Më në fund Shqipëria ka arritur të gjejë kundërshtar për zhvillimin e një ndeshjeje miqësore, jo në 17 nëntor siç ishte parashikuar, por një ditë më parë në 16.
Kuqezinjtë do të presin në stadiumin “Qemal Stafa”, kombëtaren gjeorgjiane në një sfidë që do të luhet në orën 20.00.
Kompletohet, kështu, “mozaiku” i axhendës së kombëtares kuqezi për këtë muaj, teksa do të rikthehet në fushat e blerta për herë të parë pas suksesit historik, kualifikimit në finalet e “Euro 2016”.
Trajneri De Biazi pritet të ftojë edhe disa elementë të rinj për këto dy miqësore, që t’u japë mundësinë të tregojnë veten dhe, më pas, të vendosë për t’i bërë pjesë të grupit të zgjeruar kuqezi, apo jo.
Tekniku 59-vjeçar nuk e ka publikuar ende listën e lojtarëve për këto dy ndeshje, por pritet që element të tillë, që kanë spikatur te Shpresat, Rey Manaj dhe Milot Rashica, të jenë mes të grumbulluarve.
Ballafaqimi i fundit mes këtyre dy kombëtareve daton më 3 korrik 2013, po në “Qemal Stafa”. Kuqezinjtë mundeshin me rezultatin 2-1.