Sipas Hickës, Avokatura i ka kërkuar Ministrit të drejtësisë në atë kohë caktimin e avokatëve, por ky nuk ka dhënë miratimin. “ne kemi procedurat më të shkurtra ligjore dhe kemi vepruar shumë shpejt. Ministria e Drejtësisë nuk dha miratimin dhe s’mund të vazhdonim më tej”, thotë Hiçka.
Projektligji për ndërtimin e Portit gjigand të Karpenit, u dërgua në Kuvend në verën e vitit 2016, kohë në të cilën Ministër Drejtësie ishte Ylli Manjani (i cili e mbajti këtë post nga nëntori i vitit 2015 deri në janar të vitit 2017).
Ky projekt përfaqëson një investim në total prej 5 miliardë USD-sh për një periudhë 5-10 vjet. Porti u propozua të ndërtohej në zonën e Karpenit, për të lejuar hyrjen e anijeve të mëdha tregtare, që kanë nevojë për thellësi prej 20m. Për realizimin e qëllimit të këtij porti, është e domosdoshme të ndërtohen edhe zona ekonomike, e cila në përfundim të projektit është parashikuar të këtë një shtrirje prej1700 hektarësh.
Zona e portit parashikohej të përbëhej nga ambientet mbështetëse të portit (magazina, terminale, qendër logjistike), nga një zonë e re banimi pranë kompleksit, një serë me teknologji te lartë dhe akademi sporti. Gjithashtu, u parashikua ndërtimi edhe i një terminali rigazifikimi LNG dhe një centrali për prodhim energjie (central energjie me gaz ose biomase).
Në relacionin që u dërgua në Kuvend thuhej se niveli i investimit parashikohej i tillë që do të kishte menjëherë një impakt të dukshëm në performancën ekonomike shqiptare. Vetëm faza e ndërtimit do të sillte një investim vjetor të barabartë me 57% të PBB-së çdo vit, dhe 6 200 vende pune. Në përfundim të realizimit të projektit, parashikohej të gjenerohen 70 100 vende pune për ekonominë shqiptare, që përfaqësojnë një rritje të nivelit të punësimit me 6.4%.