Zyrtari i lartë i FMN-së, që ndodhet këto ditë për një vizitë në Shqipëri, në një intervistë të posaçme për Monitor thotë se tani është koha për të ndërmarrë reforma dhe për të ndërtuar mbrojtjen ekonomike dhe financiare kundër goditjeve të pafavorshme…
“Teksa ekonomia europiane e globale është në fazë rimëkëmbje, ky është momenti më i mirë edhe për qeverinë shqiptare, që të mos vetëkënaqet dhe të përshpejtojë reformat”. I këtij mendimi është DMD Tao Zheng, zëvendësdrejtor i përgjithshëm i FMN-së, i cili është për një vizitë në Tiranë këtë javë. Kjo është vizita e parë e një zyrtari kaq të lartë të FMN-së, që nga viti 2007.
Në një intervistë të posaçme për “Monitor”, z. Zheng pohon se Shqipëria ka një sërë sfidash të komplikuara me të cilat duhet të përballet, të cilat duhet të synojnë infrastrukturën, arsimin, kujdesin shëndetësor, një kornizë të fortë ligjore.
Reformat e administrimit të taksave dhe përmirësimet në planifikimin e investimeve publike, përfshirë partneritetet publike-private duhet të zbatohen me kujdes për të zbutur rreziqet ndaj financave publike, thotë ai. Z.Zheng tërheq vëmendjen edhe për procesin e konsolidimit bankar, ku praktikat e menaxhimit të rrezikut të jenë të forta dhe të gjithë investitorët dhe menaxherët në sektorin financiar të përmbushin standardet e duhura.
Ai thotë se Shqipëria ka mbetur ende një prej vendeve më të varfëra të Europës për disa arsye, si niveli i ulët ekonomik në fillim të viteve ‘90, kriza e vitit 1997, reformat e ngadalta, të cilat kanë bërë që vendi të mos arrijë të tërheqë investime në sektorë me vlerë të lartë.
Ndaj, rekomandon ai, e rëndësishme mbetet sidomos reforma në drejtësi, si një parakusht që Shqipëria të zhbllokojë potencialin e saj të plotë ekonomik. “Ne i këshillojmë të gjitha palët – qeverinë, sistemin politik dhe shoqërinë civile – të angazhohen plotësisht në reformimin e gjyqësorit dhe në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm që çon në rritjen e qëndrueshme ekonomike”, rekomandon zyrtari i lartë i FMN.
Cilat janë sfidat me të cilat përballet ekonomia globale në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Në përgjithësi, perspektiva afatshkurtër është pozitive, ndërsa në afatin e mesëm ka më shumë sfida që do të kërkojnë veprime për të përmirësuar rritjen në të ardhmen. Si rrjedhojë, nuk shohim vend për vetëkënaqësi.
Duke filluar me lajmin e mirë: ekonomia botërore po rikuperon shpejtësinë. Raporti ynë i Perspektivës Ekonomike Globale, i publikuar së fundmi, parashikon rritje globale prej 3.9% për këtë vit dhe vitin e ardhshëm. Për të dy vitet, kjo është një rritje prej 0.2 pikë përqindjeje mbi parashikimin tonë të tetorit të kaluar. Kushtet financiare kanë qenë akomoduese, duke përforcuar këtë ndjesi pozitive dhe duke ndihmuar aktivitetin e ekonomisë reale.
Rishikimi në rritje i parashikimeve tona ka ardhur pjesërisht për shkak të perspektivës së përmirësuar afatshkurtër për ekonomitë e zhvilluara. Ky është një lajm i mirë për një periudhë afatshkurtër. Por, kjo është gjithashtu një rimëkëmbje ciklike, dhe sapo cikli të hyjë në rrjedhën e tij, rritja në ekonomitë e përparuara parashikohet të ngadalësohet. Kjo është pasojë e disa çështjeve strukturore afatgjata, si rritja e ulët e produktivitetit dhe plakja e popullsisë, të cilat ngadalësojnë rritjen potenciale.
