Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, gjatë një interviste për Zërin e Amerikës është pyetur në lidhje me zhvillimet e brendshme në Partinë Demokratike.
Kryemadhi nuk ka dashur të komentojë se çfarë po ndodh në partinë tjetër opozitare, por ka shtuar se LSI është një parti e qendrës së majtë e cila ka identitetin e saj. Më tej, kryetarja e LSI ka theksuar se me PD i bashkonin kauzat për të mirën e qytetarëve.
Pyetje: Brenda partisë më të madhe në opozitë po zhvillohet një betejë e paprecedente, ish-kryeministri Berisha ka deklaruar se është gati të vendosë kandidaturën për
kryetarin e kësaj partie si e shikoni ju synimin e zotit Berisha dhe luftën e tij me kryetarin Basha.
Kryemadhi: Nuk dua të komentoj absolutisht asnjë gjë që ka të bëjë me punët e brendshme të Partisë Demokratike, LSI është një parti e qendrës së majtë e cila ka identitetin e saj. Ne me Partinë Demokratike na ka lidhur bashkimi në kauzat për të mirën e qytetarëve siç ka qenë çështja e Teatrit Kombëtar apo siç ka qenë çështja e taksës së Rrugës së Kukësit pavarësisht sesa të suksesshme ishin iniciativat e opozitës në atë kohë. Por nga ana e LSI angazhimi ynë ka qenë gjithmonë luajal dhe i qëndrueshëm deri në fund duke pasur parasysh që ka qenë nga të vetmet partnere e cila i qëndroi deri në fund frontit opozitar deri në 25 prill.