10 gëzhoja kallashnikovi janë gjetur në vendin e ngjarjes nga grupi hetimor i Policisë së Shkodrës, që po heton për zbardhjen e vrasjes së 59-vjeçarit Sokol Çelaj.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se janë shoqëruar disa persona në lidhje me këtë ngjarje, por ende nuk ka një pistë konkrete për arsyet e ekzekutimi të ish-oficerit të Policisë së Shkodrës.
Policia po heton edhe në lidhje me konflikte që mund të ketë pasur 59-vjeçari gjatë qëndrimit në Mbretërinë e Bashkuar ndërsa ka kërkuar edhe ndihmën e bashkëpunëtorëve britanikë, pasi vendi ynë pak kohë më parë ka firmosur një marrëveshje me policinë britanike.
Çelaj u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së enjtes, në fshatin Reç të Malësisë së Madhe. Një person i armatosur hapi zjarri ndaj makinës me të cilën udhëtonte viktima.
Brenda fuoristradës ishte edhe bashkëshortja e të ndjerit, por që fatmirësisht u shpëtoi plumbave. Vetë gruaja, në dëshminë e dhënë para hetuesve tha se kishte parë një person që doli para makinës së tyre.
Sipas saj, autori ka qenë i armatosur me kallashnikov dhe ka qëlluar në drejtim të tyre. Ajo thotë se nuk ka mundur ta identifikojë autorin për shkak të errësirës.
Viktima Sokol Çelaj ka qenë emigrant prej disa vitesh në Angli. Ai ishte kthyer në Shqipëri disa ditë më parë, më 18 Gusht. Çelaj ka qenë i dënuar me disa vite burgim për një vrasje të kryer në vitin 1989 dhe çështja ka 30 vite që është mbyllur.
/a.r











