Nga Skënder Minxhozi/
Natyrisht më e mira do të ishte të mos kishte ndodhur gjithë ajo zallamahi e rrokopujë. Më e mira do të ishte që ambulancat dhe makinat me gra e fëmijë të mos ishin bllokuar nëpër rrugët e Shqipërisë, ashtu siç ndodhi edhe me mijëra qytetarë të Tiranës nëpër udhëkryqet e kryeqytetit javën e shkuar. Më mirë do të ishte të mos ishin djegur as vendkalimet në Kalimash dhe për pasojë, të mos ishin arrestuar as ata që i dogjën. Por ja që tashmë gjithçka ndodhi dhe Edi Rama bëri, para katër ditëve, të vetmen zgjedhje normale, në situatën aktuale: të tërhiqet qoftë dhe përkohësisht nga imponimi i tarifave për rrugën më të shtrenjtë të historisë së shtetit shqiptar, Rrugën e Kombit.
Teksa kundërshtari i tij Lulzim Basha ishte ulur në asfaltin e autostradës në Vorë, kryeministri njoftoi vendimin për të pezulluar pagesat në rrugët që lidh Shqipërinë me Kosovën “deri në zgjidhjen më të mirë”.
Vendimi i Ramës për ngrirjen e sistemit të pagesës pritet të sjellë një kthesë në zhvillimin e ngjarjeve që lidhen me rrugën e Kombit, por panorama politike në Tiranë ka më shumë elemente sesa revolta e një pjese të vogël banorësh të Kukësit apo zonave të tjera të Verilindjes. Në sfond qëndron konflikti politik që opozita është munduar të ushqejë në muajt e fundit, e që ndërhyn kohë pas kohe në marrëdhëniet e acaruara mes qeverisë dhe partive të pakicës. Rama. Afrimi i vendimit për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, është gjithashtu një faktor që duket se i hedh benzinë zjarrit në politikën e Tiranës.
Ajo që duket qartë dhe në mënyrë të përsëritur, edhe pas revoltës së tarifave, është brishtësia e frymës opozitare në vend. E frymës zyrtare opozitare, për të qenë më të saktë, pasi protesta popullore e ka gjetur kurdoherë vendin dhe momentin për t’u dëgjuar. Pikërisht siç ndodhi në tunelin e Kalimashit.
Ajo që tenton të ngrejë zërin dhe që nuk mundet, nuk ka forcë dhe mbështetje nga pas, është fryma opozitare e partive që ndodhen në pakicë. Në orët që pasuan revoltën e tunelit të Kalimashit, opozita në Tiranë bëri dalje pas daljeje në podiumet e saj, bllokoi rrugët kombëtare nga Veriu në Jug, paralajmëroi rrëzimin e qeverisë, ikjen nga parlamenti, djegien e mandateve, e çfarëdo kërcënimi të imagjinueshëm që ka efekt për veshët e një njeriu të zakonshëm – e megjithatë asgjë prej këtyre nuk ndodhi. Mjaftoi një fundjavë Pashkësh ortodokse, që rrugët e bllokuara, sherri kumbues i fjalimeve patetike plot fjalë të rënda e përbetime, të gjitha morën fund dhe u shuan, ashtu siç ka ndodhur kushedi sa herë deri më sot.
Opozita e djathtë e ka gjuajtur me çizme qeverinë aktuale, i ka rreshtuar asaj akuzat më fantapolitike që mund të prodhojë një mendje njerëzore, i ka numëruar ditët dhe orët, i ka parashikuar skenarin grek dhe izolimin ndërkombëtar, futjen në burg të ministrave dhe rënien e afërt të kryeministrit. Kjo opozitë e ka akuzuar Ramën për korrupsion, drogë, vrasje, shitblerje interesash kombëtare, keqqeverisje dhe injorancë. I ka thënë të njëqindenjëtat.
Pyetja më normale, më naive dhe njëherësh më e natyrshmja e imagjinueshme, që të vjen në mendje, si ke dëgjuar këtë listë “gjëmash” është: pse nuk çohen masivisht shqiptarët, e ta hedhin në Lanë qeverinë e krimit, të korrupsionit, të drogës dhe të një mijë të zezave?! Pse edhe një moment emotiv, plot flakë e tym gomash të djegura, si ai i vënies së tarifave për rrugën e Kombit, nuk po prodhon zjarr politik në Tiranë?!
Ashtu si pyetja, mesa duket edhe përgjigja është shumë e thjeshtë dhe natyrshme sesa mendohet: sepse ata që shajnë Ramën për autostradën, kanë qenë me vite të akuzuarit e mëdhenj të korrupsionit që lidhet me atë rrugë. Që është projekti më i kushtueshëm i shtetit shqiptar, qëkur Ismail Qemali shpalli pavarësinë nga Turqia! Nuk mund të atakosh mungesën e kredibilitetit të kundërshtarit, kur e ke përtokë kredibilitetin dhe imazhin tënd. Prandaj tymi opozitar lodhet e lodhet, pa prodhuar zjarr. Tamam si një flakë kashte, e cila kur merr hov, i fut frikën gjithë miletit, por që kur shubhet, nuk le pas veçse pak hi. Ngjarjet e fundit në Kalimash treguan se Shqipëria ka kriza, probleme dhe nevoja urgjente për të zgjidhur, por nëse qeveria gabon (e kjo ndodh dendur), përballë saj duhet një palë e besueshme, që revoltën popullore e shumëfishon, e jo e mpak dhe e “kastron”. Prandaj dalldia e rrugëve të bllokuara të së enjtes, u fashit si të mos qe fare, përballë vezëve të ngjyera të Pashkëve vetëm tre ditë më vonë.