdhëniet me SHBA. Parimi se Berisha ka vota dhe mbështetës dhe se një ditë SHBA do pendohet për vendimin “non grata” të sekretarit Antony Blinken janë më shumë se naivitet. PD dhe vetë Berisha duhet të gjejnë mekanizma për t’i normalizuar këto raporte e jo duke sulmuar ambasadorene Kim, por duke ndryshuar qendrim dhe sjellje, veçanërist në gjuhën e përdorur ndaj saj.
- Protesta e 7 korrikut tregoi se rinia dhe vëtëm ajo mbetet promotorja e të gjitha zhvillimeve në vend. Ku ka rini ka zhvillim. Dhe kjo nuk tregohet vetëm me pjesmarrje por edhe me mënyrën se si u soll kjo rini gjatë protestës. Ishte gjëja më e mirë e protestës pjesmarrja e djemve dhe vajzave të reja që niste që nga kolona zanore e deri ata që mbajtën fjalim. Megjithatë problemi kryesor i të rinjve të opozitës veçanërisht të PD është se nuk po krijojnë figura të rëndësishme të formatit të lartë politik. Euforia dhe krekosja që ka kapluar disa të rinj aty duket qartë që jo vetëm nuk I bën liderë, por shumë shpejt pritet të katandisen në mjeranë që kishin mundësi të mëdha por që u treguan të vegjël.
- Protesta e 7 korrikut tregoi se reagimet ndaj qeverisë nuk janë pronë e disa individëve të preferuar por e masës së qytetarëve. Ky tubim ishte larg atyre që organizonte Basha me preferencë personale deri se kush duhet të fliste në foltore. Pavarësisht kërcitjeve për ndonjë fjalimmbajtës që lëshonte mufka në të folur, fakti që aty e morën fjalën shumë persona që përfaqësonin shumë grupime interesi tregoi se protesta ishte e hapur. Kjo protestë tregoi se ishte lënë pas gara e preferencave të “Public Relation” se kush duhet të fliste dhe çfarë duhet të fliste.
- Protesta e 7 korrikut tregoi se policia dhe qeveria u sollën mëse normalisht me atë që u zhvillua në pak më shumë se dy orë. Ndoshta ishte i tepruar blindimi i dyerve dhe dritareve të kryeministrisë dhe kryesisë së kuvendit duke kriujuar një perceptim negativ, megjithatë gjithçka nga ana e policisë u menaxhua korrekt dhe pa asnjë problem.