Nga Sokol Balla/
Shtatëdhjetë më parë, kur bota mendoi se po ndryshonte.. ndryshoi serish. Një avion i nisur nga brigjet amerikane, Enola Gay, shkarkoi mbi dy qytete japoneze, Hiroshima dhe Nagasaki, bombat e para me mbushje berthamore, me gjasë ende të vetmet të hedhura në mënyrë aktive dhe në kohë lufte.
Lufta në fakt po mbaronte. As një muaj më vonë në shtator 1945, u firmos edhe kapitullimi i Japonisë, sigurisht e dërrmuar nga masakra bërthamore në këto dy qytete. Masakër kryesisht në civilë, që mban firmën dhe vulën e ndërgjegjes së amerikanëve.
Unë kam patur fatin të vizitoja Hiroshimën në tetor 2009. Treni Shinkansen, i bëri 580 kilometrat që ndanin Hiroshimën me Osakën në pak më shumë se dy orë. Por mbërritja në Parkun e Paqes në fakt ishte një udhëtim pas në kohë. Ne nuk i dimë shumë gjëra mbi këtë tragjedi, por në Muzeun e Hiroshimës janë prova dhe fakte që tregojnë se akti tragjik dhe i tmerrshëm ishte i paramenduar deri në detaje nga amerikanët. Të cilët nuk harruan kurrë sulmin mbi Pearl Harbour, aty ku japonezët edhe ata, testuan për herë të parë një armë të re. Në 1941 në portin havajan ranë kamikazët e parë, djem të rinj të devotshëm japonezë, të cilët shndërruan avionët e tyre në bomba, duke u vetësakrifikuar së bashku me ta, mbi bazën ushtarake dhe flotiljen detare amerikane.
Katër vite më vonë do vinte hakmarrja amerikane. Bomba A, që thuhet fillimisht ishte testuar nga nazistët, u prodhua po prej tyre, por tashmë si mercenarë të qeverisë amerikane, në shkëmbim të amnistisë dhe shpërblimeve financiare. Në muzeun e Hiroshimës kishte fakte të ekspozuara që tregonin qartë se amerikanët në shenjë hakmarrjeje për Pearl Harbour (gjatë këtij sulmi humbën jetën qindra civilë amerikanë) dhe me justifikimin për të detyruar Japoninë kryenece të nënshkruante kapitullimin, planifikuan një sulm bërthamor mbi të. Zgjedhja e dy qyteteve ishte perfide: Hiroshima dhe Nagasaki ishin më afër mundësisë së rrezes së veprimit të avionit me pseudonimin Enola Gay, por nuk ishte kjo, arsyeja kryesore. Japonia në atë kohë kishte ngritur shumë kampe përqëndrimi për POW (Prisoners of War), kryesisht amerikanë, të kapur në luftim. Këto kampe ishin vendosur me dinakëri nga japonezët pranë bazave të tyre ushtarake, për t’i kthyer në mburoja njerëzore ndaj sulmeve ajrore amerikane. Qoftë te kamikazet apo tek kampet e të burgosurve të luftës, japonezët krijuan modele që janë kopjuar sot e gjithë ditën, sigurisht në fillim nga palestinezët, e më pas nga grupet islamike të terrorit. Por ndryshe nga sot, kur fjala “berthamore” i tmerron amerikanët, 70 vjet më parë, kjo fjalë ishte skenari i fundit i Luftës së dytë Botërore. Bombat që ranë në të gdhirë në Hiroshima dhe Nagasaki, gjetën kryesisht popullsi civile. Në këto dy qytete bazat ushtarake nuk kishin kampe të burgosurish amerikanë. Jenkit u treguan njerëzorë, së paku me të vetët…
Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje në muzeun e Hiroshimës, është një copë mur nën një ballkon. Si e vizatuar nga dora e një piktori të zotë, aty dergjej hija e një statuje njerëzore. Sipas shënimit: ishte ajo që kishte mbetur nga një burrë, pas shpërthimit. Zhdukur epluhurosur në sekondë, por jo pa lënë hijen në mur. Përgjithmonë. Si shenjë e një krimi final, absurd, kryesisht mbi civilë. Sipas asaj që thuhet në muze, bomba në fakt nuk ka shpërthyer në sipërfaqen e tokës, por disa qindra metra pëmbi. Si një shenjë ogurzezë se cfarë ajo mund të kishte shkaktuar nëse prekte tokën. Vetëm eksplozivi që e shoqëronte do të ishte mjaft të rrafshonte qytetin. Por diferencën e bëri shpërthimi i reaksionit bërthamor.
Sot, ndërsa këmbanat bien sërish në vendin mbi të cilin shpërtheu bomba, besoj shpirtrat sillen ende vërdallë, të paqetësuar ende nga vdekja e pazakontë. 70 vjet më vonë bota është shumë më e pasigurt dhe e frikshme pikërisht për shkak të asaj që ndodhi në Hiroshima. Tashmë janë me dhjetëra shtetet krerët e të cilëve flenë me gishtin tek butoni i kuq, i cili nëse shtypet, Hiroshimën e shpërndan në gjithë globin në pak minuta. Sot amerikanët janë në ballë të përpjekjeve për demilitarizimin bërthamor të botës. Një pendesë e gjatë shtatëdhjetë vjecare për aktin që ndryshoi botën. Por për më shumë ata vetë.
Parku i Paqes në Hiroshima është vërtet i tillë. Japonezët cuditërisht tragjedia i bëri më të mirë. Arroganca e një shteti të pasur dhe të fuqishëm, u zëvendësua me dhimbjen dhe qetësinë. Ndaj kur cunami i goditi në 2010 me një forcë shumë fish të Hiroshimës, isha i sigurt në rimëkëmbjen e tyre. Në Hiroshima, jeta thuhet rinisi në 7 gusht, një ditë më pas. As 24 orë pas shpërthimit, kur ende nuk dihej numri i të vdekurve, u hapën dyqane e spitale dhe njerëzit filluan të pastrojnë qytetin në mënyrë vullnetare.
Ndaj dhe mendova të shkruaja sot për këtë ngjarje, që qoftë edhe si turist më ka goditur e shokuar përgjithmonë. Kam patur fatin të shoh në Muzeun Amerikan të aviacionit edhe avionin fatkeq dhe famëkeq, Enola Gay. Tashmë duke prekur dy skajet e këtij segmenti, e ke më të lehtë të kuptosh, se vërtet aty ku nis vdekja mbaron jeta, por edhe e kundërta është e vërtetë: që aty ku nis jeta, mbaron dhe vdekja. Dhe kjo ndan edhe kombet dhe kampet.
Pavarësisht se ku, janë amerikanët…