Koronavirusi nuk po kursen as lider, artistë, biznesmen e politikanë në mbarë globin. Së fundmi mediat e huaja kanë bërë me dije se Presidenti i Argjentinës, Alberto Fernandez është vetizoluar, pas një numri të lartë të testeve pozitive të zyrtarëve brenda kabinetit të tij.
Në këtë mënyrë ai ka paraprirë mundësinë e infektimit nga koronavirusi, që deri më sot në mbarë botën ka vrarë afro 500 mijë njerëz dhe ka infektuar më shumë se 8.4 milionë të tjerë.
Mjeku presidencial, Federico Saavedra përmes një deklarate për shtyp ditën e djeshme u shpreh se vendimi për izolimin e presidentit Fernandez, vjen për ta mbrojtur atë sa më shumë nga koronavirusi.
Mjeku ka rekomanduar që udhëheqësi të kufizojë kontaktin e tij “sa më shumë të jetë e mundur” dhe të mbetet në rezidencën presidenciale të Olivos.
Masa u mor si rezultat i “përparimit në numrin e rasteve pozitive të regjistruara në zonën metropolitane të Buenos Aires që tregon një rritje të konsiderueshme të qarkullimit viral”.
Ndërkohë mësohet se në këtë situatë që është vendi, Presidenti do të rri i izoluar deri në momentin kur situata e pandemisë të qetësohet.
Fernández, 61 vjeç, ka qenë aktiv në të gjithë vendin, duke vizituar një numër fabrikash dhe bashki lokale, i shoqëruar nga delegacione të zyrtarëve publik. Ai anuloi një udhëtim në Rosario vetëm disa ditë më parë në minutën e fundit, pasi kryetari i Peronistit të Lomas de Zamaro, Martín Insaurralde doli pozitiv nga testi i Covid-19.
Deri më tani, më shumë se 34,000 raste të Covid-19 janë konfirmuar në Argjentinë. Më shumë se 10,000 prej tyre janë shëruar, me 886 vdekje të regjistruara, raporton Buenos Aires Times.
Numri i infeksioneve është veçanërisht i lartë rreth kryeqytetit, me 88 përqind të të gjitha rasteve në zonën e Buenos Aires.
g.kosovari











