Bilanci tregtar i vendit u përmirësua sërish gjatë muajit prill. Sipas Institutit të Statistikave, gjatë prillit deficiti në tregtinë e mallrave u ngushtua me rreth 1% me bazë vjetore. Për katër muajt e parë të vitit, deficiti tregtar ishte rreth 97 miliardë lekë, me një rritje të lehtë prej vetëm 1% krahasuar me katërmujorin 2017. Stabilizimi i deficitit tregtar i detyrohet kryesisht rritjes së eksporteve, që edhe për prillin regjistruan një rritje vjetore me 11%.
Ndërsa të dhënat progresive tregojnë se për katërmujorin e parë të vitit, eksportet arritën në 101 miliardë lekë, 17% më shumë kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Fasonet vazhdojnë të dominojnë eksportet shqiptare, me 41% të totalit, megjithatë, kontributin kryesor gjatë prillit e dha rritja e eksporteve të lëndëve të para në grupin “minerale, lëndë djegëse energji”. Eksportet e këtij grupi për katërmujorin u rritën me 41% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje mund të jetë e lidhur me shtimin e eksporteve të energjisë, por edhe me përmirësim të eksporteve të lëndëve të para dhe sidomos të naftës bruto.
Importet e mallrave për prillin u rritën me 4.9%, ndërsa për gjithë katërmujorin rritja ishte 8.4%. Rritja e importeve është e shpërndarë në pothuajse të gjitha grupmallrat, ndërsa ritmet më të larta të rritjes edhe këtë vit po i regjistron grupi i makinerive dhe pjesëve të këmbimit.
Deri tani, rritja e importeve nuk po jep ndikim të madh te deficiti tregtar i vendit, falë rritjes më të lartë të eksporteve, por edhe forcimit të lekut në kursin e këmbimit valutor. Duke qenë se në vlerë importet janë më të mëdha se eksportet, mbiçmimi i lekut e ndikon pozitivisht bilancin tregtar dhe kontributin e sektorit të jashtëm në rritjen ekonomike.
a.ç