Në një intervistë për gazetën, nëndrejtori i ISSH-së sqaron të gjitha vendimet e fundit që prekin të ardhurat e pensionistëve. Ali Emini tregon të gjitha kategoritë, që do të përfitojnë rritje të pensionit dhe afatet kur kjo shtesë do të merret nga pensionistët.
Çfarë do të ndodhë me kompensimet e tjera të pensionistëve dhe lajmi i mirë për pensionet e veçanta, të cilat do të kenë një shtesë për një trajtim të barabartë.
Qeveria ka marrë dje vendimin për indeksimin e pensioneve. Sa bëhen pensionet pas kësaj shtese dhe kur do t’i marrin pensionistët paratë?
Në këtë vendim përcaktohet që të indeksohen në masën 1.6 për qind pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara dhe pensionet e parakohshme të pleqërisë, të invaliditetit, pensionet familjare dhe për vjetërsi shërbimi, të cilat janë caktuar sipas Ligjit nr.4171, datë 13.09.1966 dhe Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Në masën 1.6 për qind është vendosur që të indeksohen edhe të gjithë kategoritë e pensioneve të fshatit, të cilat janë caktuar sipas Ligjit nr.4976, datë 29.06.1972 “Për pensionet e Anëtarëve të Kooperativave Bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe ato të caktuara sipas paragrafit të katërt të nenit 96 të Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ku bëjnë pjesë ata persona që kanë një vjetërsi pune me ish-kooperativat bujqësore, por që kanë paguar edhe kontribute si persona të vetëpunësuar në bujqësi, nga viti 1994 e në vazhdim.
Po kështu, vendimi përcakton indeksimin në masën 1.6% edhe pensionet për merita të veçanta, pensionet e posaçme shtetërore apo shtesat e pensionit të posaçëm shtetëror, të gjithë llojet e përfitimeve të caktuara sipas Ligjit nr.10142, datë 15.05.2009 “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me përjashtim të pensioneve familjare të ushtarakëve të rënë për shkak dhe në krye të detyrës, të cilat rillogariten duke u vendosur në masën 100% të pagës, sa herë rritet paga e personelit në detyrë.
Parashikohet të indeksohen në masën 1.6% edhe të gjitha llojet e trajtimeve të veçanta financiare të familjeve të pilotëve fluturues, trajtimeve të veçanta financiare të efektivave, oficerë dhe nënoficerë, lundrues të nëndetëseve, trajtimeve të veçanta financiare të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë dhe pensionet e pleqërisë të caktuara me Ligjin nr.150/2014, datë 6.11.2014, trajtimet e veçanta financiare të punonjësve që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake dhe pensionet suplementare të punonjësve, të cilët kanë tituj shkencorë.
Së bashku me pensionet dhe në të njëjtën masë indeksohen edhe shtesat mbi pension të përfituara nga ata persona, që kanë shtyrë datën e daljes në pension, duke qenë në punë dhe duke paguar kontribute, të caktuara sipas nenit 33 të Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993, shtesat që përfitojnë invalidët me fëmijë të vegjël në ngarkim dhe invalidët e grupit të parë, sipas masës dhe kritereve të përcaktuara në nenet 38, 39 dhe 48 të Ligjit nr.7703, datë 11.05.1993; Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë; të ndryshuar, dhe me nenin 24 të Ligjit nr.4171, datë 13.06.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”. Në këtë vendim është parashikuar që në masën 1.6% të indeksohet edhe shtesa mbi pension që përfitohet nga invalidët e luftës. Vendimi i shtrin efektet financiare nga 01.08.2016, çka do të thotë që duke filluar nga data 1 gusht, ISSH-ja ka marrë të gjitha masat me qëllim që çdo pensionist që në ditën e parë të muajit do ta ketë pensionin të indeksuar në masën 1.6%.
A preket pensioni social nga rritja e djeshme e pensioneve?
Siç u sqarua edhe me lart, vendimi parashikon të indeksohen me 1.6% të gjithë pensionet e me datë lindjeje të së drejtës deri më 31.07.2016. Pas rritjes që është miratuar, pensioni i plotë minimal i pleqërisë për personat, të cilëve e drejta për pension u ka lindur deri më 31.12.2014, nuk mund të jetë më pak se 12,635 lekë në muaj nga 12 436 lekë që ishte, ndërsa pensioni maksimal nuk mund të jetë më shumë se dyfishi i pensionit minimal, ose 25 270 lekë në muaj. Ndërsa për pensionet e caktuara me datë fillimi nga 01.01.2015 e në vazhdim, e ardhura minimale nuk mund të jetë më e vogël se masa e pensionit social, e cila nga 6750 lekë bëhet 6858 lekë në muaj, ndërsa e ardhura maksimale varet nga paga e gjithë secilit dhe nuk ka kufizim në lartësinë e tij.
Në vendime flitet edhe për shtesat e tjera të pensionistëve, si kompensimet apo shtesat të veçanta. A ndryshon trajtimi i këtyre shtesave nga vendimi i ri?
Edhe pas aplikimit të indeksit, pensionisti që i ka përfituar kompensimet krahas pensionit, krahas të ardhurave nga pensioni, do të vazhdojë të marrë të ardhura të tjera, që jepen me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave si 150 lekë në muaj kompensim për diferencën e çmimit të bukës, 350 lekë në muaj si kompensim për energjinë elektrike dhe 414 lekë në muaj për çdo pjesëtar të familjes që është në varësi ekonomike të pensionistit etj. Gjithashtu, pensionisti do të vazhdojë të marrë edhe kompensimet për të ardhurat minimale sipas VKM nr.401, datë 21.06.2006, kompensim në masën deri në 500 lekë në muaj dhe sipas VKM nr.763, datë 27.12.2006, kompensimin në masën deri 760 lekë në muaj, sipas VKM nr.415, datë 27.04.2009 “Për rritjen e pensioneve” në masën 190 lekë në muaj dhe sipas VKM nr.477, datë 30.6.2010 “Për rritjen e pensioneve” në masën 200 lekë në muaj.
Një tjetër vendim është ai për pensionet suplementare. Çfarë ndryshon për këtë kategori dhe si do të llogaritet pensioni i administratës shtetërore që përfitojnë nga suplementari?
Me një vendim të veçantë, krahas indeksimit, Këshilli i Ministrave ka vendosur edhe unifikimin e masës së pensioneve të posaçme shtetërore. Pensionet e posaçme janë përcaktuar për persona që kanë kontribute të veçanta në fushën e ekonomisë, artit, shkencës, sportit etj. Këto pensione janë të vendosura nominalisht nga qeveria dhe sipas ligjit janë sa masa e pensionit maksimal. Por, megjithëse janë përcaktuar e vendosur sipas kritereve të njëjta, për shkak të indeksimit të pabarabartë të pensioneve në vite dhe sidomos për shkak të politikave të rritjes në përqindje me të vogël të pensioneve maksimale ndaj atyre minimale, ishin konstatuar diferencime. Për një rivlerësim dhe trajtim të barabartë të përfituesve, qeveria përcaktoi barazimin në nivelin e pensionit maksimal të të gjithë këtyre pensioneve, duke filluar nga data 1.8.2016./Panorama/a.m.