Zhbllokimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organit kompetent që zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm me mandat 7-vjeçar, përcakton përafërsisht edhe afatin e qëndrimit në detyrë të kryeprokurorit të përkohshëm, i cili pritet të zgjidhjet nga Parlamenti ditën e hënë, për të zëvendësuar Adriatik Llallën.
Referuar 14 afateve maksimale, brenda të cilëve organet kompetente duhet të verifikojnë dhe zgjedhin anëtarin e KLP nga shoqëria civile, prokurori i përkohshëm do të qëndrojë në detyrë jo më shumë se sa 90 ditë. Afatet parashikohen në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Brenda një hapësire kohore prej tre muajsh, Kuvendi duhet të zgjedhë anëtarin e KLP, raporton shqiptarja.com.
Finalizimi i këtij procesi çon në ngritjen e KLP, i cili do të zgjedhë një prokuror të ri përgjithshëm ose të konfirmojë prokurorin e përkohshëm që do të zgjidhjet nga Parlamenti. Bazuar në rregullat e parashikuara në ligj, KLP, pas konstituimit, i propozon Parlamentit tre kandidatë për postin e kryeprokurorit. Parlamenti duhet të zgjedhë njërin kandidat me 2/3 e votave. Në rast dështimi, kandidati me më shumë pikë konsiderohet i zgjedhur.
Afatet
Ditën e premte, një grup pune i ngritur pranë Avokatit të Popullit, në përbërje të të cilit janë Fatbardh Zenelaj, Alket Jaupi dhe Inva Çela, kanë verifikuar dokumentacionin e aplikantëve për anëtar të KLP. Sipas tyre, kandidatët Andi Muratej, Entela Hoxhaj dhe Alfred Balla plotësojnë kriteret formale ligjore në garën për një vend vakant në KLP. Dosjet e kandidatëve i janë përcjellë Komisionit të Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit.
Brenda 10 ditëve, Komisioni i Shoqërisë Civile bën verifikimin e kandidatëve dhe ia përcjellë dosjet Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit. Nëse kandidatët e përjashtuar do të ankohen në gjykatë, ky proces mund të zgjasë edhe 12 ditë të tjera. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit verifikon dokumentacionin brenda 10 ditëve. Nëse mundon ndonjë dokument, kandidati ka afat 5 ditë për ta plotësuar. Sekretari i Përgjithshëm i dërgon listën Komisionit të Ligjeve jo më vonë se 10 ditë. Komisioni i Ligjeve ngre brenda tre ditëve një nënkomision, për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve. Ky nënkomision, brenda tre ditëve i dërgon kandidatin e përzgjedhur Kuvendit.
Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton kandidatin me dy të tretat e të gjithë anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, nënkomisioni miraton një listë të re, brenda 2 ditëve. Lista e re hidhet në votim nga Kuvendi brenda 7 ditëve. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e dytë, nënkomisioni miraton një listë të re, brenda 2 ditëve. Kuvendi hedh në votim listën e tretë brenda 7 ditëve. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e tretë, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Ndërkaq, për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të KLP, do të ketë një proces tjetër, i cili do të administrohet nga kryeprokurori i përkohshëm.
Si dështoi plani i PD
Partia Demokratike tentoi të mbante Adriatik Llallën në krye të Prokurorisë së Përgjithshme përmes pengimi të ngritjes së KLP. Avokati i Popullit ka njoftuar dështimin e shumëfishtë të procesit të verifikimit dhe propozimit të kandidaturave nga shoqëria civile për një vend në KLP. Ligji parashikon se duhet të jenë jo më pak se tre kandidatë.
Menjëherë pasi mazhorancë nisi procesin për zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm, Avokati i Popullit, i cili drejtohet nga një përfaqësuese e PD, befas njoftoi se procesi për zgjedhjen e një anëtari të KLP nga shoqëria civile ishte zhbllokuar, pasi tashmë kishte tra kandidatë që plotësonin kriteret.
Ky përkim zhvillimesh duket se fsheh pas një lëvizje taktike politike. Duke parë vendosmërinë e shumicës, mbështetur edhe nga SHBA-BE, për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm që do të zëvendësojë Llallën, PD duket se ka ndikuar tek Avokati i Popullit për të zhbllokuar procesin.
Afatet, 14 hapat për zgjedhjen e anëtarit të KLP
1- Grupi i punës i ngritur pranë Avokatit të Popullit verifikon brenda 10 ditëve nëse aplikantët për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë plotësojnë kriteret formale ligjore.
2- Grupi i punës i ngritur pranë Avokatit të Popullit, ka konfirmuar në datën 15.12.2017 se kandidatët Andi Muratej, Entela Hoxhaj dhe Alfred Balla plotësojnë kriteret formale për anëtarë të KLP. Dosjet e kandidatëve i janë përcjellë Komisionit të Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit.
3- Komisionit të Shoqërisë Civile bën verifikimin paraprak të kritereve, ligjore, profesionale dhe morale të kandidatëve. Ky proces duhet të kryhet brenda 10 ditëve. Komisioni ia dërgon listën e kandidatëve sipas renditjes Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.
4- Ankimet kundër vendimit për përjashtimin e kandidatëve vetëm për shkelje të rënda procedurale bëhen në Gjykatën Administrative të Apelit jo më vonë se 5 ditë nga dita e njoftimit të vendimit të kontestuar. Gjykata Administrative e Apelit vendos brenda 7 ditëve nga dita e dorëzimit të ankimit.
5- Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jo më vonë se 10 ditë nga dita e paraqitjes së listës dhe dokumentacionit shoqërues, verifikon, në bazë të dokumentacionit të paraqitur, nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga Kushtetuta dhe ligji.
6- Nëse dokumentacioni i kandidatit nuk është i plotë Sekretari i Përgjithshëm i kërkon kandidatit që brenda 5 ditëve të bëjë plotësimin e dokumentacioni.
7- Sekretari i Përgjithshëm i dërgon komisionit të përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend, listat, së bashku me raportin jo më vonë se 10 ditë.
8- Jo më vonë se 3 ditë nga paraqitja e listës nga Sekretari i Përgjithshëm, komisioni i përhershëm përgjegjës për çështjet ligjore në Kuvend krijon një nënkomision me 5 deputetë, prej të cilëve 3 caktohen nga radhët e shumicës parlamentare dhe 2 nga radhët e pakicës parlamentare, për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve.
9- Jo më vonë se 3 ditë nga krijimi i tij, kandidatin nga shoqëria civile nënkomisioni ia dërgon atë Kryetarit të Kuvendit përmes kryetarit të nënkomisionit.
10- Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me dy të tretat e të gjithë anëtarëve.
11- Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, nënkomisioni miraton një listë të re, brenda 2 ditëve nga votimi në seancë plenare.
12- Lista e re i paraqitet Kryetarit të Kuvendit dhe hidhet në votim në seancën më të afërt të Kuvendit, por jo më vonë se 7 ditë nga paraqitja e listës. Kuvendi e miraton me 2/3.
13- Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e dytë, nënkomisioni miraton një listë të re, brenda 2 ditëve nga votimi i fundit në seancë plenare.
14- Lista e re i paraqitet Kryetarit të Kuvendit dhe hidhet në votim në seancën më të afërt të Kuvendit por jo më vonë se 7 ditë nga paraqitja e listës. Kuvendi miraton listën e kandidatëve me dy të tretat e të gjithë anëtarëve. Në rast se Kuvendi nuk arrin shumicën prej dy të tretave edhe në votimin e tretë, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur./ shqiptarja