Shqiptarët konsiderohen si “miq” nga shtetasit amerikanë. Sipas një sondazhi të bërë publik së fundmi, Shqipëria listohet në grupin e shteteve që amerikanët i konsiderojnë “miqësorë” dhe miq. Sipas të dhënave të ofruara nga sondazhi për Shqipërinë, 5% e amerikanëve mendojnë për shqiptarët si armiq, 11% si jomiqësor, 32% kanë mendimin se shqiptarët janë miqësorë, rreth 3% i konsiderojnë aleatë shqiptarët, ndërsa përqindja e tyre që nuk janë të sigurt, përbën shumicën. 48% e amerikanëve, pra rreth gjysma e tyre nuk janë të sigurt se në çfarë statusi t’i kategorizojnë shqiptarët: miq apo armiq.
Sa u përket gjykimeve për rajonin, për Serbinë, dilema “miq apo jo miqësorë” ka qenë më e madhe, duke qenë se përqindjet e tyre janë të përafërta; shqiptarët e Kosovës konsiderohen miq, megjithatë edhe për ta, përqindja e personave jo të sigurt është e lartë. Bosnjë-Hercegovina sërish konsiderohen miqësorë, Kroacia po ashtu. Në rastin e Maqedonisë dhe Malit të Zi, përqindja e amerikanëve të pasigurt për statusin që i japin popullsive të këtyre dy shteteve, kalon gjysmën e të anketuarve, 60%.
Sipas të dhënave të tjera, shtetet e konsideruara ‘armike” janë Koreja e Veriut, Irani dhe Siria. Ndërsa shtetet me 0 % si armiq janë Madagaskari, Australia dhe Paraguaji.
Faqja YouGov i ka kërkuar 7.150 të rriturve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara pyetjen:
“A i konsideroni vendet e listuara më poshtë si miq apo armiq të Shteteve të Bashkuara?”
Secilit të anketuar iu mor në konsideratë përgjigjja sipas një përzgjedhje të rastësishme të 15 nga 144 shtete. Opsionet e përgjigjes ishin “Aleatë”, “Miq”, “Jo Miq”, “Armiq” ose “Nuk jam i sigurt” për çdo vend të listuar. Përzgjedhja e 144 vendeve ishte joshkencore, por mostra përbën shumicën e vendeve jo-ishullore në secilin kontinent (me përjashtim të Antarktidës) dhe shumicën dërrmuese të popullsisë së botës. Disa shtete të përfshira kanë statuse të diskutueshme, të tilla si Shteti i Palestinës apo edhe Kosova, citohet në raportin që shoqëron sondazhin, por duke pasur parasysh historitë e tyre të veçanta kundrejt SHBA-së, ato janë trajtuar si të dallueshme./monitor