Shqipëria është prekur nga zjarret në disa zona të vendit nga veriu në jug.
Zjarri që ra në zonën e Syrit të Kaltër në Sarandë, ku pasditen e djeshme mori përmasa të mëdha, ka vijuar edhe gjatë natës por me intensitet të ulët. Në fshatin Pecë, vatra e zjarrit është fikur gjatë natës. Prej orëve të para të mëngjesit në Syrin e Kaltër po operojnë 1 avion Canadair dhe 1 helikopter.
Ditën e djeshme u bë evakuimi i vizitorëve nga parku natyror. Qarkullimi Muzinë-Sarandë u mbyll pasi flakët gjigande zbritën deri në rrugë. Problematike u paraqit situata edhe në segmentin Bistricë-Muzinë.
Zjarri mbetet aktiv edhe prane fshatit Pecë, në perëndim të Syrit të Kaltër, ndërsa janë fikur gjatë natës vatrat në fshatrat Ninat dhe Janjar, bashkia Konispol.
Ndërkohë, shqetësim vazhdon të përbëjë edhe vatra e zjarrit në Xath të Fushë Arrëzit që ra ditën e djeshme. Banorët në Xath dhe Flet vijojnë të jenë të evakuuar. Rreth 35 hektarë pyje janë përfshirë nga flakët, ndërkohë që pritet ndërhyrja nga ajri. Tymi i dendur ka ‘mbuluar’ qytetin e Pukës, 40 km larg vatrës së zjarrit.
Situata e rëndë ishte edhe në Finiq, ku prej disa ditësh flakët po kalojnë nga njëri fshat në tjetrin. Në fshatin Leshnicë e Poshtme të Finiqit u dogjën disa banesa. Edhe në Poliçan të Beratit zjarri mori përmasa të mëdha në mal.











