Shuhen shpresat për azil në Gjermani, Shqipëria vend i sigurt origjine
Gjermania po ecën me hapa të shejtë sa i përket shpalljes së Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi, si vende të sigurta origjine. Për përfshirjen e kësaj nisme në një paketë ligjore, është diskutuar në takimin e zhvilluar mbrëmjen e kaluar mes krerëve të partive pjesëtare të koalicionit qeverisës në Berlin.
Projektligji parashikohet të prezantohet më 24 Shtator, siç tha edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, në konferencën e përbashkët për shtyp me zëvendësin e saj Zigmar Gabriel, të dy drejtues të partive më të mëdha të vendit.
Sipas paketës së re, parashikohet që azilkërkuesve nga ato që konsiderohen vende të sigurta origjine, t’u përshpejtohen procedurat e azilit. Por shtetasve nga vendet e Ballkanit Perëndimor do t’u zgjatet nga 3 në 6 muaj koha e qëndrimit në qendrat e pritjes deri në vendimin përfundimtar për azilin.
Por do t’u minimizohen pagesa monetare. Me këtë pikë synohen të dekurajohen ata azilkërkues, të cilët shkojnë në Gjermani për arsye ekonomike. Pas mbarimit të afatit 6 mujor, ata janë të detyruar të largohen menjëherë nga vendi.
Rregullat e mëparëshme lejonin që azilantët të qëndronin deri në 1 vit në Gjermani, edhe pse u refuzohej qëndrimi.
Socialdemokratët propozuan edhe lehtësimin e procedurave të punësimit dhe arsimimit në Gjermani të shtetasve nga Ballkani.
Redaksia Java News/ f.g