Zjarret në Malin e Thatë dhe në zonën e mbrojtur të Prespës, vijojnë të djegin sipërfaqe të konsiderueshme prej 8 ditësh. Përpjekjet e forcave zjarrfikëse të bashkive në qarkun e Korçës të mbështetura nga Forcat e Armatosura dhe banorët e zonës, nuk kanë mundur të frenojnë përparimin e flakëve.
Efektivët në terren duhet të udhëtojnë 2-3 orë për të mbërritur pranë vatrave të zjarreve ndërsa tentativat me mjete dore kanë rezultuar të pasuksesshme. Sipas drejtuesve lokalë ndërhyrja nga ajri shikohet si e vetmja mundësi për të ndaluar përparimin e flakëve drejt zonave me bimësi më të lartë.
Sakaq vatra zjarri janë shfaqur edhe në bashkitë e Lushnjës dhe të Selenicës, por falë ndërhyrjeve në kohë të reparteve zjarrfikëse kanë mundur të vihen nën kontroll, ndërsa situata po monitorohet për të parandaluar riaktivizimin e vatrave.
/a.r