Kreu i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), Philippe Lazzarini, kritikoi ashpër ditën e sotme politikën e qeverisë izraelite për mohimin e urisë në Gaza, duke e quajtur atë “të turpshme”.
Gjatë një seminari në Santander, në veri të Spanjës, Lazzarini deklaroi se Gaza po përballet me një uri të krijuar nga vullneti politik dhe ushtarak, duke e përshkruar situatën humanitare si “fundi i greminës”.
Ai theksoi se dështimi i komunitetit ndërkombëtar për të reaguar ndaj paralajmërimeve për urinë është po aq i turpshëm.
“Gaza sot është ferri vetë. Njerëzit jo vetëm po vdesin nga bombardimet, por edhe nga uria, madje edhe kur dalin për të kërkuar ushqim, vriten” tha Lazzarini. Ai kritikoi mungesën e masave dhe dënimit nga ata që mund të ndryshonin situatën, duke shtuar se Izraeli po vepron me “papërgjegjshmëri të plotë” pa pasoja ekonomike, politike apo diplomatike.
Lazzarini bëri thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe qasje të pakufizuar për ndihmat humanitare në Gazë, duke vënë në dukje se ndihma e barabartë me 6 mijë kamionë të UNRWA-s, e mjaftueshme për të mbuluar nevojat ushqimore të popullsisë palestineze për dy muaj, po mbahet jashtë Rripit të Gazës.
Ai dënoi gjithashtu sulmin ajror të ushtrisë izraelite ndaj Spitalit Nasser në Khan Younis, në jug të Gazës, ku u vranë civilë dhe gazetarë.
Lazzarini bëri thirrje për mbështetje për gazetarët palestinezë, të cilët, sipas tij, janë dëshmitarët e vetëm të situatës në Gazë, pasi Izraeli nuk lejon hyrjen e reporterëve ndërkombëtarë për të verifikuar gjendjen në terren.
Më tej, ai vuri në dukje numrin e lartë të punonjësve humanitarë të vrarë, me mbi 360 anëtarë të stafit të UNRWA-s që kanë humbur jetën në Gazë.