Ndër ekonomitë në zhvillim, rimëkëmbja në çmimet e mallrave të bursës ka ndihmuar eksportuesit e mëdhenj si Brazili, Rusia dhe Nigeria të rimarrin veten nga recesioni. Përsëri, ky është një lajm i mirë për një periudhë afatshkurtër. Por kjo nuk mund të zgjasë, sepse perspektiva afatmesme për çmimet e mallrave të bursës është më e ulët në krahasim me të kaluarën dhe vendet në zhvillim, të varura nga lëndët e para mund, të përballen me një situatë të vështirë shtrënguese në të ardhmen.
Pra, ndërsa është joshëse të rrish dhe të shijosh momentin aktual të rritjes, udhëheqësit politikë dhe politikëbërësit duhet të pyesin veten se çfarë mund të bëjnë ata për të nxitur rritjen potenciale të ekonomive të tyre, si në vendet e zhvilluara, ashtu edhe në ato në zhvillim.
Ata gjithashtu duhet të përqendrohen në krijimin e qëndresës financiare për të përballuar një ndryshim të mundshëm të kushteve të tanishme lehtësuese financiare dhe të mbrohen nga tronditjet e ardhshme. Një sfidë e përbashkët midis ekonomive të përparuara dhe atyre në zhvillim është se si ta bëjnë rritjen më gjithëpërfshirëse, në mënyrë që përfitimet të mund të ndahen gjerësisht.
Kjo është hera e parë që ju vini në Shqipëri në këtë detyrë. Si do ta vlerësoni ecurinë e vendit tonë në këtë periudhë tranzicioni?
Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm që nga fillimi i tranzicionit në vitin 1991. Ajo ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe ka pasur një nga normat më të larta të rritjes për frymë në rajon gjatë dekadës së kaluar. Ka pasur pengesa, të tilla si kriza në vitin 1997 dhe ngadalësimi i rritjes së shkaktuar nga kriza financiare europiane. Por falë reformave, Shqipëria tani po bën përparim të qartë në konvergjencën drejt nivelit të zhvillimit me pjesën tjetër të Europës.
Ka ende sfida të rëndësishme në këtë rrugë tranzicioni. Shteti ligjor duhet të forcohet. Shpresoj se Shqipëria do të bëjë përpjekjet maksimale për të zbatuar reformën gjyqësore dhe se ambienti politik do të mbetet i qëndrueshëm. Forcimi i institucioneve publike dhe përmirësimi i klimës së biznesit janë çelësi për të inkurajuar investimet dhe për të rritur mundësitë për punësim. Zgjerimi i rritjes ekonomike dhe përmirësimi i jetës së shqiptarëve varet nga reformimi i sistemit tatimor, infrastrukturës publike dhe të drejtave të pronësisë.
Ashtu si në pjesën tjetër të botës, të dhënat e fundit të raportit të Forumit Ekonomik Global për indeksin e zhvillimit (inclusive development index) treguan se edhe në Shqipëri ka pasur një rritje të pabarazisë 5 vitet e fundit. Cilat do të ishin rekomandimet tuaja për politikat që duhet të ndjekë qeveria që ta bëjë rritjen me gjithëpërfshirëse?
Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në uljen e varfërisë gjatë dy dekadave të fundit, edhe pse kriza ekonomike europiane ka qenë pengesë gjatë viteve të fundit. Gjatë këtij tranzicioni, shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë parë përmirësime të konsiderueshme në standardin e tyre të jetesës si rezultat i reformave që hapën ekonominë.
Rritja ekonomike e qëndrueshme është hapi i parë për uljen e varfërisë. Por nuk është e vetmja. Rritja duhet gjithashtu të jetë më gjithëpërfshirëse. Ne të Fondit mbështesim fuqimisht masat për mbrojtjen e grupeve të prekshme, përmes investimeve në shërbimet sociale, shëndetësisë dhe ndihmës sociale të synuar për më të varfrit.
