OSHEE nuk është më barrë për arkën dhe buxhetin e shtetit. Kështu është shprehur drejtuesi i saj Ardian Çela, në konferencën për 1 vjetorin e aksionit të nisur nga qeveria kundër vjedhjes së energjisë elektrike. Çela shtoi se gjatë vitit 2015 janë arkëtuar rreth 150 mln dollarë më shumë në krahasim me vitin 2014.
“Rritja e qëndrueshme e nivelit të arkëtimeve dhe ulja e humbjeve ka bërë që kompania të ketë një bilanc pozitiv, plus 10 miliardë lekë. OSHEEE nuk është më barrë për buxhetin e shtetit, por një kontributore e të ardhurave”- tha Çela.
Ndërkohë, Ministri Damian Gjiknuri tha se reforma në sektor mbuloi gropën e lënë nga qeverisja e shkuar.
“Në këtë 1 vit, qeveria tregoi se kur merren plane me veprime konkrete, qëllimet janë të arritshme. Vetëm nëpërmjet pagesave, shlyerjes së detyrimeve mund të mbijetojë sistemi i energjisë. Reforma në energjetikë ishte e domosdoshme, edhe për të shpëtuar buxhetin e shtetit, në mënyrë që ky sektor të mos jetë barrë për të”, tha ministri Gjiknuri.
Gjatë fjalës së tij, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri e vlerësoi aksionin si një kontribut ndaj luftës kundër korrupsionit.
“Ky aksion ligjëroi barazinë e njerëzve para ligjit, që më i forti të mos t’i shmangej detyrimit për pagesën e energjisë së konsumuar. U identifikuan 2826 raste të vjedhjes së energjisë, dhe u ndëshkuan të gjithë shkelësit e ligjit. Ky aksion ka dhënë rezultat edhe kundër korrupsionit, e sidomos korrupsionit të administratës”, tha Tahiri.