Gjykata e Elbasanir ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për një person, i akuzuar për veprën penale ‘Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor’. Prokuroria thotë se personi F.S, i ka vënë zjarrin një pjesë të pyllit për të shtrirë tubin e ujit për të vaditur ullinjtë.
Njoftimi i prokurorisë Elbasan:
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan u caktua masa e sigurimit ‘Arrest me burg’ për shtetasin F.S. për veprën penale “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor” parashikuar nga neni 206/a§1 i Kodit Penal.
Më datë 21.08.2025, policia u njoftua se në fshatin Bresnik i Poshtëm, Njësia Administrative Kodovjat, bashkia Gramsh ka rënë zjarr në mesin e një pylli të përbërë nga lloje drurësh “Mare” dhe “Cendel”.
Në vendngjarje shtetasi F. S.i deklaroi se ka shkuar bashkë me babain e tij në fshatin Bresnik Poshtë, ku i ka vënë zjarrin një pjese të sipërfaqes së pyllit për të shtrirë markushin e ujit për të vaditur ullinjtë. Pasi i ka vendosur zjarrin bashkë me të atin kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të tij. Zjarrin e vendosi me çakmak për të lehtësuar punën për të shtrirë markushin për tek arat e tij.
Në deklarim ai tha se zjarrin e kishte nën kontroll dhe se është hera e parë që e bën për të pastruar pyllin për të shtrirë një markush uji.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Elbasan sekuestroi në cilësinë e provës materiale një çakmak, ndërkohë që shtetasi F.S. po hetohet për veprën penale e parashikuar nga neni 206/a§1 i Kodit Penal, që përbën krim të kryer me dashje dhe për të cilin dispozita përkatëse përcakton një maksimum dënimi prej 8 (tete) vite burg.