Janë të nevojshme investime më të mëdha në arsim dhe trajnimin e aftësive për të përmirësuar punësimin e të rinjve. Një sistem më i drejtë taksash, me më pak hapësira shmangieje dhe përjashtimesh, gjithashtu kontribuon në më shumë drejtësi në shpërndarjen e të ardhurave. Një shembull i mirë është tatimi mbi pronën, i bazuar në vlerë, që qeveria po zhvillon me ndihmën tonë teknike.
Shqipëria vijon të mbetet ndër vendet me të ardhura më të ulëta për frymë në Europë (me përjashtim të Ukrainës, Moldavisë dhe Kosovës), sipas të dhënave të FMN-së. Nëse mund të jepni një vlerësim se pse ka ndodhur kjo (vendi ka një pozicion gjeografik të përshtatshëm dhe burime të shumta natyrore) dhe çfarë duhet ndryshuar në politikat e zhvillimit?
Të ardhurat për frymë në Shqipëri, në terma nominalë, janë rritur më shumë se gjashtë herë gjatë dy dekadave të fundit, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Megjithatë, më shumë duhet dhe mund të bëhet për të rritur të ardhurat dhe cilësinë e jetës së të gjithë shqiptarëve.
Niveli aktual i zhvillimit ekonomik është rezultat i disa faktorëve.
Së pari, Shqipëria filloi nga një bazë shumë e ulët. Në vitin 1991, ishte vendi më i varfër në Europë me kapital shumë të kufizuar, infrastrukturë të vjetruar, pothuajse asnjë industri dhe institucione të dobëta.
Së dyti, kriza e vitit 1997 ishte një hap i madh mbrapa në procesin e zhvillimit.
Së treti, përparimi në reformat lidhur me zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, ka qenë më i ngadaltë. Si rrjedhojë, Shqipëria ka pasur më shumë vështirësi në tërheqjen e investimeve në sektorë me vlerë më të lartë.
Prandaj, ne i këshillojmë të gjitha palët – qeverinë, sistemin politik dhe shoqërinë civile – të angazhohen plotësisht në reformimin e gjyqësorit dhe në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm që çon në rritjen e qëndrueshme ekonomike. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria do të jetë në gjendje të zhbllokojë potencialin e saj të plotë ekonomik.
Si do t’i vlerësoni marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe FMN-së pas viteve ‘90 dhe vendimin e fundit të qeverisë shqiptare për të mos nënshkruar një marrëveshje të re, pasi ajo trevjeçare përfundoi në shkurt 2017?
Marrëdhënia ka qenë e fortë dhe e frytshme. Shqipëria u bë anëtare e plotë e FMN-së në tetor 1991. Që atëherë, ne kemi mbështetur Shqipërinë përmes këshillave për politikat dhe ngritjes së kapaciteteve gjatë gjithë procesit të saj të tranzicionit. Qindra zyrtarë shqiptarë kanë ndjekur kurse trajnimi të mbajtura nga FMN. Kemi dërguar këshilltarë në Shqipëri për të ndihmuar qeverinë, Bankën e Shqipërisë dhe INSTAT-in për të forcuar operacionet e tyre.
Aktualisht, dy këshilltarë të FMN-së janë në Bankën e Shqipërisë. Ekspertët tanë nga Instituti i Përbashkët i Vjenës dhe Qendra për Ekselencë në Financa në Lubjanë gjithashtu ofrojnë shpesh trajnime dhe asistencë teknike. Ne mbajmë një kontakt të ngushtë me autoritetet për çështjet ekonomike dhe kemi bërë të disponueshme financime për të mbështetur reformat, të cilat kanë arritur në gati 350 milionë euro në 2014-‘17. Ne jemi të gatshëm të mbështesim përpjekjet për reforma dhe do të jemi të lumtur të diskutojmë për ndihmë apo financim shtesë, nëse kërkohet nga qeveria shqiptare.
