Nga Ermal Telha
Ishte njoftuar më herët, dhe sot ndodhi manifestimi i një kauze të drejtë. Varfëria, represioni, shtrëngimet financiare, korrupsioni i lartë e të tjera arsye si këto, janë shtysa të forta për të protestuar. Qytetarët që protestojnë meritojnë më shumë sesa u ofrohet aktualisht dhe këtë duhet ta kërkojnë gjithnjë me mjete demokratike.
Kjo protestë u thirr nga opozita, sikundër teorikisht duhet të ndodhte, sepse presupozohet që oponenca në nivele të larta bëhet pikërisht nga ata, opozitarët e zgjedhur me votë.
Këta të fundit, pikërisht këta na treguan që janë “dirigjentë” antipopullorë, antikombëtarë, e anti mirëqënies së qytetarëve. Përshëndetën një e nga një protestuesit e sjellë me autobuza të paguar prej tyre, sepse qytetarët e përvuajtur nuk kanë as para, as kohë të tepërt për tu shfrytëzuar në mënyrë antinjerëzore nga “zaptuesit”e kauzave të drejta.
Kam pasur jo pak rezerva edhe kur diçka e tillë ndodhi në 2011, e lutem që situata të mos precipitojë në humbje njerëzish. Rikthimin në atë situatë të shëmtuar të dhunimit të institucioneve, nuk ma merrte mendja kurrë.
Ndarja midis pjesemarrësve sot është e qartë. “Dirigjentët’ që flasin për varfërinë e atyrë që kanë përballë, nga petku i kostumeve të shtrenjta që vlejnë me gjasë, aq sa shtëpitë e atyre që po i dëgjonin. Si mund të rreshtosh të përndjekurit politikë në protestë kur përdhosjen e të drejtave të tyre e ke kultivuar për të gjithë kohën që ke pasur mundësi t’u ofroje atë që meritojnë?! Si mund t’i tregosh të varfërit se kafshata e tij është në rrezik kur kollarja jote kushton më tepër se asistenca sociale që ai merr gjithë jetën?! Si mund të stimulosh dhunën ndaj institucioneve që ndërtohen me taksat e qytetarit, duke shkaktuar të njëjtin precedent me të cilin u justifikuan vrasjet e 21 janarit, që nuk kanë marrë akoma drejtësinë e tyre?!
Qytetarët, për fatin tonë tragjik, edhe këtë herë në plan të fundit, shumë shkallë poshtë interesave personale të përfaqësuesve që i janë imponuar ti votojnë, të cilët duhet të zhduken një orë e më parë nga skena politike në vend. 25 vjet dhe shqiptarët trajtohen si dele, të cilat “Bariu” i çon në drejtimin e gabuar, e askush nuk ve mënd!
Ju lutem mjaft, mjaft e rrënuat qytetarin më shumë se ç’e keni rrënuar, mjaft me karshillëkun e luksit përballë atyre që nuk mbushin barkun me bukë, të cilët e dijnë mirë që pasurimi juaj është bërë në kurriz të tyre.
Si guxoni?! Ku e gjeni forcën morale të flisni për ndërtimin e së ardhmes duke stimuluar shkatërrimin e institucioneve?! Si mundni të bëni atë që pikërisht e “dënuat me vdekje” 5 vjet më parë?! Ku e gjeni guximin që në vend që tí kërkoni ndjesë qytetarëve për katrahurën e shkaktuar në 25 vite, vazhdoni t’i trajtoni si “shashka” për të ndezur “zjarrin” që ju ngroh ju e i përvëlon ata?! Ata, pikërisht ata, në emër të të cilëve përfitoni padrejtësisht?!
Ju nuk përfaqësoni varfërinë, as të varfërit. Mos ja bëni Shqipërisë e shqiptarëve këtë, nuk e meritojnë. Largohuni në qoftë se nuk i shërbeni dot vendit, por mos e shkatëroni hapësirën dhe qëniet njerëzore që jetojnë në të.
Sot, Shqipëria më shumë se kurrë ka nevojë për një operacion “Bypass” të figurave politike që po frymëzojnë vetëm dhunën, shkatërrimin, vëllavrasjen, terrorin, destabilitetin.
Edhe sot, si jo pak herë në vitet që kane shkuar, ja dolët më së miri që popullin tuaj shpresëvrarë, ta bëni “Dele të zezë” në mes të Europes, të asaj Europe nga cila po na largoni cdo ditë e më tepër ndërkohë që ne presim të kundërtën.