Zyrtare, Alban Meha grumbullohet për Serbinë
Alban Meha rikthehet në kombëtare për sfidën me Serbinë në “Elbasan Arena”. Federata Shqiptare e Futbollit, bazuar në listën e përpiluar nga trajneri Ganni De Biasi për dy eliminatoret e fundit të Euro 2016 i ka dërguar ftesë zyrtare klubit të Konyasporit për mesfushorin 29-vjecar, i cili ka rezultuar ndër më të mirët e skuadrës së tij në këtë fillim sezoni. Ftesa për Mehën është konfirmuar edhe nga mediat turke, që u referohen zhvillimeve te Konyasporin.
Për herë të fundit Meha ishte grumbulluar nga De Biasi para eliminatores me Armeninë, në muajin mars, por edhe në këtë rast ish-futbollisti i Paderbornit, nuk ishte as në stolin e rezervave, pasi u largua nga grumbullimi për arsye familjare.
Përformancat pozitive me Konyasporin si dhe dy golat e shënuar një kundër Gallatasarajit dhe një tjetër ndaj Osmanlisport e kanë bindur trajnerit e kuqezinjve për ta përfshirë në listë për ndeshjet e radhës me Serbinë dhe Armeninë, që do të vendosin nëse Shqipëria do të kualifikohet direkt në finalet e “Francë 2016″.