Reforma në drejtësi/ Ne i këshillojmë të gjitha palët – qeverinë, sistemin politik dhe shoqërinë civile – të angazhohen plotësisht në reformimin e gjyqësorit dhe në sigurimin e një mjedisi të qëndrueshëm që çon në rritjen e qëndrueshme ekonomike. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria do të jetë në gjendje të zhbllokojë potencialin e saj të plotë ekonomik.
Cilat shikoni si rreziqet kryesore të Shqipërisë në zhvillimin e ardhshëm të Shqipërisë? Çfarë politikash rekomandoni për t’u ndjekur?
Shqipëria ka një sërë sfidash të komplikuara me të cilat duhet të përballet. Shqipëria ka qenë e suksesshme në rivendosjen dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik gjatë viteve të fundit, duke ndërtuar një bazë të qëndrueshme. Rritja po rimëkëmbet. Si mund të vazhdojë qeveria të mbështesë rritjen ekonomike?
Në aspektin më të gjerë, duke ofruar më mirë shërbimet publike – infrastrukturën, arsimin, kujdesin shëndetësor, një kornizë të fortë ligjore – ndërkohë që ruan qëndrueshmërinë makroekonomike. Qeveria është fokusuar me të drejtë në forcimin e sistemit tatimor dhe përmirësimin e menaxhimit të financave publike. Kjo do të thotë se ata përpiqen të mbledhin më shumë të ardhura dhe më pas t’i shpenzojnë ato në mënyrë më efikase.
Kjo është e rëndësishme, sepse borxhi publik është ende i lartë, pavarësisht se është ulur kohët e fundit dhe ende varet nga financimi afatshkurtër. Kjo e lë vendin të pambrojtur ndaj goditjeve financiare. Pra, përpjekjet e konsolidimit fiskal duhet të vazhdojnë, ndërsa në të njëjtën kohë duhet të garantohen shpenzimet sociale.
Reformat e administrimit të taksave dhe përmirësimet në planifikimin e investimeve publike, përfshirë Partneritetet Publike-Private duhet të zbatohen me vendosmëri për të zbutur rreziqet ndaj financave publike. Javën e kaluar, kemi botuar një dokument se si të rritet investimi në infrastrukturë në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne konkludojmë se një nxitje e infrastrukturës publike të koordinuar rajonale, së bashku me menaxhimin më të mirë të projekteve aktuale, mund të rriste të ardhurat për frymë deri në 3-4 pikë përqindjeje në një periudhë afatgjatë.
Nga ana financiare, ne mendojmë se konsolidimi aktual në sektorin bankar është i mirëpritur, por autoritetet duhet të sigurojnë që praktikat e menaxhimit të rrezikut të jenë të forta dhe të gjithë investitorët dhe menaxherët në sektorin financiar të përmbushin standardet e duhura. Banka e Shqipërisë ka mbajtur në mënyrë të përshtatshme norma të ulëta interesi, por do të duhet të përshtasë politikën monetare nëse fillon rritja e inflacionit.
Në përfundim, tani është momenti për të përshpejtuar reformat. Pse? Për shkak se ekonomia globale po rritet, siç përmenda në fillim. Inflacioni dhe normat e interesit janë të ulëta në Europë. Tani është koha për të ndërmarrë reforma dhe për të ndërtuar mbrojtjen tuaj ekonomike dhe financiare kundër goditjeve të pafavorshme. Ka rreziqe të jashtme, siç e përmenda më herët, dhe ky moment i mirë nuk do të zgjasë përgjithmonë.
Brenda vendit, kemi parë sfidat që kanë ardhur nga kushtet e pafavorshme të motit, si thatësira më parë gjatë vitit dhe përmbytjet në fund të vitit të kaluar. Një ngadalësim i reformave gjithashtu mund të dëmtojë besimin dhe të dëmtojë perspektivat e rritjes. Prandaj, siç e përmenda në fillim, nuk ka vend për vetëkënaqësi./ Intervistoi: Ornela Liperi
a.ç